Jepini ato dreq qindarkash

Gjergj Erebara

Qeveria shqiptare e ka rritur borxhin publik me plot 240 milionë dollarë për të shlyer faturat e prapambetura të punëve publike. Për këtë nuk ka dyshim se ka bërë shumë mirë. Një vend nuk mund të jetojë duke mohuar borxhet që ka.

Por qeveria shqiptare ka lënë diçka tjetër pa bërë! Ajo nuk e ka rritur fondin për shpenzime sociale, pra ndihmë ekonomike dhe pagesa për njerëzit me aftësi të kufizuara, gjë që ka bërë që shumë nga nj shtresë e varfër e shoqërisë shqiptare të mbeten pa pagesat mujore.

Ministria me emrin ironik të Mirëqënies Sociale, na njoftoi se në planin e saj, pagesat do të vijojnë të vonohen deri në janarin e vitit të ardhshëm, kur pritet të hapet buxheti i ri, i cili nuk është miratuar ende në Kuvend. Po e njëjta ministri na thotë se në janar do të jepen edhe pagesat e prapambetura të këtyre muajve si dhe faktin që vështirësitë kanë lindur nga keqpërdorimi i skemës nga bashkitë e komunat gjatë muajve të zgjedhjeve. Problemet, thonë ata, i kanë rrënjët te qeveria paraardhëse, rrjedhimisht administrata e sotme nuk ka çfarë t’i bëjë.

Problemi është se ministria nuk është një OJQ e aftë për të gjetur defektet apo për të identifikuar problemin. Është një institucion që ka për detyrë të gjejë zgjidhen. Dhe asnjë zgjidhje nuk quhet zgjidhje për sa kohë në Shqipëri ka njerëz me aftësi të kufizuar apo të varfër që nuk marrin ndihmën ekonomike mujore. Dhe nuk mund të quash zgjidhje premtimin se do t’i japësh vitin e ardhshëm. Të varfrit nuk kanë kursime për të shpenzuar ndërkohë deri në janar, as nuk mund të marrin kredi në pritje të hapjes së buxhetit të ri. Ata jetojnë me pagesa mizerabël nga buxheti i shtetit dhe kanë nevojë t’i marrin muaj për muaj.

As nuk pranohet si justifikim fakti që në skemë ka patur abuzime të shumta. Abuzimet e disave nuk të japin të drejtë të lësh pa paguar njerëzit në nevojë atë shumicën që nuk kanë mashtruar me gjendjen e tyre fizike dhe as nuk kanë vjedhur ndokënd.

Qeveria e re po përcakton prioritetet e veta në lidhje me njerëzit e varfër dhe ata me aftësi të kufizuar. Plot 240 milionë dollarë shtesë në borxhin publik për të paguar faturat e prapambetura të kompanive të ndërtimit, zero dollarë shtesë për të paguar ndihmën ekonomike dhe ndihmën për aftësi të kufizuar. Është një zgjidhje shumë e thjeshtë. Le ta shtojnë edhe 3, 5 apo 10 milionë dollarë borxhin publik për të paguar qindarkat për të varfrit.

Përndryshe po na tregon se qeveria është e gatshme të punojë për të shpëtuar disa dhjetëra kompani të mëdha duke i dhënë disa qindra milionë dollarë, por jo të ndihmojë disa mijëra varfanjakë duke i dhënë disa qindarka.

Mbi këtë temë:

Invalidët dhe ndihma ekonomike, asnjë lek shtesë në buxhetin e ri

You may also like...