Juristët e Plepave

Xhabyni

Shënime nga dita

Jemi mësuar që Kryeministri i vendit në çdo fjalim të lëshojë nga ndonjë barsoletë që zakonisht militantët e marrin si një proverb të një njeriu me shumë mend. Një nga këto barsoleta ai na e tregoi për policët plepa të cilët ministri i tij i kishte zëvendësuar me polica (në fakt Tom Doshi mendon ndryshe por temë tjetër kjo!) Sikur qeverisja të ishte me proverba kam përshtypjen që kryeministri do ishte një post për persona që dinë të flasin bukur e jo të veprojnë.  Për të shuar këtë mendim që unë, po edhe shumë të tjerë, kanë për shkëlqesinë tonë kryeministër ai para dy ditësh ftoi në një mëngjes pune të gjithë deputetët që kundërshtuan ligjin e famshëm të Policisë.

Dikush mund të mendojë se e gjithë kjo është një mizanskenë për të krijuar një farëlloj lëvizje politike që të tregojë se kemi një opozitë të brendshme kur vjen fjala tek këto reforma që do të marrin shumë vota dhe do ndikojnë jetën e qytetarëve. Këtë isha i prirur që ta besoja dhe unë, nëse nuk do t’i hidhja një sy të dhënave mbi gardën. Nëse hulumton mbi borderonë e këtij institucioni zbulon se atje punësohen rreth 1200 persona, të cilët përkthehen në 1200 familje që jo vetëm nesër do të japin votën por që janë të gatshëm për të shkrepur armën e tyre vetëm për të mbrojtur liderin.

Kështu e gjithë kjo gurgule nuk po ndodh fjala vjen se LSI përmes zërit të saj Braho po përpiqet të frikësojë Ramën për ndonjë sulm që ky i fundit do t’i bëjë Metës përmes byrosë së hetimit. Fakti që Rama e njeh Metën si një “burrë të pastër” e aq më tepër leksioni që Meta dha në zgjedhjet e djeshme tregojnë se ai tanimë është imun nga sistem gjyqësor dhe politik. Ndaj, halli i vetëm i LSI-së është të vrapojmë më shpejt drejt punësimit të sa më shumë militantëve, ashtu që zgjedhjet e ardhshme ta tregojnë gjithnjë e më solide.

Po cila qe arsyeja që Rama, u ngrit aq herët atë mëngjes dhe shkoi i parregulluar në atë mëngjes pune? Qeveria e tij i duhet të kalojë një sërë reformash të rëndësishme në shtatorin e këtij viti (reforma arsimit, reforma shëndetësore, reforma e pensioneve etj.) e natyrisht i duhet një rrugë e shtruar. Ndaj ai është i gatshëm që të negociojë me Frokun për vëllain e tij, me PDIU për disa bashki në jug e kështu me radhë.

Mirëpo shqetësimi im në këto çaste është se reforma të tilla jo vetëm që nuk flasin për një shtet të konsoliduar por përkundrazi flasin për një shtet që po trajtohet si plaçkë lufte. Kështu ligje të pavlera e pa ndonjë rëndësi të madhe kundërshtohen vetëm e vetëm sepse ato nuk përmbushin pritshmëritë makiavelistë të partive. Thënë më shkoqur Ramës i intereson plotësimi i tekave të aleatëve dhe jo ekzistenca e një ligji në shërbim të qytetarëve.

Kjo duket shumë qartë edhe kur shohim përbërjet e komisioneve parlamentare, më shumë mund të gjesh gangsterë e polica se sa juristë. Ndaj dhe Spartak Braho në rolin e juristit që nuk do t’i nxihet faqja nga ky ligj i policisë, i shkon më së shumti epiteti “jurist plepash” të cilët nuk flasin me universitetin e ligjit por me atë të partisë.

You may also like...