Kandidatura e Bojaxhiut, një rrugë me arka bosh

Mund të jetë ngushëlluese të kesh një kandidat të vlefshëm për ta votuar. Për fat të keq, mund të jetë vetëm kaq. Një ngushëllim afatshkurtër, ndërkohë që qeverisja e Tiranës bëhet nga keq në shumë keq.

gjergj-bojaxhiu-300x211-702x336Undercover Reporter

Banorët e Tiranës kësaj here kanë një problem edhe më të madh se sa mungesa e alternativave të vlefshme për të votuar apo shpresa se një ditë qyteti (dhe fshatrat përreth) do të qeverisen një ditë normalisht.

Konjuktura e sotme politike e ka ulur ndjeshëm pazarin. Me hartën e re elektorale, nëse marrim parasysh votat e vitit 2013, koalicioni qeverisës ka rreth 60 mijë vota më shumë se sa ajo që konvencionalisht njihet si opozitë, por që për Tiranën është aktualisht në pushtet që prej katër vjetësh. Katër vjet të kaluar pa lënë asnjë gjurmë përveç neglizhencës totale në administrimin e qytetit.

Në këtë pikë, kushdo që kandidon nga opozita, përveç në rast të ndonjë mrekullie, thjeshtë sa blen një biletë për të humbur.

Nga ana tjetër duket se Rama nuk pranon dot askënd që mund të qeverisë Tiranën për katër vitet e ardhshme. Rama duket se është në kërkim të një nënkryetari të Bashkisë së Tiranës ndërkohë që ai është kryetar. Më saktë, një qehajaji të beut.

Kjo konjukturë, pra opozita e dobët që vjen nga një qeverisje qesharake me simbol Enon me dy n si kryeadministrator të punëve të qytetit, kombinuar me avantazhin e stërmadh të sjellë nga harta e re administrativo elektorale e Tiranës, i jep Ramës luksin të vendosë një kandidat jodinjitoz.

Në këtë pikë, pasja e një kandidati të pavarur vlen për të mbledhur votat e qytetarëve dhe fshatarëve që janë njëkohësisht të angazhuar dhe njëkohësisht të neveritur nga konjuktura aktuale qeverisëse.

Pyetja është se çfarë shansesh ka një kandidat i pavarur për të fituar zgjedhjet?

Shanset janë zero. Votat e mbledhura prej tij mund të shërbejnë si një deklaratë e qytetarëve normalë të Tiranës për të thënë se ne jemi ngopur me politikën aktuale, por vetëm kaq, një deklaratë.

Ta zëmë për një moment që qytetarët dhe fshatarët e Tiranës do të angazhohen mjaftueshëm dhe kandidati do të jetë në cilësinë e duhur për të fituar zgjedhjet. Nuk duhen shumë, mjaftojnë 30 për qind të votave. Pyetja që shtrohet pas kësaj është se kush do t’i numërojë këto vota. Duhet të jesh naiv deri në budalla që të besosh se militantët e partive që numërojnë votat do të jenë mjaftueshëm të ndershëm për t’i numëruar votat e këtij kandidati të pavarur.

Ta zëmë se ky problemi i numërimit të votave, për të cilin, partitë i kanë vënë titullin “mbrojtja e votave”, do të zgjidhet nga ndonjë mrekulli. Kandidati i pavarur do të duhet të ruhet nga ndonjë marrëveshje e çastit të fundit mes partive të mëdha. Nuk duhet harruar se marrëveshja e vitit 2008 mes Ramës dhe Berishës synonte krijimin e një duopoli në tregun politik shqiptar. Kur duopoli nuk i ndezi, partitë përdorën dhunën, paranë dhe shantazhin. Kjo solli në atë që sot e njohim si parlamenti më i keq që nga rënia e komunizmit, me një numër të stërmadh gangsterësh dhe kriminelësh. Qytetarëve të indinjuar, në rast të një përballjeje elektorale me klikën aktuale në pushtet, do t’u duhet të përballen edhe me gangsterët e shumtë mercenarë, të gatshëm për të vrarë për punëdhënësin e radhës.

Këtu mbërrijmë te emri konkret. Gjergj Bojaxhi si kandidat i pavarur.

Përveç vështirësive të mësipërme, Bojaxhi do të duhet të përballet edhe me aludimin se ai po paguhet nga e majta për t’i prishur punë të djathtës. Ta zëmë se qytetarët besojnë se Bojaxhi është një kandidaturë e sinqertë jashtë hileve të zakonshme të politikës së vjetër. Ai do të duhet të bindë se është qytetar i indinjuar si ndaj politikës që njihet konvencionalisht si e djathtë ashtu edhe asaj që konvencionalisht njihet si e majtë. Kjo nuk do të jetë gjë e lehtë. Nëse ai nuk bind qytetarët e indinjuar të majtë nuk ka shans të jetë diçka më shumë se sa një ish zyrtar i qeverisë Berisha i zemëruar me Berishën.

Për sa më sipër, sido që pasja e një kandidati të pavarur mund të shërbejë si një ngushëllim për të indinjuarit, kandidimi vështirë se do të lërë ndonjë gjurmë afatgjatë përtej zgjedhjeve të ardhshme vendore. Është më e logjikshme që Bojaxhi apo kushdo tjetër që ndjehet i indinjuar dhe i fyer nga politika aktuale, ta përdorë këtë indinjim për të protestuar, jo për të kandiduar.

You may also like...