Kërkesa për armët kimike trondit dashurinë e Shqipërisë për SHBA-të

 

Poster kortezi e Haxhi Konit

Poster kortezi e Haxhi Konit

Presioni i SHBA-ve për Tiranën për të pranuar shkatërrimin e armëve kimike të braktisura të Sirisë bën që shumë shqiptarë të ndjejnë se besnikëria e tyre ndaj Amerikës po abuzohet.

Gjergj Erebara BIRN Tiranë

Zyrtarët shqiptarë kanë konfirmuar se Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar këtij aleati të vogël në Ballkan të pranojnë shkatërrimin në territorin e saj të stokur të armëve kimike të Sirisë.

Duke folur në parlament të premten, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati tha se qeveria qe ende duke e menduar kërkesën, e cila është bërë temë e një bisede telefonike mes kryeministrit të ri Edi Rama dhe Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry.

Megjithëse parlamenti duhet ende të marrë një vendim, shumë shqiptarë sakaq ndjehen të shqetësuar dhe të poshtëruar nga kërkesa. Njerëzit kanë frikë për pasojat e marrjes së arsenalit të armëve kimike të regjimit të Assad të Sirisë dhe vendosjen e tyre në tokën e Shqipërisë dhe kanë arsye të mira për këtë.

Megjithëse me ndihmën e SHBA-së shkatërrimi i municioneve të mbushura me agjentë kimikë mund të jetë i sigurtë dhe i suksesshëm, sërish procesi do të lë pas një përzjerje mbetjesh të rrezikshme. Tirana nuk ka kapacitete për t’u marrë me mbetje të tilla.

Mbetjet nga arsenali i vet i armëve kimike, të cilat u shkatërruan me ndihmën e Uashingtonit, janë ende në një bazë shumë keq të ruajtur dhe përbëjnë një kërcënim për mjedisin.

Diktatori stalinist i Shqipërisë, Enver Hoxha, akumuloi sasi të mëdha municionesh, karburant raketash dhe agjentësh të tjerë të rrezikshëm nëpër bunkerë në të gjithë vendin, duke patur një frikë për sulm të njëhershëm nga Lindja dhe Perëndimi.

Trashëgimia e çmendurisë së Hoxhës qe një numër shpërthimesh vdekjeprurëse përgjatë dy dekadave të fundit, të cilat kanë lënë dhjetëra të vrarë dhe qindra të plagosur.

Shumë shqiptarë të varfër sërish përpiqen të nxjerrin jetesën duke marrë copa metali nga predhat e artilerisë të shpërndara në të gjithë vendin. Ky nuk është vend shumë i sigurtë për çdo lloj standardi për të transferuar 1,300 tonë agjentësh vrasës kimikë, nga gazi mustard te VX.

Përveç frikës se shkatërrimi i armëve të Sirisë në Shqipëri do të kthehen në një tragjedi të re, shqiptarët ndjehen të poshtëruar. Shumë ndjejnë se Shtetet e Bashkuara po i shpërblejnë për ndjenjat e tyre pro-amerikane duke e kthyer vendin në një kosh plehrash.

Ata ndjehen edhe më shumë të turpëruar nga mënyra se si qeveria e tyre e trajtoi këtë çështje. Shumë besojnë se avantazhi  i mundshëm krahasues për transferimin e armëve kimike vjen nga kultura qeveritare e të thanit “po” për çdo gjë që kërkon Uashingtoni.

Legjendat urbane thonë se klasa politike e korruptuar e Shqipërisë jeton nën frikën e vazhdueshme se një ditë mund të shënjestrohet nga agjencitë e zbatimit të ligjit të vendeve Perëndimore.

Për të shmangur këto hetime të padëshiruara, politikanët e Shqipërisë janë të lumtur për të luajtur çdo top që Perëndimi dhe në veçanti, Shtetet e Bashkuara, hedhin në këmbët e tyre.

Ajo që i jep mbështetje një besimi të tillë është se Tirana ka pranuar më shumë të burgosur të Guantanamos të nuk mund të riatdhesoheshin në vendet e tyre se çdo vend tjetër.

Vetëm sëfundmi, Shqipëria pranoi të marrë 210 anëtarë të grupimit iranian të rezistencës, Muhaxhinin – e Khalq, për shkak të një kërkese të SHBA-ve.

Pranimi i muhaxhidinëve të Iranit dhe ish të burgosurve të Guantanamos për arsye humanitare nuk provokoi rezistencë nga publiku i gjerë.

Gjithsesi, përzjerja e turpit dhe frikës prodhuar nga kërkesa për të marrë armët kimike të Sirisë ka tërhequr protestë në rrugë dhe në rrjetet e medias shoqërore.

Ata më të zemëruarit ndaj qeverisë dhe kërkesës së SHBA-ve janë të  njëjtët njerëz që vetëm pak muaj më parë, në zgjedhjet e 23 qershorit, i dhanë një fitore në brez të gjerë koalicionit të qendrës së majtë të drejtuar nga udhëheqësi socialist Edi Rama.

Shumë mbështetës socialistë kanë frikë transferimin e armëve kimike më shumë se sa rikthimin në pushtet të ish-kryeministrit Sali Berisha, kryearmikut të Ramës.

Qëndrimi i Ramës në pushtet varet nga aleati i tij më i vogël, Ilir Meta, dhe është e paqartë se çfarë ndikimi mund të ketë diskutimi i armëve kimike për koalicionin.

Meta ka deklaruar sakaq se Shqipëria nuk ka kapacitetet për të shkatërruar agjentët dhe “nuk duhet të mbajë një barrë më të rëndë nga sa i mbajnë krahët”.

Kur lajmi shpërtheu se Shqipëria mund të marrë arsenalin e Sirisë, disa analistë vunë në dukje se avantazhi i vetëm konkurrues i Shqipërisë si vend pritës qe mungesa e shoqërisë civile të zhvilluar dhe kultura e  politikës së papërgjegjshme.

Siç vunë re ata, nuk ka arsye që bashkësia ndërkombëtare të zgjedhë një vend të tillë të vogël dhe të varfër si destinacionin final të armëve të shkatërrimit në masë të Assad, kur vende të tjera anëtare të NATO-s kanë teknologji shumë më të zhvilluar çarmatimi.

Megjithëse armët nuk kanë ardhur ende, kundërshtarët po bashkojnë me shpejtësi sëbashku një lëvizje me bazë të gjerë mjedisorësh, intelektualësh dhe aktivistësh dhe disa organizata kanë filluar të bëjnë thirrje për një fushatë të  mosbindjes civile.

Një peticion në internet mblodhi mbi 18 mijë firma në 48 orë, shumë protesta të vogla janë zhvilluar dhe protesta më të mëdha janë planifikuar.

Në fund, ajo që mendohej se qe dobësia më e madhe e Shqipërisë, mund të kthehet në forcën më të madhe që askush nuk e kishte imagjinuar.

You may also like...