Kjo është Cumbia e Qeverisë!

Xhabyni

Cumbia është një muzikë dhe valle popullore kolumbiane që kërcehet e këndohet për rreth një zjarri të madh por që origjinën e ka në Afrikë ku duket se ka dhe prejardhjen jo vetëm emri i saj “Cumbia”, që në dialektet e shumta të Afrikës quhet “Kumb” e që ka kuptimin e zhurmës, tingullit dhe uturimës. Me sa duket kjo lloj muzike ka qarkulluar nga skllevërit e zinj të Afrikës në Kolumbi ku edhe fushat e punës kanë marrë emrin kumbè. Kështu që në termin gjuhës kumbè është emërtimi i një vendi ku dëgjohet zhurmës, tingullit që dëgjohet nga një vend i caktuar; ndërkohë që Cumbia është një lloj kërcimi dhe këndimi që bëhet përpara zjarrit si shenjë (me shumë mundësi) falënderimi ndaj tij. Pikërisht këtë lloj valleje hodhën dy qeveritë përpara prozhektorëve të mediave duke u përpjekur të falin lëmoshën në mbledhjen  e Prizrenit e një Zot e di se çfarë valleje tjetër do të hedhin në atë të Vlorës.

Humori dhe ironia që goditi shumën prej 100 mijë eurosh që qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë i dhanë luginës së Preshevës mund të barazohet me thënien popullore “U mbars mali e polli një mi”. Por përpos kësaj ironie në variantin popullor më duhet të mendoj se realisht nuk më vrau shumë miu që u poll nga mbarsja e maleve. Me këtë dua të them që nuk mendoj se Rama e Thaçi nuk e dinin që me këtë shumë i dhanë jetë proverbit popullor, përkundrazi, edhe as që ato po shprehnin përmes kësaj shume dashurinë që kanë për ëndrrën e nacionalisteve.  Ajo që mendoj është se të dy liderët legjendarë (të më falë Visar Arifaj për huazimin) kanë një dëshirë të përbashkët, promovimin mediatik dhe reflektorët e mediave të dy vendeve.

Pushtetet lokale në rajonin e Luginës së Preshevës, janë pjesë të buxhetit republikan të Serbisë. Ato subvencionohen nga shteti edhe për projektet kapitale, siç është infrastruktura, ngritja e objekteve shkollore, spitalore e që janë obligim i shtetit për të cilat qytetarët paguajnë taksa dhe mbushin arkën shtetërore. Materniteti në Preshevë, i cili po proklamohet se do të jetë pjesë e shumës së ofruar nga qeveritë e dy vendeve, ka filluar dhe është në fazën përfundimtare nga paratë e siguruara nga Trupi Koordinues i Beogradit, nga Komuna e Preshevës dhe nga organizatat ndërkombëtare. Prandaj, çdo përpjekje që këto mjete të Fondit të derdhen për këtë projekt, apo për ndërtimin e ndonjë shkolle, janë të pakuptimta dhe manipuluese në emër të shpëlarjes së parave.

Nga ana tjetër Lugina e Preshevës ka nevojë për një Fond zhvillimor, ku do të hapeshin vende të reja pune, të zbutet varfëria ekonomike dhe të nxiten veprimtaritë me interes shoqëror e kombëtar. Para së gjithash, autoritete shqiptare duhet të formojnë një bord manaxhues me këtë Fond, nga i cili do të shpalleshin konkurse për projekte, te të cilat përparësi duhej t’ju jepeshin shoqërisë civile e jo institucioneve dhe Këshillit Nacional që administrohen nga Beogradi. Vetëm në këtë mënyrë ky Fond do të jetë i përqafuar nga shqiptarët e Luginës së Preshevës, përndryshe krijimi i tij do të sjell më shumë sherr se sa dobi.

Duke patur parasysh nga sa u tha më lart unë mund ta justifikoj pasionin e dy kryeministrave vetëm për të fituar pikë në sytë e kosovarëve dhe shqiptarëve. Rama së pari dëshiron të jetë edhe ai prezent në zemrat e kosovarëve duke u munduar të rivalizojë Berishën apo së paku të jetë i treti në listë pas Hoxhës dhe Berishës që kryesojnë zemrat e shumicës së kosovarëve. Thaçi ndërkohë po përpiqet që të fitojë pikë duke u hedhur hi syve të sa e sa qytetarëve me abuzimet e tij në pushtet përmes sjelljes së tij nacionaliste. Është më se e kuptueshme që një sjellje e tij nën këtë frymë jo vetëm që do t’i ngrinte pikët, sidomos pas sulmeve që i janë bërë atij se ka shitur veriun e Kosovës për hir të Nobelit, por edhe do ta fuqizonte si një playmaker në fushën e politikës shqiptare.

Kështu qeveritë i harruan shumë shpejt problemet e vendeve të tyre dhe kanë marrë përsipër një barrë shumë më të madhe se sa shpatullat e tyre të vogla. Unë akoma nuk arrij të kuptoj se si ministri Cani ka pranuar të nxjerrë nga xhepi 100 mijë euro ndërkohë që në muajin e tij të nisjes në qeveri deklaroi se thesarin e gjeti trokë e po ashtu edhe kur bëri buxhetin tha se duhet të merrnim hua se s’kemi para. Por ja që para paskemi pasur meqë bëjmë ndonjëherë dhe ndonjë “sevap” apo jo? Por me sa duket qeveria e Shqipërisë, sidomos ministrat që e kanë me kimet kryeministrin (si paraardhësit e tyre fundja!), janë të gatshëm që të shesin gjithçka vetëm që Rama të dalë i qeshur në televizor e që kosovarët por dhe mbarë shqiptarët në Luginë të Preshevës ta shohin atë si babai i kombit.

Qeveritarët tanë, ndërkohë, harrojnë që fare mirë ato para mund të shërbenin për një fond për shpëtimin e qytetit të Elbasanit i cili është shndërruar për vite të tëra në një vend kancerogjen dhe asnjë qeveri nuk ka ngritur as gishtin për ta shpëtuar atë. Kështu që nëse Lugina e Preshevës nën shkjaun e keq ka një buxhet më vete për një maternitet, e nuk është se i hyn në punë lëmosha e shpëlare e dy liderëve që duan prozhektorët më shumë se sa punën, qyteti i Elbasanit vuan në tymnajën e KURUM-it, vuan nën thundrën e bixhozit dhe bingove që ende s’e kanë dëgjuar “klithmën” e kryeministrit fotozhenik për “fundin” e marrëzisë. Mund të shërbejnë edhe për të varfrit dhe të pastrehët që i gjen në çdo cep të këtij vendi dhe që ministrat jo pak herë i përdorin si elementë fotozhenik për fotot e tyre në Facebook.

Në fakt aq shumë gjëra ka për të bërë në këtë Shqipërinë tonë sa që është e kotë që t’ia kujtojmë qeveritarëve por me sa duket dëshira e tyre është t’i shërbejnë jo qytetarëve por atij që i ka peshkuar në akuariumin e partisë për t’i hedhur në listat e deputetëve e më pas ato të ministrave. Dëshira dhe shërbimi i tyre fillon dhe përfundon aty sepse përndryshe do të kishim patur ndonjë që t’i kujtonte Ramës se ka prioritete të tjera më me rëndësi jetike se sa makijazhi i tij mediatik në Kosovë e gjetkë.

Tani, akti i dytë i Cumbia-s “Ne e duam Shqipërinë dhe shqiptarët” pritet të luhet në qytetin e flamurit ku kryetari aktual i bashkisë ndiqet penalisht për sa e sa ndërtime pa leje por që duket se do t’i presë me gjithë të mirat mysafirët. Mbase me këtë rast ai mund të fitojë dhe shëlbimin e Ramës, që pritet që të amnistojë shumë socialistë nëse ia arrin qëllimin e të kthyerit në një rival serioz të Berishës në Kosovë e gjetkë.

E gjithë kjo Cumbia groteske shoqërohet me nota entuziazmi dhe hareje në mediat shqiptare (sidomos ato të lidhura me pushtetin) duke amplifikuar këto takime dy palëshe si një ëndërr e largët e kthyer në realitet thuajse 200 vite pas lidhjes së Prizrenit dhe 100 vite pas ngritjes së flamurit, sikundër dhe një guimpilier i oborrit Rama ka shkruar ditë më parë ku bëri çmos që Ramën ta vendoste, si një personazh shtesë, në romanin e Kadaresë “Viti i mbrapshtë”. Duke u dhënë të dyve meritat e fitores dhe ndriçimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Por me sa duket kjo është një valle, që ne kemi kohë që e dëgjojmë, duke ia ditur fillimin dhe fundin e saj, vallja fillon dhe përfundon me prozhektorët e mediave që më pas do përcjellin arritjen e qeverisë në mënyrë pompoze duke harruar problemet tona për të cilat qeveria luan lojën e ka kush e ka me gjysmën e mazhorancës së djeshme.

You may also like...