Kriza, dhjetëra mijëra shqiptarë mbetën pa punë

Vrojtimi i kryer nga INSTAT pranë familjeve flet për një situatë dramatike më 2013

Gjergj Erebara

Pjesa e shqiptarëve në moshë pune që konsiderohen si të punësuar, të vetëpunësuar apo të punësuar pa pagesë në aktivitetet familjare si bujqësia

Pjesa e shqiptarëve në moshë pune që konsiderohen si të punësuar, të vetëpunësuar apo të punësuar pa pagesë në aktivitetet familjare si bujqësia. Burimi: INSTAT

54 mijë shqiptarë humbën vendin e punës gjatë vitit 2012 në krahasim me vitin 2011, ndërsa mijëra të tjerë humbën bizneset ku qenë të vetëpunësuar e dhjetëra mijëra kaluan në kategorinë e të “punësuarve pranë familjeve, pa pagesë”.

Këto janë të dhënat e llogaritura nga Instituti i Statistikave bazuar në vrojtimin pranë familjeve për tregun e punës.

INSTAT ka hartuar një metodologji të re për matjen e situatës së tregut të punës duke kryer një vrojtim çdo tre muaj, metodë kjo e ndryshme nga ajo paraardhësja, e cila nxirrte statistika bazuar vetëm në të dhënat e marra nga Ministria e Punës (sot Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë), statistika që qenë shumë të kritikuara dhe me besueshmëri shumë të ulët.

Statistikat e reja të nxjerra përmes vrojtimit, tregojnë se në vitin 2011, në Shqipëri kishte 452 mijë vetë që merrnin një rrogë, ndërsa në vitin 2012, 54 mijë prej tyre e patën humbur rrogën. INSTAT vlerëson se vetëm 398 mijë shqiptarë arritën të ruanin rrogën e tyre më 2012.

Situata duket se është po kaq e vështirë edhe për të vetëpunësuarit që përveç pagës për vete kanë edhe punonjës. Gjatë vitit 2011, këta qenë afro 22 mijë vetë, ndërsa në 2011 ranë në 17 mijë vetë.

Gratë duket se kanë vuajtur më shumë sesa burrat gjatë krizës së madhe të përjetuar gjatë vitit të kaluar, edhe pse nominalisht Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë është rritur. Numri i grave që humbi punën me pagë qe 31 mijë, shumë më e lartë kjo sesa 22 mijë burrat që pësuan të njëjtin problem. Shumica e vendeve të punës me pagë në Shqipëri zihen nga burrat, kështu që rënia e shpejtë e të punësuarve me pagë mes grave tregon edhe një situatë shumë më të pafavorshme shoqërore për këtë grup.

Rënie gjithandej

Rënia e të punësuarve është shënuar në të gjitha llojet e aktivitetit ekonomik me përjashtim të bujqësisë. Në sektorin prodhues u humbën mbi 17 mijë vende pune ndërsa nëpër miniera, gurore, elektricitet etj., sektor i lidhur edhe me ndërtimin, u humbën mbi 14 mijë vende pune. Edhe sektori publik ka mbyllur rreth 10 mijë vende pune, më së shumti si pasojë e reformës në mbrojtje. Gjatë kësaj kohe, të punësuarit në bujqësi rezultojnë të shtuar me disa mijëra vetë. Natyrisht, kjo tregon se disa mijëra shqiptarë kanë humbur shpresën për të gjetur punë me pagesë dhe janë rikthyer pranë familjeve të veta në fshat.

Diploma me bollëk

Studimi i INSTAT nxjerr gjithashtu se janë me dhjetëra mijëra shqiptarët që aktualisht disponojnë diplomë të shkollës së lartë, por që në fakt janë të papunë. Gjithsej, 231 mijë shqiptarë rezultuan të diplomuar, por vetëm 172 mijë prej tyre rezultojnë aktualisht në treg të punës, (pra nuk janë dekurajuar përfundimisht) dhe vetëm 143 mijë prej tyre janë aktualisht të punësuar. Gjithsesi, të diplomuarit me shkollë të lartë duket se po përballen me krizën më mirë sesa segmentet e tjera të shoqërisë.

Punë me orë të gjata

Zyrtarisht, në Shqipëri java e punës është 40-orëshe, e sanksionuar kjo në Kodin e Punës. Por statistikat e mbledhura nga INSTAT tregojnë një situatë krejt tjetër. Në Shqipëri janë aktualisht 300 mijë vetë që rezulton se punojnë mbi 50 orë në javë. Edhe në punë të rënda si minierat, kohëzgjatja mesatare është 46 orë në javë, ndërsa në transport, tregti e shërbime, punohet mesatarisht 49 orë në javë. Vetëm në administratën publike duket se respektohet java 40-orëshe e punës, ndërsa në bujqësi punohet më pak, mesatarisht 37 orë në javë dhe kjo jo se fshatarët janë më dembelë, por sepse toka e disponueshme për frymë është shumë e paktë dhe nuk është e mundur që në pak tokë të punohet më shumë. Meshkujt në sektorin e shërbimeve janë më të diskriminuar, java e tyre e punës shkon mesatarisht në mbi 50 orë.

Puna me orë të gjata i dedikohet pjesërisht faktit se një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve janë të vetëpunësuar dhe rrjedhimisht punojnë aq kohë sa kanë fuqi. Por edhe për të punësuarit me pagë, situata nuk është shumë e ndryshme. Në tregti, transport, hoteleri e shërbime punohet mesatarisht 47 orë. Situata shumë e rëndë e punësimit ka bërë që gjatë vitit 2011, të punësuarit me pagë të punojnë në përgjithësi më gjatë sesa një vit më parë.

Në thelb, statistikat tregojnë se nuk ka shumë rëndësi sesa gjatë ke punuar. Janë pikërisht punët e keqpaguara dhe me orar të në sektorin e shërbimeve ato që kanë njohur edhe shkurtimet më të mëdha në vendet e punës.

Po si shpjegohet rritja ekonomike?

Ekonomia shqiptare është zyrtarisht në rritje. Gjatë vitit të kaluar Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me mesatarisht 3 për qind. Problemi është se rritja erdhi vetëm nga një sektor, ai i telekomunikacioneve, ku numri i të punësuarve është minimal. Në pjesën tjetër të ekonomisë, ku gjendet pjesa më e madhe e të punësuarve, ekonomia ka rënë. Prodhimi i Brendshëm Bruto dukshëm nuk është një tregues që pasqyron siç duhet gjendjen e ekonomisë shqiptare. Kjo na çon te problemi i rishpërndarjes. Shqipëria po bëhet një ekonomi e dominuar në shkallë gjithnjë e më të madhe nga pak korporata të mëdha. Këto korporata rezulton se janë më të afta të përballojnë vështirësitë ekonomike.

Ndryshe është puna te bizneset e vogla. Ato kanë nevojë për konsum të vazhdueshëm për të mbijetuar dhe kur nuk e kanë këtë, detyrohen të transformohen në biznese familjare ku anëtarët e familjes janë të punësuar pa pagë.

Për më tepër, një pjesë jo e vogël e rritjes ekonomike është shkaktuar nga ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan. Një rrugë me kosto totale prej 280 milionë eurosh e financuar me kredi të huaja, mjafton për të ndryshuar shifrat e prodhimit të realizuar, por nuk shërben për të ndryshuar shifrat e të punësuarve. Një pjesë e madhe e rritjes ekonomike përgjatë viteve të fundit i dedikohet edhe rritjes së industrisë nxjerrëse të mineraleve, përgjithësisht naftë, e cila ka gjithashtu një numër jo të konsiderueshëm të të punësuarve.

Në total, rritja e sektorëve me intensitet të lartë kapitali, ka sjellë rritjen e PBB-së, ndërsa sektorët me intensitet të lartë pune kanë pësuar rënie.

Papunësia

Duke marrë parasysh të gjithë shqiptarët me pagë, si dhe të gjithë shqiptarët e vetëpunësuar në bujqësi, INSTAT vlerëson se rreth 14 për qind e popullsisë mes 15 dhe 64 vjeç është e papunë në kërkim aktiv për punë. Këtyre u shtohen edhe rreth 10 për qind të tjerë që janë të papunë, por i kanë humbur shpresat se mund të gjejnë diçka dhe rrjedhimisht as nuk lodhen për të kërkuar.

Studimi i INSTAT

Për të prodhuar statistikat e mësipërme, Instituti i Statistikave ka kryer vrojtime duke pyetur mbi 7 mijë familje në të gjithë Shqipërinë. Vlerësimet finale janë kryer duke ekstrapoluar të dhënat e grumbulluara për të gjithë popullsinë. Të dhënat për popullsinë janë nxjerrë nga censusi i vitit 2011. Vrojtimi për tregun e punës më herët bëhej çdo vit nga INSTAT, ndërsa së fundmi ka filluar të kryhet çdo tre muaj.

 

Statistikat

Dy diploma, një i punësuar

Numri i shqiptarëve me diplomë të shkollës së lartë është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, por shumica dërrmuese e këtyre të diplomuarve rezulton të jenë të papunë me shkollë të lartë. Statistikat e mbledhura nga vrojtimi i INSTAT tregojnë se mes viteve 2011 dhe 2012, në tregun e punës u shtuan rreth 11 mijë vetë me shkollë të lartë. Por numri i të punësuarve me diplomë në fakt u rrit me 5 mijë vetë, gjë që sugjeron se afërsisht një nga dy të diplomuar është i papunë, pa folur këtu për mundësinë që ai i diplomuari për Juridik apo Ekonomik të jetë duke punuar gjëkundi si kamerier.

Në total, nga 320 mijë të diplomuar me shkollë të lartë që ka Shqipëria, vetëm 143 mijë deklarohen të punësuar. Nuk ka të dhëna se sa i ka ndihmuar realisht diploma për punësimin që kanë. Mbi 100 mijë të diplomuar rezultojnë edhe si njerëz të dekurajuar, pra që as nuk lodhen të kërkojnë punë. Statistikat sugjerojnë se mes të arsimuarve me shkollë të mesme ka më pak “të dekurajuar”.

 

Tregu i punës në Shqipëri

2.2 milionë – njerëz vlerësohet se janë mes moshës 15 dhe 64 vjeç aktualisht në vendin tonë. Të gjithë këta konsiderohen si forcat e punës

1.3 milionë – njerëz vlerësohet se janë aktualisht në tregun e punës, pra janë të disponueshëm për punë, nuk janë në shkollë apo të angazhuar gjetkë

1.1 milionë – veta vlerësohet numri i shqiptarëve të konsideruar “të zënë me punë” ku hyjnë të vetëpunësuarit në bujqësi apo të punësuarit pa pagë pranë familjes

530 mijë – veta punojnë në bujqësi, pra kanë edhe të ardhura minimale, pasi vlera e përgjithshme tregtare e prodhimit bujqësor të vendit është shumë e ulët

400 mijë – vlerësohet numri i shqiptarëve të punësuar përkundrejt pagës. Numri i tyre ka rënë me mbi 54 mijë, në krahasim me vitin 2011 duke treguar edhe përmasat e krizës

 

Marrë nga Gazeta Shqip
[chartboot version= ‘3.0’ code= ‘FE32’ border= ‘1’ width= ‘800’ height= ‘400’ attribution= ‘1’ jsondesc= ‘{“containerId”:”visualizationFE32″,”dataTable”:{“cols”:xxx00xxx{“id”:””,”label”:””,”pattern”:””,”type”:”string”},{“id”:””,”label”:”15-64 vjeç”,”pattern”:””,”type”:”number”},{“id”:””,”label”:”15-29 vjeç”,”pattern”:””,”type”:”number”},{“id”:””,”label”:”30-64 vjeç”,”pattern”:””,”type”:”number”}xxx01xxx,”rows”:xxx00xxx{“c”:xxx00xxx{“v”:”I-12″,”f”:null},{“v”:58.8,”f”:null},{“v”:39.4,”f”:null},{“v”:69.4,”f”:null}xxx01xxx},{“c”:xxx00xxx{“v”:”II-12″,”f”:null},{“v”:56.9,”f”:null},{“v”:37.7,”f”:null},{“v”:67.6,”f”:null}xxx01xxx},{“c”:xxx00xxx{“v”:”III-12″,”f”:null},{“v”:55.2,”f”:null},{“v”:33.2,”f”:null},{“v”:67.8,”f”:null}xxx01xxx},{“c”:xxx00xxx{“v”:”IV-12″,”f”:null},{“v”:54.5,”f”:null},{“v”:32.8,”f”:null},{“v”:66.9,”f”:null}xxx01xxx}xxx01xxx,”p”:null},”options”:{“legend”:”right”,”title”:”Shkalla e punësimit sipas tremujorëve”,”curveType”:””,”vAxes”:xxx00xxx{“title”:null,”minValue”:null,”maxValue”:null,”viewWindow”:{“max”:null,”min”:null},”useFormatFromData”:true},{“viewWindow”:{“max”:null,”min”:null},”minValue”:null,”maxValue”:null,”useFormatFromData”:true}xxx01xxx,”animation”:{“duration”:500},”booleanRole”:”certainty”,”lineWidth”:2,”hAxis”:{“minValue”:null,”maxValue”:null,”viewWindow”:null,”viewWindowMode”:null,”useFormatFromData”:true}},”state”:{},”view”:{},”isDefaultVisualization”:true,”chartType”:”LineChart”,”chartName”:”Shkalla e punësimit sipas tremujorëve”}’ ]

You may also like...