KRIZA E BORXHIT EUROPIAN

Jonathan Jarvis & Cullen Daly

«Ç’është kriza e borxhit europian?»

edc-header-05Kriza e borxhit europian është dështimi i euros. Monedhës që lidh bashkë 17 vende europiane në një mënyrë të ngushtë, por me mjaft të meta. Gjatë tre viteve të fundit, Greqia, Portugalia, Irlanda, Italia dhe Spanja – që të gjitha janë luhatur në buzë të kolapsit financiar, duke kërcënuar të rrënojnë të gjithë kontinentin (Europën) dhe pjesën tjetër të botës. Si ndodhi kjo?

«Bashkimi i Europës»
Në pjesën më të madhe të historisë europiane, kontinenti ka qenë në luftë me vetveten. Dhe vendet në luftë me njëra-tjetrën kanë tendencë të bëjnë më pak biznes bashkë. Europa ka qenë gjithmonë një kontinent barrierash tregtare, tarifash dhe monedhash të ndryshme. Të bëje biznes përtej kufijve ishte e vështirë. Duhet të paguaje një tarifë për të thyer një monedhë me një tjetër, si dhe të duhej të paguaje taksa në kufi për t’u shitur dhe blerë kompanive në vende të tjera. Kjo prirej ta tkurrte rritjen ekonomike. Më pas, erdhi Lufta II Botërore që shkatërroi Europën. Meqenëse gjendja e përgjithshme ishte kaq e tmerrshme, mënyra më e shpejtë për ta rindërtuar Europën, qe ajo e heqjes së këtyre kufijve.
Taksat e importit të çelikut dhe qymyrit u ulën shumë, ndaj dhe një uzinë çeliku në një vend mund t’i shiste një ndërtuesi në një vend tjetër. Nga kjo, të mbijetuarve u lindi një ide: ideja e një Europe të Bashkuar. Një bashkim në të gjithë kontinentin.
Kjo do t’u jepte fund të gjitha luftrave në të ardhmen. Vendet nisën të bëheshin bashkë për t’ja arritur këtij qëllimi, duke rrëzuar barrierat tregtare, dhe kjo uli koston e të bërit biznes. Një nga barrierat e fundit që ra, ishte Muri i Berlinit. Me bashkimin e dy Gjermanive, Europa ishte tashmë gati.
27 vende nënshkruan Traktatin e Maastrichtit dhe krijuan Bashkimin Europian. Kjo e ka lehtësuar së tepërmi biznesin përtej kufijve. Por një pengesë e madhe ishte ende më këmbë: monedhat e ndryshme. Një dekadë më vonë, kishim vetëm një. Monedha euro (€) u hodh në treg më 1 janar 1999.
Vendet që përvetësuan euron – ose eurozona – tërhoqën nga tregjet monedhat e tyre. Gjithashtu, ato hoqën dorë nga politikat e tyre monetare, duke i dhënë kështu kontrollin Bankës së sapokrijuar Qëndrore Europiane. Të quajtur zakonisht BQE.
Tashmë, eurozona kishte një politikë të njësuar monetare, por ende shumë politika të ndryshme fiskale. Një arsye kyç për krizën e borxhit të tanishëm.

edc-header-05«Politika monetare dhe politika fiskale»
Duhet të dini se ka shumë rëndësi kuptimi i ndryshimit mes politikës monetare dhe asaj fiskale.
Politika monetare kontrollon furnizimin me parà. Ose fjalë për fjalë, sa parà ka brenda një ekonomie, dhe cilat janë normat e interesit për të marrë borxh.
Politika fiskale kontrollon sesa parà mbledh qeveria nga taksat dhe sa shpenzon. Një qeveri mund të shpenzojë vetëm aq sa ç’mbledh nga taksat. Çdo gjë tjetër përtej kësaj shume, asaj i duhet ta marrë borxh. Ky quhet deficit buxhetor dhe publik (deficit spending).
Para euros, vendeve si Greqia jo vetëm u duhej të paguanin norma të larta interesi për të marrë borxh, por edhe vetëm në një sasi të caktuar. Pasi huadhënësve nuk u vinte mirë t’u jepnin shumë para borxh. Por tani që u bënë pjesë e politikës së re të bashkuar monetare të eurozonës, sasia që mund të merrnin borxh arriti majat. Vende të vogla befas mund të merrnin kredi të cilat më parë as që i kishin ëndërruar. Greqia dhe vende të tjera që më parë mund të merrnin borxh vetëm me interesa rreth 18%, tani mund të merrnin borxh me të njëjtat interesa të ulta si Gjermania. Në ç’mënyrë?

«Karta e kreditit e Gjermanisë»
Që ta kuptoni, futja në eurozonë i ngjan shumë ndarjes me të tjerë të një karte krediti. Një karte krediti të Gjermanisë.
Huadhënësit tani besonin që nëse Greqia nuk do kishte mundësi të paguante borxhet e saj, Gjermania dhe ekonomitë e tjera të mëdha të Europës do hynin në lojë dhe do t’i paguanin, pasi ishte të lidhur nga një monedhë e përbashkët.
Me këtë bollëk të ri kredie me çmim të lirë, Greqia dhe vendet e tjera europiane patën mundësi të rregullonin politikat e tyre fiskale dhe të rrisin shpenzimet në nivele që përpara ishin të pabesueshme. Disa vende i hynë rrugës së shpenzimeve të deficitit të stërmadh buxhetor dhe publik, kryesisht që politikanët të fitonin zgjedhjet. Ata bënë premtime për më shumë vende pune dhe pensione bujare, të gjitha të paguara me paratë e reja që mund të merreshin borxh.
edc-hero-image-950x534_0012Qeveritë e Greqisë, Portugalisë dhe Italisë akumuluan borxhe të stërmëdha.
Megjithatë, ato patën mundësi t’i shlyenin këto borxhe me më shumë para të marrë hua. Për aq kohë sa huamarrja vazhdonte, po ashtu vazhdonin dhe shpenzimet si dhe politikat e paekuilibruara fiskale.
Në Irlandë dhe Spanjë kredia e lirë u dha frymë flluskave të mëdha të kompanive të ndërtimit dhe pasurive të patundshme, ashtu siç ndodhi edhe në SHBA.
Kredia vazhdonte, borxhi i mbivendosej borxhit dhe ekonomitë e Europës u bënë të lidhura pazgjidhshmërisht. Kompanitë nisën të hapnin fabrika dhe zyra në të gjithë Europën.
Bankat gjermane u jepnin hua kompanive franceze. Bankat franceze u jepnin hua kompanive spanjolle e kështu më tutje, lart e poshtë.
Kjo e bëri kryerjen e biznesit tejet eficent, duke lidhur në të njëjtën kohë fatin kolektiv të eurozonës. Gjërat vazhduan në këtë mënyrë për aq kohë sa ishte e mundur marrja e kredive, dhe kreditë mund të merreshin deri në vitin 2008.
Nxitur nga një kolaps në tregun e banesave në SHBA, kriza e kredive përfshiu mbarë globin duke ndalur në mënyrë të beftë dhe kudo kredimarrjen. Befas, ekonomia greke nuk mund të funksiononte më. Ajo nuk mund të merrte hua për të paguar për gjithë vendet e reja të punës dhe përfitimet që krijoi. Ajo nuk mund të merrte hua para të re që i duhej për të paguar borxhet e vjetra. Ky për Greqinë qe një problem, dhe për shkak të politikave të njësuara monetare, ishte një problem për gjithë Europën.
Pjesa më e madhe e vendeve europiane u kishin hyrë shpenzimeve të shfrenuara, duke marrë më shumë borxhe se ç’mund t’i lanin ndonjëherë. Por tani problemi ka të bëjë me faktin se dikush duhet të fusë dorën në xhep; përndryshe çdo vend në eurozonë do të vuajë. Meqenëse vendet të cilave u kishte ngecur fatura në dorë s’mund të paguanin, të gjithë i hodhën sytë nga Gjermania.

«Masat e kursimit, ose shtrëngimi i rripit»
Si ekonomia më e madhe dhe më e fuqishme në Europë, Gjermania dashur pa dashur pranoi të dilte dorëzanë për vendet debitore.
Me pak fjalë, Gjermania ra dakord të paguante faturën. Por vetëm nëse vendet debitore do binin dakord të ndërmerrnin masa të rrepta kursimi, për t’u siguruar që diçka e tillë nuk do ndodhte më kurrë. Masat e kursimit janë diçka e pakëndshme për t’u gëlltitur. Kufizimi i shpenzimeve. Më pak huamarrje. Si dhe më shumë shlyerje të borxhit.
Duket si zgjidhje e thjeshtë, apo jo? E pra, jo! Nuk është kështu.
Së pari, askush nuk i do masat e kursimit.
Masat e kursimit përkthehen në kufizim të shpenzimeve shtetërore. Dhe meqenëse në çdo ekonomi qeveria është shpenzuesi më i madh, kur qeveria kufizon pret shpenzimet, ul të ardhurat e shumë qytetarëve. Njerëzit humbasin vendin e punës. Dhe revoltohen.
Lindin protestat nëpër rrugë. Dhe masat e kursimit jo domosdoshmërisht e balancojnë në mënyrë automatike buxhetin e një vendi.
Që ta kuptoni, qeveria mbledh taksa bazuar mbi të ardhurat e njerëzve. Ndaj dhe kur këto të ardhura ulen, qeveria mbledh më pak taksa. Ato ende nuk mund t’i paguajnë borxhet e tyre. Dhimbja është aq e padurueshme, sa është gati politikisht e pamundur të arrihet kjo.
Përveç kësaj, ka ndryshime të mëdha kulturore brenda eurozonës. Ndryshime “të mëdha” kulturore.
Gjermania nga ana financiare është shumë e përgjegjshme.
Që prej hiperinflacionit të tmerrshëm që provoi vendi pas Luftës I Botërore, Gjermania tregohet jashtë mase armiqësore ndaj inflacionit. Si dhe shumë e kujdesshme në lidhje me huatë dhe shpenzimet. Në përgjithësi, gjermanët punojnë shumë dhe presin pak nga ana e përfitimeve sociale. Dhe në mënyrë të përpiktë, i paguajnë të gjitha taksat.
Nga ana tjetër, shumë grekë gëzojnë përfitime bujare shtetërore dhe nuk paguajnë taksa. Greqia ka një problem të tmerrshëm. Nuk i ka mbledhur kurrë shumicën e taksave që u vendos qytetarëve të saj. Dhe gjithmonë ka qenë kështu. Futja në zonën euro thjesht e zmadhoi edhe më këtë fenomen.
Sipas pikëpamjes gjermane, kjo s’mund të gëlltitet. Nëse doni paratë tona, ju duhet edhe standardi ynë moral. Ndërsa vendet debitore drejtoheshin nga falimentimi, i gjithë kontinenti europian gjendej në rrezik. Edhe pse ekonomitë e vendeve debitore janë relativisht të vogla, ato përbëjnë një kërcënim të madh për shkak se sistemi financiar europian është tepër i ndërlidhur dhe i ndërvarur. Pikërisht për shkak të euros.
Mos harroni, vendet debitore morën hua nga bankat, investuesit dhe qeveritë e tjera në mbarë Europën. Ndërsa vendet debitore i afroheshin falimentimit, të gjithë ata që u kishin dhënë hua dobësoheshin përherë e më shumë. Dhe kështu më tutje.
Një problem në një vend të caktuar mund të pasqyrohet në të gjithë kontinentin, duke shkaktuar një reaksion zinxhir falimentimesh. Nëse falimenton Greqia, atëherë mund të falimentojë dhe Spanja. Italia, Portugalia dhe Irlanda janë më pas në radhë. Si dhe Franca, dhe Gjermania. Së shpejti, e gjithë kjo mund të përhapet jo vetëm në Europë, po në mbarë botën. Ose Bashkim fiskal, ose Ndarje. Problemi është që edhe sikur vendet debitore të marrin masa kursimi: edhe nëse dorëzania nga Gjermania dhe vendet e tjera më të fuqishme t’i ndihmojë të paguajnë borxhet, si dhe të mënjanojnë krizën imediate, nuk ka një sistem që të parandalojë përsëritjen e gjithçkaje.
Kjo na sjell sërish te ndarja themelore mes politikës monetare dhe asaj fiskale.
Si përfundim, eurozona ka nevojë për një union fiskal që t’i bashkëngjitet unionit monetar. Ose, duhet të ketë një organizim politik me autoritetin për të caktuar politikën fiskale brenda çdo vendi të eurozonës.
Duhet të ketë fuqinë të ulë shpenzimet, të rrisë taksat dhe të vendosë ligje.
Një bashkim fiskal si ky mund të parandalojë me efektivitet huatë dhe shpenzimet e tepërta. Megjithatë, ky është një koncept tmerrësisht i ndërlikuar dhe aspak popullor. Do të thotë t’i dorëzosh sovranitetin një fuqie më të lartë. Në thelb, Shteteve të Bashkuara të Europës. Megjithatë, pa një njësim të centralizuar fiskal vendet do vazhdojnë të bien në deficit, të grumbullojnë borxhe, të ulin vlerën e euros dhe të kërcënojnë qëndrueshmërinë e Europës. A mund të ndërmarrë Europa hapat e nevojshme për të krijuar një bashkim fiskal përgjatë atij monetar? Apo unioni monetar do të shpërbëhet dhe Euroja do të zhduket?

Përktheu: Edion Petriti

You may also like...