Kriza në origjinë: Teoria e rolit të Kinës shkaktare e krizës

Kursi fiks i këmbimit të monedhës kineze Renimbi me dollarin dhe deformimet që krijoi kjo gjë në sistemin botëror të tregtisë e të borxheve, përbëjnë teorinë e parapëlqyer të bankierëve për shpjegimin e krizës ekonomike dhe financiare që bota po përjeton sot. Drejtuesit e bankave më të rëndësishme të planetit e kanë treguar shpesh këtë teori si një mënyrë për të shmangur një pjesë të përgjegjësisë, por kjo nuk ka bindur shumë ekonomistë.

Teoria thotë se mes viteve 1995 dhe 2007, Kina vendosi një kurs fiks mes monedhës së vet renimbit dhe dollarit amerikan. Ky kurs fiks i dha Kinës mundësi të eksportonte mallra të lira pa fund në SHBA. Për të shmangur forcimin e renimbit, banka qendrore e Kinës bleu dollarë. Dollarët i investoi në borxhin publik të Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë në SHBA, Rezerva Federale mbante një normë bazë prej 1 për qind për vite me rradhë. Rezerva Federale kishte për detyrë të mbante inflacion të ulët në SHBA dhe interesat e ulëta teorikisht prodhojnë inflacion të lartë. Por kjo gjë nuk ndodhi sepse mallrat e konsumuara vinin nga Kina dhe përmes mekanizmit të kursit fiks, Kina nuk lejonte shtrenjtimin e tyre. Investimet kineze në borxhin publik amerikan mbanin interesat e bondeve të ulëta, gjë që i lejoi qeverisë amerikane të rriste borxhin pa limit, pasi kostoja e borxhit qe e ulët. Normat e ulëta të interesit për dollarin i dhanë mundësi amerikanëve të merrnin kredi për çdo gjë. Ndërsa normat e ulëta të interesit nuk prodhuan inflacion te çmimet e mallrave të konsumit, ato prodhuan inflacion te çmimet e pronave të patundshme, aksionet e kompanive, pra inflacion të aseteve. Por deri më sot, bankat qendrore janë ngarkuar me ligj të mbikëqyrin ecurinë e çmimeve të mallrave, jo të aseteve. Kombinimi i mallrave të lira nga kina me kredi të lirë bëri që në vitin 2005, konsumi i SHBA qe më i lartë se sa prodhimi. Ndërkohë, lumi i mallrave të prodhuara në Kinë me kosto të ulët dhe që eskportoheshin me çmime edhe më të ulëta si pasojë e kursit fiks, shkaktoi praktikisht eliminimin e të gjithë manifakturës në Europë dhe SHBA.

Kina pranoi një forcim të renimbit në vitin 2007, por bankierët besojnë se ky forcim qe tepër i vogël dhe tepër vonë.

Sipas teorisë së rebalancimit të shkaktuar nga politikat e Kinës, në rast se renimbi do t’i nënshtrohej regjimit të tregut, rritja e eksporteve të Kinës do të shoqërohej me forcim të renimbit, rrjedhimisht rritje të çmimeve të mallrave kineze.

Kursi fiks i këmbimit konsiderohet si burim deficitesh tregtare dhe krizash financiare që pasojnë. Euro, e cila në vetvete është një kurs fiks mes monedhave kombëtare të vendeve anëtare, besohet se krijoi të njëjtat probleme disbalancimi në tregti e në financa.

Përgatiti: Gjergj Erebara

Kriza në Origjinë është një rubrikë e përditshme e “Shqip” për shpjegimin e krizës aktuale botërore. Do të publikohet çdo ditë te faqja e ekonomisë. Tema për 2 dhjetor: “Euro si shkak i krizës”.

You may also like...