Kryeqyteti shqiptar i marijuanës bëhet tym

lazarat (2)Policia shkatërroi plantacionin më të madh të Marijuanës në Europë në fshatin shqiptar të Lazaratit por a po jetonin lazaratasit në luksin e fitimeve nga prodhimi i drogës?

Gjergj Erebara, BIRN

Shtëllunga tymi nga fushat e kanabisit që digjeshin u ngritën mbi fshatin e Lazaratit ndërsa me raste të shtënat e armëve fshikëllonin mbi kokët e policëve që shtypën fshatin që pati qëndruar prej vitesh jashtë ligjit dhe që qe bërë sinonim i krimit të pakontrolluar e që fitoi nofkën e kryeqytetit Europian të marijuanës.

Autoritetet deklaruan të dielën se shkatërruan më shumë se 43 tonë kanabis, 133,291 bimë marijuane dhe fidanë, pesë laboratorë droge si dhe kapën sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh.

Policia financiare italiane thotë se fshati në jug të vendit prodhoi 900 tonë metrikë marijuanë vitin e kaluar, me një vlerë të përgjithshme nëpër rrugët e Europës prej 4.5 miliardë eurosh, pothuajse sa gjysma e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit.

Në një vlerësim më konservator, policia vendëse në Gjirokastër i tha Balkan Insight gushtin e kaluar se fshati ka prodhuar 500 tonë marijuanë.

Për shkak të kultivimit të marijuanës, Lazarati është bërë një fshat i pasur nga standardet e Shqipërisë, por fotot që dolën javën e kaluar nga brenda fshatit nuk sugjerojnë që fshatarët të kenë parë vetë miliarda euro në të ardhura.

Po ku shkuan gjithë këto të ardhura ilegale nga tregtia e marijuanës?

Vlerësimet për shitjen e marijuanës luhaten shumë, në varësi të sasisë dhe vendndodhjes se ku shitet droga.

Autoritetet shpesh i llogarisin të ardhurat nga droga e shitur duke marrë parasysh çmimin për konsumatorin final, por e kanë të vështirë të llogarisin koston e prodhimit, transportit, koston e drogës së kaput nga autoritetet, të cilat ulin fitimet e tregtarëve të drogës.

Të dhënat nga Zyra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Krimin dhe Drogën (UNODC) sugjerojnë se çmimi mesatar i shitjes së marijuanës në Shqipëri është rreth 290 euro për kilogramë.

Të dhëna anektodale sugjerojnë se fshatarët në Lazarat nuk pranonin shitje më të vogla se 100 kilogramë dhe çmimi qe afërsisht sa vlerësohet edhe nga OKB. Nëse statistikat e policisë për drogën e djegur javën e kaluar qenë të sakta, pëër 43 tonët që policia shkatërroi, Lazarati do të mund të përfitonte afërsisht 12.4 milionë euro.

Bimët që policia shkatërroi mund të kishin dhënë 75 tonë të tjera marijuanë deri në fund të verës, me një vlerë të përgjithshme me shumicë prej 290 eurosh për kilogramë dhe me një produktivitet prej 0.5 kilogramësh për bimë, gjithsej 21.75 milionë euro.

Bazuar në çmimin me shumicë dhe vlerësimit të prodhimit të vitit të kaluar prej 900 tonësh, nëse çdo gjë do të shkonte siç duhej dhe e gjithë droga të shitej, fshati do të duhej të gjeneronte 270 milionë euro.

Me një popullatë prej 5 mijë banorësh, Lazarati duhej të kishte Prodhim të Brendshëm Bruto për frymë prej 54 mijë eurosh, një nga më të lartat në Europë. Por a janë banorët e Lazaratit kaq të pasur

Të dhënat statistikore nuk e mbështesin këtë imash prej Eldoradoje të gjelbërt të krijuar nga kultivimi i kanabisit. Të dhënat e mbledhura nga Instituti i Statistikave (INSTAT), nga censusi 2011, sugjerojnë se Lazarati është ndoshta komuna më e pasur në Shqipëri, sërish është shumë larg nga standardet Europiane të mirëqënies.

Lazarati për shembull ka numër shumë më të lartë makinash për familje se sa mesatarja kombëtare. Sipas INSTAT, 67 për qind e familjeve në fshat kanë së paku një makinë ndërsa mesatarja kombëtare është më pak se 25 për qind.

Gjithsesi, Lazarati ka vetëm 170 makina për 1 mijë banorë dhe kjo është shumë më e vogël se sa 679 makinat për mijë banorë që ka Italia.

Siç ndodh shpesh me tregtinë e drogës, jo çdo gjë shkon mirë. Mbjellja e kanabisit në një shfat që gjendet në shpatin e një mali ka kosto të ndryshme, nga fertilizerët te puna, botet me ujë dhe pagesat për zyrtarët dhe policët e korruptuar.

Shumica e parave në biznesin e drogës, siç ndodh edhe me mallrat e tjerë, të ligjshëm apo të paligjshëm, nuk bëhen nga ata që i prodhojnë por nga trafikantët që transportojnë drogën drejt vendeve më me mirëqënie dhe me kontrolle.

Çmimet me shumicë të marijuanës luhaten shumë nga vendi në vend, por të gjitha të ardhurat nga tregtia e barit mund të vlerësohen më lehtë përmes çmimeve me pakicë, të cilat gjithashtu luhaten fort.

Shqipëria dhe Serbia kanë çmimin më të ulët të marijuanës në Europë me rreth 0.8 euro për gram për konsumatorin final, ndërs Islanda ka më të lartin me 28 euro për gram. Në vendet e tjera Europiane, marijuana kushton mes 4 dhe tetë eurove për gram.

Nëse të 43 tonët e barit që policia shqiptare shkatërroi në Lazarat javën e kaluar do të ishin dërguar dhe shitur në Itali, ato do të kishin gjeneruar më shumë se 400 milionë euro.

Megjithëse paratë që u fituan nga fshatarët e Lazaratit për prodhimin e marijuanës mund të jetë një çështje debati, të ardhurat e krijuara nga tregtia e kësaj droge nuk janë të vogla.

Dukshëm ata janë aq të mëdha sa të mbanin larg ndërhyrjen e policisë për më shumë se një dekadë duke përdorur një kombinim të pagesave me armët e zjarrit – deri javën e kaluar, kur fshati në fund  u bë viktimë e suksesit të vet.

You may also like...