Kundërargument! Zgjidhja për Lindjen e Mesme është kthimi i imperializmit

Perandoria mund të ketë dalë mode, por historia na tregon se alternativa e vetme ndaj perandorisë është ai lloj kaosi që ne shohim aktualisht.

Robert D. Kaplan, Foreign Policy

palmyraMegjithëse imperializmi aktualisht ka nam shumë të keq, perandoria ka qenë mjeti themelor i qeverisjes për pjesën më të madhe të historisë dhe kolapsi i perandorive ka qenë gjithmonë një punë plot telashe, qoftë kjo në Kinë apo Indi nga antikuiteti deri në fillim të shekullit të 20, qoftë në Europë pas Luftës së Parë Botërore.

Kaosi që ne shohim në botën arabe sot, me trazira në disa pjesë të Afrikës së Veriut, Gadishullit Arabik dhe në Levant është me të vërtetë për fundin e imperializmit. Pushtimi i Palmirës nga Shteti Islamik, një qytet i lashtë karvanësh dhe një nga vendet arkeologjike më mbresëlënëse nga pikëpamja vizuale në Lindjen e Afërme, thjeshtë sa thekson këtë pikë. Palmira përfaqëson atë se si rajoni historikisht ka qenë përcaktuar nga rrugët tregtare më shumë se sa nga kufijtë e përcaktuar. Pushtimi i Palmirës nga barbarët thjeshtë manifeston se si bota po rikthehet në atë realitet fluid.

Aktualisht janë tri sisteme perandorake kolapsin e të cilave ne po e shohim sot në Lindjen e Mesme.

E para, kaosi i Lindjes së Mesme demonstron se rajoni nuk ka gjetur ende një zgjidhje për pasojat e kolapsit të Perandorisë Osmane pas Luftës së Parë Botërore. Për qindra vjet, sunitë, shia, arabët dhe hebrenjtë, muslimanët dhe kristianët, në Sirinë e Madhe dhe Mespotami patën shumë pak mosmarrëveshje territoriale. Të gjitha ishin nën sundimin e sovranit perandorak në Stamboll, i cili i mbronte ata nga njëri-tjetri. Ky sistem u rrëzua më 1918, duke çliruar djajtë e mosmarrëveshjeve nacionale, etnike dhe sektare mbi kontrollin e territorit apo kufijve.

E dyta, shpërthimi në Irak pas rrëzimit të Sadam Huseinit, shpërthimi në Siri pas Pranverës Arabe dhe ngritja e Shtetit Islamik ka sjellë fundin e kufijve të ndërtuar nga imperializmi Europian, britanik dhe francez në Levant.

E treta, përqasja e Presidentit Barack Obama me heqje duarsh nga këto zhvillime manifeston fundin e rolit të Amerikës si fuqi e madhe në organizimin dhe stabilizimin e rajonit. Dhe Shtetet e Bashkuara, duhet ta mbani mend, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, ka qenë një perandori botërore në të gjitha me përjashtim të emrit. (Ndoshta askush nuk e nxjerr këtë konkluzion të pareharshëm në mënyrë më tërësore se sa historiani i Oksfordit John Darëin në librin e tij të vitit 2007 Pas Tamerlanit: rritja dhe rënia e perandorive botërore, 1400-2000.)

Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për forcat perandorake qe kanë rënë dhe kanë lënë kaos pas. Rënia e Sadam Huseinit në Irak, të Muamar Gadafit në Libi dhe reduktimi i regjimit të Bashar al-Asadit në Siri në gjendjen aktuale të një shteti skelet të lodhur i ka dhënë fund epokës së diktatorëve të postkolionalizmit, sundimi i të cilëve qe i lidhur në mënyrë organike me trashëgiminë e imperializmit. Në fund të fundit, të gjithë këta diktatorë sundonin në kufijtë e ngritura nga Europianët. Dhe për shkak se këto kufij perandorakë shpesh nuk përputhen me kufijtë etnikë apo sektarë, këto regjime diktatoriale kanë nevojë për identitete laike në mënyrë që mbushin hendekun mes ndasive komunale. Dhe kjo ndoshta është zhdukur në mënyrë brutale.

Për fat të keq, e ashtuquajtura Pranvera Arabe nuk qe për lindjen e lirisë por për kolapsin e autoritetit qendror, gjë që nuk thotë asgjë në drejtim të gadishmërisë së këtyre shteteve, artificiale apo jo, për të hyrë në rrugën e demokracisë.

Mes shteteve të prekura nga trazirat, dallohen dy lloje të veçanta. Të parat janë qendra të lashta qytetërimesh. Këto vende kanë qenë shtete në një formë apo në një tjetër që nga antikiteti dhe për rrjedhojë kanë evoluar në forma energjike të identitetit laik të ngritura mbi etninë apo sektin fetar. Maroku, Tunizia dhe Egjipti janë shembujt më goditës të kësaj kategorie. Nëse dikush sheh hartën e vendbanimeve romake përgjatë bregut të Afrikës së Veriut, atëherë do të dallojë se këto vendbanime janë më të shumta pikërisht në këto vende dhe relativisht mungojnë në sipërfaqet e mëdha mes Algjerisë dhe Libisë. Me fjalë të tjera, Maroku, Tunizia dhe Egjipti mund të përkufizohen historikisht.

Pavarësisht se çfarë telashesh apo ndryshime regjimesh ata kanë përjetuar në rrjedhën e Pranverës Arabe, identitetet e tyre si shtete nuk janë vënë kurrë në pikëpyetje. Dhe rrjedhimisht problemet në këto vende kanë qenë mbi çështjen se kush sundon dhe çfarë lloji qeverisjeje duhet të kenë jo nëse është apo jo e mundur të kesh një shtet apo një qeveri qëndrore.

Grupi i dytë i shteteve të Lindjes së Mesme është edhe më i paqëndrueshëm. Këto marrin formën e shprehjeve të vagullta gjeografike dhe ato janë vende me identitete shumë më të dobëta – dhe, në fakt, shumë kanë identitete që janë shpikur nga imperialistët Europianë. Libia, Siria dhe Iraku janë shembujt që bien më shumë në këtë kategori. Për shkak se identiteti në këto raste është i dobët, format më mbytëse të autoritarizmit kanë qenë të nevojshme thjeshtë për të mbajtur këto shtete bashkë. Këtu gjendet edhe rrënjët e problemit të natyrës ekstreme të regjimeve të Gadafit, Asadit dhe Huseinit, të cilët praktikuan nivele të jashtëzakonshme represioni shumë më të rëndë se sa ato të Hosni Mubarakut në Egjipt dhe Zine el-Abidine Ben Ali në Tunizi. Algjeria, gjithashtu një shtet artificial, në thelb i shpikur nga francezët, ka përjetuar sundimin e prapambetur dhe shterpë autoritar dhe tashmë përballet me një tranzicion të pasigurtë duke parë shëndetin në përkeqësim të sundimtarit të vendit  Abdelaziz Bouteflika, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 1999. Jordania gjithashtu është një shprehje e vagullt gjeografike, por ka patur qeverisje të moderuar për shkak të gjenialitetit të Hashemitëve, sundimtarëve të parë të vendit dhe mbështetjes masive ekonomike dhe të sigurisë që ky vend i vogël ka marrë nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Izraeli. Jemeni mund të jetë gjithashtu një qendër e vjetër qytetërimi, por një e tillë e ndarë mes shumë mbretërive të ndryushme për shkak të topografisë së vet të thyer, gjë që e ka bërë gati të pamundur sundimin e këtij territori si një i vetëm.

Vetëm regjime totalitare mbytëse mund të kontrollojnë këto vende artificiale të krijuara nga shprehje të vagullta gjeografike. Dhe kur këto regjime u rrëzuan, ato lanë pas boshllëk të thellë. Kjo ndodhi për shkak se mes regjimit në majë dhe fisit dhe familjes së madhe në bazë, të gjitha format ndërmjetëse të organizimit shoqëror dhe politik janë formëzuar shumë më herët se sa regjimet. Totalitarizmi qe përgjigjja e vetme në fund të imperializmit Perëndimor në këto shtete artificiale dhe kolapsi i totalitarizmit është tashmë themeli i kaosit të Lindjes së Mesme në ditët tona.
Në mes të këtij kaosi në shprehje gjeografike të vagullta, si dhe përreth qendrave të vjetra të qytetërimit që janë dobësuar por në mënyrë jo dramatike, janë ngritur disa fuqi rajonale indigjene të tilla si Irani, Turqia dhe Arabia Saudite. Irani është një qytetërim madhështor dhe i vjetër nga njëra anë dhe një nën-shtet i pamëshirshëm dhe i radikalizuar në anën tjetër. Kjo është ajo që vlen për të parë efikasitetin dhe dinamizmin e Iranit përreth rajonit. Një perandori perse ka qenë e bazuar në një formë apo në një tjetër në Rrafshnaltën Iraniane që nga antikiteti. Kështu, në vend që të përballet me probleme të identitetit politik si arabët, Irani është bekuar me vetësiguri kulturore të krahasueshme me atë të indianëve apo kinezëve.

Në të njëjtën kohë, gjithsesi, grupi i ngushtë i mullahve radikalë që drejtojnë qeverinë e Teheranit përfaqësojnë një nën-shtet të ngjashëm me grupet xhihadiste si Shteti Islamik, Hezbollah, al Kaeda dhe ish Ushtria Mehdi. Kështu Irani është i aftë të veprojë me një dhunti jokonvencionale. Irani ka aftësuar veten te cikli i lëndës energjetike bërthamore, ka trajnuar trupa indirekte radikale dhe të militarizuara në Levant dhe me aftësi brilante ka kryer bisedime me kundërshtarin e vet kryesor, Shtetet e Bashkuara. Në këtë mënyrë Irani trashëgon në mënyrë të pjesshme hapësirën boshe të lënë pas nga zhdukja e perandorive Osmane, Europiane dhe Amerikane.

Nëse Irani është nyja shia e pushtetit në Lindjen e Mesme sektare aktuale, Arabia Saudite është nyja suni. Arabia Saudite, në krahasim me Iranin, është krijimi artificial i një familje të vetme të madhe. Vendi që qeveris familja Al Saud nuk përputhet territorialisht me Gadishullin Arabik në të njëjtën mënyrë siç përputhet Irani me Rrafshnaltën Iraniane. Pavarësisht kësaj, Shtëpia e Saudëve ka lundruar në mënyrë mbresëlënëse në tallazet e fatit për shumë dekada përmes transformimeve të stërmëdha shoqërore në shtëpi dhe situatës plot telashe të sigurisë jashtë vendit. Dhe ndryshimet e shumta të nivelit të lartë në postet drejtuese të organizuara nga mbreti i ri Salman, përfshirë zëvendësimin e princit të kurorës dhe ministrit të jashtëm, sugjeron vendosmërinë absolute të monarkisë për të ndryshuar politikat e veta në mënyrë që të mos lejojë që Irani të dominojë rajonin.

Fushata bombarduese e Arabisë Saudite kohët e fundit kundër fiseve Huthi të mbështetur nga Irani në Jemen dhe intensifikimi i ri i mbështetjes së Riadit për rebelët anti-iranianë në Siri (ndihmuar nga Turqia dhe Katari) është një reagim ndaj asaj që Riani sheh si një rrezik nga marrëveshja bërthamore mes Amerikës dhe Iranit. Për më tepër, Sauditët sakaq po fusin në llogaritë e veta shanset e mëdha për një marrëveshje të tillë dhe për rrjedhojë, bombardimi i Jemenit dhe presioni i kohëve të fundit mbi regjimin pro-Iranian të Asadit në Siri përfaqëson – krijimin e një situate de facto- për marrëveshjen post-bërthamore në Lindjen e Mesme. Kjo marrëveshje, nëse me të vërtetë ndodh, megjithëse është e kufizuar te çështjet bërthamore, do të shihet me disa justifikime si fillimi i një përafrimi më të përgjithshëm mes SHBA-së dhe Iranit: në terma rajonalë, kjo është në fakt një fuqi perandorake në rënie që përballet me realitetin e një fuqie indigjene në ngritje.

Për të përmbajtur Iranin pas marrëveshjes bërthamore, Shtetet e Bashkuara do të kenë nevojë jo vetëm të fuqizojnë Arabinë Saudite, por edhe Egjiptin e Turqinë. Forcat e sigurisë së Egjiptit të cilat janë nën kontrollin de facto të autoritaristit Abdel Fatah el-Sisi janë sakaq në heshtje në aleancë me forcat izraelite të sigurisë në Gaza, Sinai dhe gjithkund tjetër. Amerika ka nevojë për një Egjipt të fortë – demokratik apo jo – si aleat rajonal anti-Iran për të fuqizuar Arabinë Saudite. Ndërkohë Turqia, nën Presidentin Recep Tajip Erdogan zakonisht nuk shihet si një vend pro-Amerikan, por një turqi e fortë në vetvete ndihmon gjithashtu në balancimin kundër fuqisë së Iranit. Përplasja mes këtyre fuqive gjeografike dhe historike për dominim rajonal do të përkufizojë rendin e ri post-imperialist.

Një president i ri në SHBA më 2017 mund të kërkojë të rikthejë ndikimin imperialist perëndimor – duke e quajtur atë me një emër tjetër, natyrisht. Por ai apo ajo do të jetë e kufizuar nga vetë kolapsi i autoritetit qëndror në të gjithë Lindjen e Mesme që filloi me rrëzimin e Sadam Huseinit dhe vijoi nëpër të gjitha vitet pas Pranverës Arabe. Diktaturat e forta arabe nëpër rajon qenë të leverdishme për për interesat amerikane për shkak se ato ofronin një adresë të vetme në çdo vend ku Amerika mund të drejtohej në rast krizash rajonale. Por tashmë ka shumë më pak të tilla. Në shumë vende thjeshtë nuk ka një njeri të vetëm në drejtim me të cilin mund të diskutojmë shqetësimet tona. Kaosi nuk është vetëm një problem sigurie dhe humanitar, por një pengesë e rëndë për projektimin e pushtetit të Amerikës.

Për rrjedhojë, në terma afatshkurtër e ndoshta në terma afatmesëm, Lindja e Mesme ka gjasa do të jetë e zymtë. Shteti Islamik i cili është suni do të luftojë tashmë milicitë shia njësoj si Iraku suni i Sadamit luftoi Iranin shia të Ajatllah Ruhollah Khomeini në luftën Iran-Irak të viteve 1980-88. Ajo luftë, e cila zgjati aq gjatë sa zgjati, përfaqëson në vetvete pjesërisht vendimin e paramenduar të administratës Reagan për të mos ndërhyrë – një shembull tjetër i autoritetit imperialist të dobët, megjithëse shembull i suksesshëm, për shkak se i lejoi Reagon të përqendrohej në Europë dhe ndihmoi për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë.

Në atë kohë, kishim shtete në luftë; tashmë ne kemi nën-shtete. Imperializmi krijonte rend, sado negativ që ë ishte. Sfida tashmë nuk është aq shumë se si të themelohen demokraci se sa si të rikthehemi te rendi. Pa rend nuk ka liri për askënd.

You may also like...