Kur gratë shfrytëzojnë meshkujt, triumfon Marksizëm-Leninizmi

575541_385049394887121_831405437_nGjergj Erebara

Në kohën e Komunizmit, u shpall se gratë duhet të jenë të barabarta me burrat. Të barabarta, nuk do të thotë automatikisht “të lira”. Gratë u “lejuan” dmth u detyruan të vuajnë njësoj si burrat, me raste edhe më shumë. U bënë punëtore fabrike, u dërguan në zbore, iu vunë punës të qëllojnë me pushkë apo të hapin llogore, si dhe u nxitën që të demaskojnë burrat me prirje prapanike.

Kjo nuk nënkuptonte të drejtën për të veshur minifund, për të bërë seks apo për të zgjedhur sa fëmijë dhe kur t’i bëjnë fëmijët. Barku i tyre qe pronë e shtetit. Ai duhej të mbante sa më shumë fëmijë të qe e mundur, përveç punës së zakonshme në fabrikë, kantiere ndërtimi apo në fusha.

Tetë Marsi qe festa kur grave u jepej trajtim i veçantë, një drekë apo një lule, një farë harbimi në kolektiv grash. Për 8 mars u jepej e drejta t’i jepnin duart burrave e të dilnin pa ta. Por vetëm më 8 mars.

Tashmë barazia gjinore, që gjithsesi vijon të mos na paraqitet si prirje për liri, ka fituar vlera të reja propagandistike. Para nja dhjetë vjetësh, OKB nxiti gazetat nëpër botë të bënin për një ditë kryeredaktore një gazetare, por vetëm për një ditë e vetëm për dukje. Jo pse gazetarja mund të jetë po aq e zonja për kryeredaktore sa gazetari, por se ajo qe grua.

Vijoi pastaj me luftën për “barazi” në përfaqësimin politik. Burrat u detyruan me ligj që përveç që të zgjedhin klonë meshkuj për deputetë, të zgjedhin edhe 30 për qind klonë femra.

Nën mësimet e Shkollës për Kuadro të Partisë së Punës, të cilat imponojnë që përfaqësuesit e partisë duhet të jenë gjithmonë më të këqin se sa kryetari i partisë, edhe politikanët tanë të sotëm bënë pikërisht këtë gjë. Gratë e zgjedhura prej tyre për politikane kishin për detyrë të vuajnë njësoj, ose mos më keq se sa burrat. Ato duhej ta duronin përdhunimin jofizik nga kryetari i partisë më shumë se sa burrat e partisë. Pra propaganda e shitur si “barazi gjinore” por kurrë si “liri”, na i bëri gratë më shumë burra dhe burrat, më shumë gra. Ky qe ai triumf i politikave të partisë që vijon të na përndjekë edhe sot.

Një fotograf që u mor me fotografitë për postera të politikanëve dhe politikaneve në vitin 2005, kur kishte për herë të fundit garë reale individuale në zgjedhje, e përshkroi punën e tij me këto fjalë: “Detyra ime është që t’i nxjerr në fotografi burrat si gra dhe gratë si burra”. Dhe kështu u bë. Burrat u nxorrën me buzëqeshje joshëse, me fytyrë të pastruar nga rrudhat dhe me lëkurë të lëmuar me pudër të bollshme që dukej që larg. Gratë u nxorrën me buzëqeshje që nuk duhej të dukej sensuale. Partia kishte nevojë për gra të forta, njësoj si burrat. Partia kishte nevojë edhe për burra jo aq të fortë, njësoj si gratë.

Tashmë na raportohet se nëpër klube luksi në Tiranë, ku një pije kushton aq sa paga ditore e një punonjësi apo punonjëseje të pakualifikuar, gratë zhvillojnë më 8 mars festa ekskluzive dhe përjashtuese për bashkëshortët, me kërcime erotike nga meshkuj gjysmë të zhveshur. Përgjatë historisë së njerëzimit meshkujt kanë patur më shumë mundësi të shfrytëzojnë femrat e pafat për seks apo kërcime erotike. Një minorancë grash tashmë ia ka dalë të arrijë “barazinë”, dmth të shfrytëzojë meshkujt në të njëjtën mënyrë.

Propaganduesit komunistë duket se po gajasen në varr me këto skena. Ideja e tyre për t’i përdorur burrat për të dhunuar gratë dhe gratë për të dhunuar burrat, u realizua.

You may also like...