Kur je hajdut i pashpresë, ekstremizmi është e vetmja shpresë

Editorial

Ilir Metës i nevojitet ekstremizmi, siç i nevojitet çdo hajduti një justifikim moral për gjërat që bën. Ilir Metës i nevojitet Enver Hoxha, jo se është Enverist, por se është i gatshëm të kapet pas çdo fije shprese për të mbijetuar si dhe për të justifikuar atë që ka bërë. Ilir Metës i nevojitet komunizmi, jo pse është komunist, por sepse nostalgjikët e komunizmit shqiptar janë aktualisht pa udhëheqës, dhe janë të gatshëm të pranojnë një hajdut për të tillë.

Është pikërisht për këtë arsye që Ilir Meta po e rigjall komunizmin dhe luftën nacionalçlirimtare, si një armë e dyfishtë, mbijetesë politike në një cep të spektrit politik dhe kërcënim për pjesën tjetër të shoqërisë.

Shfaqja e organizuar në Përmet me thirrjet “Enver Hoxha – Enver Hoxha”, nuk qe thjeshtë një shfaqje nostalgjie apo mohim krimesh të komunizmit, ajo qe edhe një kërcënim i hapur për pjesën tjetër të shoqërisë. Ilir Meta po përdor komunizmin për t’i dhënë një justifikim dhunës së tij ndaj maxhorancës së shoqërisë shqiptare, dhunë që deri tani ka qenë e justifikuar thjeshtë në emër të babëzisë për të vjedhur. Ilir Meta po përdor komunizmin për të na dhënë një sinjal të qartë ne të tjerëve, se ai mund të përdorë të njëjtat metoda me ato të Enver Hoxhës për të mbrojtur pushtetin e vet.

I izoluar dhe injoruar tërësisht nga ndërkombëtarët dhe i përbuzur nga shqiptarët, Ilir Meta nuk ka zgjidhje përveçse të shkojë në burg me këmbët e veta, ose të kërcënojë çdokënd që i del përballë me shpresë se do të mbijetojë edhe një herë tjetër. Komunizmi është arma që ai ka zgjedhur për të shantazhuar shoqërinë shqiptare.

E hamë apo nuk e hamë ne këtë kërcënim, kjo na takon ne për të vendosur. Vetëm se kujdes! Ahmet Zogu e qeverisi Shqipërinë duke përdorur paratë e buxhetit të shtetit për të blerë çdo shqiptar me peshë si dhe për të vrarë apo burgosur çdo shqiptar që nuk shitej. Enver Hoxha përdori të njëjtën metodë, por anoi edhe më shumë nga vrasjet dhe burgosjet se sa nga blerjet. Ne nuk do të na e falë historia të tolerojmë një diktator të tretë.

 

Nëse je dakord me këtë, ju lutem share.

Firmos peticionin këtu:
http://www.avaaz.org/en/petition/Une_denoj_krimet_e_komunizmit_dhe_Enver_Hoxhes_Te_denojme_krimet_e_Komunizmit/?cdHjzfb

You may also like...