KUR VIKTIMA KONSIDEROHET BISHTPËRDREDHUR

Gjergj Erebara

Në vitin e largët 1967, një vajzë në Tiranë, në vit të fundit në gjimnaz, i shkruan një letër shokut Enver. Ajo i përkiste gjeneratës së parë të shqiptarëve që patën lindur dhe qenë rritur me pushtetin komunist. Vajza i tha shokut Enver se kishte një problem. Qe fejuar me një djalë inxhinier, i cili e pati braktisur, me argumentin se nuk qe e virgjër. Jo vetëm kaq, por po fliste lartë e poshtë duke e përgojuar.

Shoku Enver urdhëron hetime për rastin përmes partisë së ndërmarrjes ku punonte djali. Partia e merr vajzën në pyetje, në prani të 15 burrave dhe mëson se vajza qe abuzuar nga burri i motrës që në moshën 13 vjeçe.

Ndokush do të mendojë se në këtë rast qe zbuluar një vepër penale rrëqethëse, e dënueshme me ligjet e kohës dhe me zakonet e mira.

Por jo! Për Shokun Enver dhe për partinë e ndërmarrjes, problemi qe gjetkë. Problemi qe si të mbyllej pa zhurmë “imoraliteti” i ndodhur. Askush nuk mendoi ta ndalonte dhunuesin të dhunonte vajza të tjera. Askush as nuk e imagjinoi diçka të tillë. Por nuk qenë vetëm burrat e partisë që e shihnin viktimën si një vajzë bishtpërdredhur. Dukshëm ne shqiptarët kemi diçka që nuk shkon.

Kjo dhe shumë raste të tjera me vajza e gra që i çonin letra Shokut Enver, u mblodhën në një dosje dhe sot gjenden në arkivin e shtetit. Luljeta Ikonomi dhe Shannon Woodcock kryen një studim mbi këtë dosje që pritet të publikohet në janar.

“Vetëm thuaje qartë… gratë trajtojnë gjithashtu motrat, vajzat e shoqet e veta në këtë mënyrë… ose i thonë atyre se të qenit e abuzuar është normale. Në çdo nivel të shoqërisë, gratë mbrojnë rrisin e ushqejnë dhe mbështesin burrat që abuzojnë…”, tha Woodcock dje ndërsa vendi kaloi përmes një debati me intensitet të ulët mbi letrën e lutjes së disa shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë për t’i falur një pjesë të dënimit Nazime Vishës, vajzës që vrau dhunuesin.

Woodcock ka bërë shumë intervista lartë e poshtë Shqipërisë për të kuptuar se si shoqëria shqiptare trajton rastet e viktimave të krimeve seksuale. Në studimin e saj, përdhunuesit dënoheshin me “transferim”. Viktimave u jepej mundësia “të heshtnin”. Në një rast, zgjidhja e problemit e rekomanduar nga shoku Enver qe që përdhunuesi të pranonte të martohej me viktimën e krimit të vet.

Ky nuk qe një problem ligjor. Vendi i kishte ligjet për të dënuar këto krime. Por ajo që mungonte, qe të qenët njeri.

Gjashtë shkrimtarë dhe artistë, për ironi të fatit, katër zotërinj dhe dy zonja, nënshkruan një letër lutjeje për institucionet, duke i kërkuar mëshirë për Nazimen. Ajo është dënuar për vrasje të shkallës së parë. Konteksti në të cilin ndodhi krimi nuk është marrë parasysh. Për sistemin shqiptar të drejtësisë, duket sikur ajo nuk është dhunuar kurrë, se marrëdhëniet seksuale mes një 13-vjeçareje dhe një 40-vjeçari, kanë qenë diçka normale, akshe-akshe, për faj të fëmijës.

“Vetëm thuaje qartë… gratë trajtojnë gjithashtu motrat, vajzat e shoqet e veta në këtë mënyrë…” – tha Shannon.

Ka diçka më të tmerrshme këtu sesa tragjedia e një vajze banore e një prej zonave më të mjera të Shqipërisë. Është fakti që ne dëgjuam për këtë tragjedi, sepse viktima kreu një vrasje. Në rast se ajo nuk do ta kishte kryer vrasjen, shoqëria shqiptare nuk do të kishte nevojë të shqetësonte veten me një problem të tillë. Madje, as nuk do të kishte nevojë që Kadare, Agolli, Mula, Lleshanaku, Marku e Papavrami të shqetësoheshin. Veçse në këtë rast televizionet do të kishin një spektakël më pak për t’u marrë.

“…u thonë atyre se të qenët e abuzuar është normale”.

Publiku i gjerë nga ana e vet duket se e paska harruar ngjarjen e debatuar me aq intensitet kohë më parë kur ndodhi vrasja. Shumë kanë akoma dilemën se mos vajza qe përgjegjëse dhe e vetëdijshme për çfarë i ndodhi në moshën 13 apo 14 vjeç. Ka shumë lajme në Shqipëri, është një vend që prodhon më shumë lajme sesa mund të konsumojë.

Institucionet shtetërore kanë pasur një debat disa vite më parë në rrafshin juridik. Anëtarët e Gjykatës së Lartë janë mbledhur për të diskutuar nëse prishja e himenit të një minoreneje me gishta përbën akt pedofilie apo duhet të trajtohet si “akt i turpshëm”. Aranita Brahaj e zbuloi këtë debat kafkesk ndërsa hetonte mënyrën e trajtimit të pedofilisë në sistemin shqiptar të drejtësisë.

Kjo pra është ajo çfarë po flasim. Mënyrën se si ne si shoqëri e trajtojmë dhunimin seksual të minorenëve, por edhe të rriturve. Kur është vajzë, ajo patjetër që është përgjegjëse. Dhe kjo është çfarë duhet të ndryshojë me lirimin me kusht të Nazimes. Një shans i dytë për një vajzë për të cilën shoqëria shqiptare nuk qe aty për ta mbrojtur në moshën 13, 14, 15 apo 16-vjeçare. Por qe aty për ta ndëshkuar ashpër kur ajo mori një kallashnikov të ndryshkur për të përcaktuar mbrojtjen e vet.

Në fakt, shoqëria dhe institucionet shqiptare, Presidenti i Republikës, do t’i bëjë nder vetes me një akt faljeje. Nënat, motrat dhe shoqet do t’i bëjnë një nder vetes duke kuptuar se çfarë turpi kanë bërë deri tani, duke e konsideruar krimin seksual si problem, përgjegjësi dhe faj të viktimës. Do të jetë një shans i mirë që dhunime të tilla në të ardhmen të mos përfundojnë në vrasje, ose me heshtje, por në dënimin e dhunuesit.

Botuar ne Gazeten Shqip

You may also like...