Kurva dhe Vetëvendosje!

Flirtet e kreut të Vetëvendosjes me grupime ekstremiste, nga nacionalistët e skajshëm te fetarët radikalë, duke se po vulosin fatin e lëvizjes në përfaqësimin e injorantëve, histerikëve dhe psikopatëve, rrjedhimisht, duke sjellë izolimin nga pjesa e shëndetshme e shoqërisë. Mbi të gjitha, këto qasje flasin për sinqeritetin dhe moralin e tij të diskutueshëm

Nga Ervin Qafmolla

Braktisja e Lëvizjes Vetëvendosje nga deputetja Alma Lama ka gjasa të kalojë pa shumë ceremoni. Lama, në fakt, përshkroi në mënyrë shumë elokuente arsyet e largimit të saj: polarizimi i dhunshëm i aksioneve të Vetëvendosjes, si dhe rasti i fundit, kur ajo u bë pre e ofendimeve të ndyra nga elementë ekstremistë fetarë në Kosovë. “Prandaj të heshtësh apo me vetëdije të mbash qëndrime relativizuese ndaj synimeve te grupacioneve të tilla, që kërcënojnë, prodhojnë gjuhën e urrejtjes, linçimit publik, fanatizmit, fondamentalizmit, antishqiptarizmit, që bëjnë diversion kombëtar, për mendimin tim është e pajustifikueshme”, shkruan Lama ndër të tjera.

Por, Vetëvendosja është e ngadaltë në reagime për kësi rastesh. Në fund të fundit, kjo lëvizje ka një praktikë të heshtjes mbi ato zhvillime që nuk i bien për shtat. Më kujtohet rreth një vit më parë, kur një përkrahës i kësaj lëvizjeje qëlloi me shpullë (në Kosovë i thonë “flakaresh”) në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, një muzikant rom sepse ai nuk po këndonte në gjuhën shqipe në një koncert të organizuar nga Tirana Ekspres. Grigja e nacionalistëve, ku bënte pjesë edhe Albin Kurti, sapo ishin kthyer nga një festë e organizuar me rastin e një fushate të “Bli Shqip”, në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Me konsumimin e këtij sulmi të rëndë nga elementë fashistë, të atashuar pranë strukturave partnere të Vetëvendosjes, lëvizjes kosovare iu kërkua të “distancohej nga kjo vepër e rëndë dhe ta dënonte atë”, duke qenë se Kurti ishte superstari dhe strumbullari i asaj mbrëmjeje. Duhet të jemi të qartë: nuk u kërkua në asnjë çast pranimi i ndonjë përgjegjësie direkte nga Vetëvendosja, por u kërkua pikërisht e kundërta. Vetëvendosja nuk reagoi kurrë, por në vend të kësaj, Albini shkoi dhe takoi personalisht dhe jopublikisht, muzikantin e dhunuar duke i kërkuar falje, pra duke pranuar përgjegjësinë.

Ka një arsye pas mosdënimit publik nga Albin Kurti të këtij akti turpërues dhe thellësisht racist. Një pjesë e mbështetësve të Vetëvendosjes – dhe pikërisht ata që hedhin gurë e tulla dhe që janë të gatshëm të marrin pishtarët e linçimeve publike për hir të “Shqipërisë së Madhe”, çfarëdo mund të nënkuptojë kjo e fundit – janë hiena të egërsuara që udhëhiqen nga dhuna e injoranca. Nacionalizmi është i tillë – nëse i hyn asaj rruge nuk ka kthim pas. Është si heroina, një herë që e ke filluar bëhesh drogaxhi. Albin Kurti që flet për drejtësi, përfshirje dhe përfaqësim qytetar, ka lejuar në radhët e mbështetësve të tij, idiotë radikalë dhe ekstremistë. Me vetëdije apo jo, ai e pranon këtë lloj “drejtësie”, duke përfshirë llumin bashkë me të ndershmit, dhe ka pranuar të përfaqësojë e të përfaqësohet nga fashistë të devotshëm.

Muzikanti rom që u dhunua nga të tillë elementë pro-Vetëvendosjes dhe të amnistuar prej saj, nuk e pati shansin të vetëvendosë për racën, kulturën, mesazhin e popullit të tij. Nuk e pati rastin ta përçojë mesazhin universal të njerëzores së kudondodhur, i vënë përballë murit të harbimit nacionalist dhe dhunës që kurdoherë e pa asnjë përjashtim historik i bashkëngjitet atij. Ndjesa personale e Albinit vlen sa një bisedë e mirë mes dy burrash, por nuk jep asnjë shembull apo mesazh publik për çka Vetëvendosja përfaqëson. Duke zgjedhur të heshtë, ai indirekt promovoi kulturën destruktive të intolerancës dhe racizmit, apo çdo lloj tjetër superioriteti gjenetik që përligj dhunën dhe linçimin. Nga ku, kthehemi te Alma Lama, rasti i së cilës është shumë i ngjashëm.

Ajo reagoi ndaj një ligjërate të ndyrë të hoxhës Irfan Saliu, i cili përveçse përdorte në mënyrë inflacionues termat “kurvë” dhe “rruspie” për çdo femër që kishte kryer seks para martese, i referohet femrave përgjithësisht si “sende”. Asnjë fjalë për mëshirën e Zotit, asnjë fjalë për pendimin, asnjë fjalë për mirësinë që më i Larti ka vendosur në secilin prej nesh. Asnjë keqardhje apo shpresë. Irfan Saliu nuk foli as si hoxhë e as si musliman, por si rrugaç ordiner. Alma Lama pati kurajën të reagonte ndaj kësaj ndyrësie që nuk mund të jetë kurrsesi përfaqësuese e një shoqërie normale dhe as e Islamit dhe mesazhit botëror të tolerancës që ai ka përcjellë, por që vazhdimisht është uzurpuar nga imamë të tillë që thonë për femrat e “përdorura”: “Nxirrini plehrat jashtë”. Lama, foli për të gjitha ato gra që nuk pranojnë të quhen kurva, sepse kanë kryer akt seksual para martese. Vërtet, ajo është edhe autorja e një artikulli naiv dhe stereotipik për shaminë (publikuar para përplasjes me Saliun), ku spikat histeria feministe dhe paragjykimi thelbësor dhe tërësisht i anshëm ndaj një të drejte të zbatimit të fesë, por kurrsesi një opinion, sado i gabuar, nuk mund të jetë arsye e përndjekjes dhe linçimeve publike barbare.

Ajo u shndërrua në tabelë qitjeje të radikalëve fetarë, mbështetës edhe të Vetëvendosjes, apo më së paku, një pjese e votuesve injorantë të kësaj lëvizjeje. Forumi Rinor Musliman i Kosovës (FRM) tha se Lamën “e solli fati nga katundet e Shqipërisë në Kosovë, dhe nuk e çoi si shumë nga shoqet e saj në semaforët e Italisë si prostitutë… Sikur të ishte në Shqipëri ajo do të vuante për bukën e gojës por në Kosovë merr rrogë nga taksapaguesit kosovarë! Alma Lama nuk përfaqëson popullin e Kosovës dhe asaj duhet t’i hiqet leja e qëndrimin në vendin tonë e të kthehet në katundet e Krujës nga ka ardhur”.

“Alma Lamaj me paturpësinë më të madhe jo vetëm që sulmon një qytetar të Kosovës por na jep mend ne kosovarëve edhe për «traditat tona». E pyesim Almën, babai i të cilës e ka emrin komunist – Bashkim – për çfarë tradite e ke fjalën? Për traditën e Enver Hoxhës dhe kurvave të tija partizane? Për traditën e kurvave të semaforave të Italisë? Për traditën e Big Brotherit që keni në Tiranë ku si-shoqet e tua bëjnë seks në publik? Për traditën e krimit, rebelizmit, drogës që ju keni zhvilluar në Shqipëri? Traditën e kurvërizimit të grave? Atë traditë mbaje vetë znj. Alma Lama. Ajo traditë është kafshëri e ne jemi njerëz me turp dhe me moral”, thuhet në reagim. Më tutje, ky Forum i rekomandon Lëvizjes Vetëvendosje, që siç thonë ata, “të pastrojnë Lëvizjen e tyre nga refugjatët e Shqipërisë”. Rastësisht edhe im atë quhet Bashkim, ndërsa im gjysh (dhe babai i tim eti), Tahsimi, u fut në burg nga komunistët.

Çfarë mbrojtjeje mori Alma nga Albini? Vetëvendosja lëshoi një komunikatë standarde dhe tepër të butë nën mesataren e deklaratave të saj normale, duke kërkuar nga Lëvizja Islamike Bashkohu, që të distancohet nga shkruesi i njoftimit në emër të Forumit Rinor Musliman, meqë i takon edhe këtij subjekti politik. Vetëvendosje ka shkruar (ishte email) se kërcënimet drejtuar Alma Lamës “do të hasin në një kundërpërgjigje qytetare, transparente e të drejtë, dhe nuk do të kenë asnjë sukses”. Të njëjtët që u vënë flakën shesheve, në këtë rast lëshuan një deklaratë formale që po të mos kishte emrin Vetëvendosje, do mendohej se e kishte lëshuar Eulex.

Përveç psikopatëve nacionalistë, Vetëvendosja po lejon të shkojnë të patrazuar edhe tumoret ekstremiste fetare. Sipas logjikës së menjëhershme të votave dhe egërsirave që ushtrojnë dhunë rrugëve, Albini ka të drejtë. Një pjesë e konsiderueshme e mbështetësve të Vetëvendosjes, ndonëse jo shumica, janë të tillë: injorantë ekstremistë. Por këto dinamika janë shumë larg ndaj asaj që Albini me shokë promovojnë. Janë larg asaj çka Vetëvendosja supozohet të jetë, dhe nuk i shkojnë aspak për shtat, ikonës së steroidizuar të Albinit që kinse vuan e rropatet për Kosovën e lirë dhe normale. Albini tregoi dhe një herë se është burracak dhe oportunist. Tregoi se nuk gëzon shtatin e vërtetë e të një udhëheqësi që jo vetëm i mbron të “tijtë”, por që mbi të gjitha arrin të ndajë shapin nga sheqeri dhe që në fund të fundit, zgjedh të ruajë një farë dinjiteti dhe ndershmërie.

Albin… shumë baste u vunë për ty, por dhe ti dole thjesht një tjetër lider i etur për pushtet dhe i varur kryekëput nga vota dhe nga miratimi i më të lodhurve dhe të zvetënuarve ndër ne. Çfarë dinjiteti tregove me romin e dhunuar dhe me Almën; çfarë drejtësie dhe përfaqësimi dëshmon duke heshtur ndaj poshtërsive që të përfshijnë me dashjen tënde indirekte? Ti që nuk mbron as deputeten tënde kur e quajnë kurvë! Ky është termi që i vunë Almës, por që në fakt të tjerë brenda partisë tënde e meritojnë. Nuk e di në Kosovë, por këtej në Shqipëri, termi “kurvë” nuk përdoret vetëm për femrat. Ne disponojmë dhe përdorim kur paraqitet i nevojshëm edhe “burrë kurvë”. Kjo, sa për të thënë se rrugës kemi mësuar të jemi disi më universalë.

You may also like...