Kush jemi e pse po dalim në protestë

images (2)Në kohët e vjetra, thuhej se peshku qelbej nga koka!

Do të na pëlqente të ishte kështu, por në fakt nuk është. Kur qelbet koka, mjafton ta presim. Por në këtë vend që ne e quajmë shtëpi, vendi ku jetojmë, dashurohemi, bëjmë fëmijë dhe vdesim, në fakt peshku është qelbur i tëri. Nga koka e bishti, luspë për luspë, i tëri është i qelbur. Kemi kokën, të përfaqësuar nga krerët e mëdhenj të politikës, të cilët na shfaqen me emra të ndryshëm, por që kanë të gjithë surratin e derrit të panginjur. Por kemi edhe sytë e mbufatur nga qelbi që janë prokuroria dhe gjykatat. Ndonjë luspë nga trupi i shoqërisë sonë të kalbur mund të ketë shpëtuar, ose mund të jetë kalbur më pak.

Sot, pak luspa nga ato që kanë shpëtuar nga kalbja, do të dalin në një protestë. Protestë për shkak se një grusht horrash që quhen gjykatës mendojnë se katër vetë u vranë më 21 janar 2011 nga rastësia. Askush nuk i vrau ato. Kjo është çfarë thonë këto horra.

Ata, në fakt nuk janë as horra. Janë disa prostituta të marra me qera. Emrat e tyre janë: Besnik Hoxha, Ardjana Beraj dhe Arjana Gumbardhi. Ata janë tre prostituta nga një liste të gjatë prostitutash. Ata e bëjnë të bardhën të zezë dhe të zezën të bardhë. I japin të drejtë atyre që kanë para dhe i plasin në burg ata që nuk kanë. I marrin pronën tjetrit si të ishte një biskotë, dhe për të fshehur grabitjet e tyre, ia shesin veten si prostituta të shtrenjta atyre që ne i quajmë koka e qelbur e vendit.

Vendi që ne e quajmë shtëpi, ka një histori të gjatë vrasjesh. Por Shqipëria ka një listë po aq të gjatë qëndrese njerëzish të vetmuar, të cilët nuk pranuan të qelbeshin. Shumë u kalbën nëpër burgje apo në varre pa emër, por nuk u qelbën. Kjo është një diferencë e madhe.

Në kohën e komunizmit, na thanë se vrasjet nuk i bënë vrasësit, por i bëri sistemi. Ne e bëmë gabimin fatal që nuk i plasëm në burg vrasësit. Sot përballemi me të njëjtën situatë. Katër vetë u vranë sepse morën pjesë në një protestë. Duhet të jemi të qartë për këtë: protesta qe e dhunshme dhe ata që ushtruan dhunën, e organizuan, paguan apo nxitën atë, duhet të marrin ndëshkimin në përshtatje me dëmin që bënë. Por po kaq të qartë duhet të jemi kur flasim për katër të ekzekutuar. Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nikaj nuk qenë politikanë. Ata u ekzekutuan që ne të tjerët të ulnim kokën e të mos protestonim.

Nesër, ne apo fëmijët tanë do të përballen sërish me të njëjtën situatë. Do të përballen me të njëjtën situatë në rast se ne qëndrojmë mënjanë.

Qeveria, ose më saktë, qeveritë, na kanë grabitur shancin për të patur një jetë më të mirë, një shtëpi më normale që ne e quajmë atdhe. Na kanë hequr shancin që ne t’i themi pasardhësve tanë se ne jetuam me dinjitet, se menduam të lirë dhe protestuam kur nuk na pëlqeu.

Problemi më i madh i tyre nuk është kundërshtari politik, por është kundërshtari jopolitik. Problemi më i madh i tyre është populli. Problemi më i madh i tyre jemi ne.

Ne nuk kemi ndër mend të marrim pushtet, as të grabisim dhe aq më pak, nuk na shkon mendja të vrasim. Rrjedhimisht, kur ndokush del për të bërë një protestë jopolitike, e kanë siklet të madh dhe bëjnë gjithçka që ta paraqesin atë si konkurrencë e rëndomtë politike.

Luspat e paqelbura janë bërë anormalja. Ne jemi bërë qeniet e çuditshme, një mish i huaj në trupin e kalbur të shoqërisë shqiptare.

Ne do të protestojmë sot jo për të marrë pushtet, jo për të rrëzuar dikë nga pushteti apo për të vënë dikë tjetër në pushtet.

Ne kemi dalë sot për të thënë se ne jemi normalja, ne jemi shqiptarët. Ne nuk do ta ulim kurrë kokën. Ne kërkojmë të drejtën tonë natyrore për të jetuar të lirë. Ne kërkojmë shpagimin e vrasjeve dhe deklarojmë se sado i fuqishëm të jetë vrasësi, sado gangsterë të ketë përreth vetes, sado miliona të ketë vjedhur nga paratë tona, nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit.

Në burgun e Spaçit, tregohet një histori kur ish ministri i brendshëm i kohës, një vrasës si shumë të tjerë, pyet një prift françeskan se çfarë do të bënte ai po të ishte në pushtet, se çfarë do t’i ndodhte ministrit. Prifti i tha se nuk do t’i bënte asgjë. “Ne,” i tha ai, “nuk jemi si ju.”

Ne sot i themi vrasësit që ka nofkën kryeministër se ne nuk jemi si ai. Edhe sikur të jetë tërësisht i pambrojtur dhe pa asnjë gangster rreth vetes, ne nuk do ta vrasim. Thjeshtë do ta shikojmë me përbuzje. Do ta shikojmë me përbuzje siç i shikojmë me përbuzje hajdutët e asaj që e ka nofkën opozitë.

Ne jemi këtu për t’i thënë trashëgimtarëve tanë se ne nuk ikëm si dele. Ne nuk vdiqëm në heshtje.

You may also like...