Kushtrim për drejtësi

“Mos dëshironi atë që i përket fqinjit tuaj” (Dhjetë Urdhëresat)
“Le të mos jemi mburravecë, duke provokuar dhe duke pasur smirë njëri-tjetrin.” (Galatasve 5;26)

Siç thotë edhe Dante “prej nga zilia ka hedhur sundimin e saj mbi kë botë.” (1.111)

10675789_561786727281752_4749970837404773586_nZilia, është një nga shtatë mëkatet e mëdha të njeriut, prandaj nuk duhet të jeni ziliqar. Ndokush prej nesh është treguar i tillë këto muajt e fundit ku emri i shumë përfolur i z. Fullani, është trajtuar nga turmat popullore jo pak herë duke u përqeshur. Kjo e fundit ka ardhur nga zilia, që ne si shoqëri kemi ndaj të bukurës dhe aftësisë.

Pikërisht kështu të nderuar, si shoqëri nuk kemi arritur dot kurrë që t’i bëjmë ballë kësaj plage shpirtërore duke nëpërkëmbur kështu figura dhe profetë që populli jonë i ka patur mes nesh por që i ka degdisur larg. Kështu, me paturpësinë tonë të madhe ne degdisëm larg një prej profetëve të ekonomisë sonë. Një njeri të cilit Zoti i kishte dhënë jo vetëm inteligjencën e pamatë por edhe bukurinë e pakufijshme.

Ky njeri, siç e dimë, u dënua pikërisht nga zelli i tepruar i disa farisenjve që kinse kujtuan se po zbatojnë ligjin por që në fakt po e përdhosnin atë. Në mes të kësaj katrahure të paktë ishin ato zëra, që ngritën furishëm tonet e tyre në mbrojtje jo të mikut, atdhetarit dhe ekonomistit sypatrembur që udhëhoqi me aftësitë e tij mbinjerëzore anijen e Bankës Shqiptare nga një stuhi në detin e paqshëm të mrekullisë ekonomike. Mrekulli që natyrisht kulmoi me vendosjen e vendit tonë si të dytin pas Gjermanisë.

Por, inati dhe urrejtja që karakterizojnë shpirtin e brishtë të popullit tonë edhe një herë prevaluan ndaj mirësisë së këtij shpirtmadhi. Kështu, një grup prej popullit u ngrit në protesta në formën e peticioneve dhe e rrethuam anijen të cilën guvernatori sypetrit e kish udhëhequr për dhjetë vite nga njëri sukses në tjetrin. Me paturpësinë më të madhe, ne firmosëm një peticion për shkarkimin e tij dhe kulmi qe kur një mbrëmje policët të komanduar nga urrejtja jonë patologjike ndaj të mirit e arrestuan.

E ku e arrestuan? Atje, pranë zyrës së tij. në dëshminë e policit që e arrestoi flitej se sytë i kishte të skuqur ngaqë kishte punuar deri natën vonë për të mbajtur në jetë ekonominë vitale të vendit tonë duke përmbushur ëndrrën e kryeministrit aktual, pra për ta kthyer këtë vend me njerëz shpirtkazmë në parajsën e rilindur.

Njësoj si hebrenjtë vite më parë edhe ne, popull mistrec e ziliqar, iu vërsulëm ndershmërisë, dashurisë, precizonit, meritokracisë dhe dinjitetit më të lartë njerëzor. Por, drejtësia nuk vonoj. Ajo, ishte aty kur u desh të shihte të vërtetën që shndërrinte në mes të errësirës së qelisë. Ndaj ky arrestim i paligjshëm edhe ky sulm e gjygje popullore i cili nuk erdhi nga ndonjë fakt i rëndë mbi trupin e shpirtin e të lartësuarit Guvernator, u rrëzua dhe z. Fullani nuk është më në qeli.

Por, mirësia e tij nuk ka fund. Prej shtëpisë së tij, ku flet vetëm me familjarët ai ka përçuar shenja dashurie edhe ndaj atyre që në mënyrë harbute e sulmuan. E kështu, si një shpirt njeriu qëështë ai i fali të gjithë ato që e kishin sulmuar, madje u ktheu dhe faqen tjetër duke u thënë “A mos doni të më dënoni për ndonjë gjë tjetër”?

Prandaj, të nderuar, duhet të jemi ne të cilët duhet ta nderojmë një njeri të shenjtë e kaq madhështor si guvernatori jonë. Duhet të jemi ne që duhet të nisim përpjekjen tonë më të madhe në këto 100 vite shtet leshi për të ndërtuar një shtet të rilindur.

Gjatë gjithë këtyre viteve ne asnjëherë nuk kemi mundur të nxjerrim një president të saktë edhe të aftë për të qenë në të njëjtën lartësi me drejtuesit tonë. Nëse mendoni se Rexhep Mejdani, i cili vjedh shkrimet ekonomike që nxjerr në gazeta nga Forbes, është një president serioz atëherë gaboheni. E njëjta gjë vlen edhe për ushtarakun Moisiu, të cilit i kishte mbetur filmi në ’72 kur u arrestua Beqir Balluku dhe Petrit Dume. Të mos flasim pastaj për Bamir Topin i cili na e mbushi presidencën me era paçe. Jo, miq të nderuar, nuk mundet dot asnjëherë presidenca të përfaqësohej jo vetëm nga këto figura me mangësi të mëdha në CV e tyre e aq më keq përfaqësohet nga zoti Nishani.

Kështu, siçështë edhe e vetëkuptueshme nga ju, unë po ju ftoj të bëjmë një gjest shëlbues. Një gjest i cili do të na i falë mëkatet dhe gjynahet tona duke i dhënë mundësi kështu pasardhësve tanë të na falenderojnë sa bota të jetë gjallë. Ejani, të nderuar, ejani të puqemi të gjithë bashkë edhe nën një zë të brorhorasim duke kërkuar që z. Ardian Fullani, njeriu më i mirë që ky vend ka pasur këto 20 vjet, të na bëhet Presidenti jonë.

Njeriu i cili me vizionin, karizmën, bukurinë, sqimën dhe aftësitë e tij politike jo vetëm që mund të ruajëstatusquo-n gjate rotacioneve por mundet që t’i japë një tjetër dimension raportit të presidencës me politikën dhe popullin. Ai i cili me aftësitë dhe përgjegjshmërinë e tij do ta shndërrojë Presidencën në atë godinën e bukur të stilit Kinez që Çu En Lai aq shumë e pëlqeu kur e pa.

Lëreni zilinë tuaj me një anë. Të fillojmë të kërkojmë Fullanin për President. Vendi jonë meriton më shumë. Vendi jonë meriton një Fullan. Bëhu me ne, posto hashtagun #FullaniPresident

You may also like...