Lajmet johistorike, kartat SIM, Kopliku dhe miliarderi qe ndjehet i persekutuar

Të arrestohen kartat SIM

Ministri Sajmit Tahiri urdhëroi të hënën Autoritetin e Komunikimeve Postare dhe Elektronike të arrestojë të gjitha kartat SIM, përgjegjëse për shpërthimin e bombave me celular. “Të arrestohen të gjithë të dyshuarit,” urdhëroi ai kërcënueshëm.

Koplik apo Kopenik

Një studim i Universitetit Mesdhetar të Venecias doli në konkluzionin se Nikola Koperniku, astronomi i famshëm, e ka origjinën nga qyteti i Koplikut në Shqipëri.  Nga dokumentet veneciane të Mesjetës, qyteti që ne e shohim sot si Koplik, e ka patur në fakt emrin Kopelik. Prej këtu u largua familja e Kopernikut për në drejtim të Polonisë pas pushtimit të Shkodrës prej hordhive turke. Besohet se malet e Alpeve të Shqipërisë qenë edhe origjina e gjenialitetit shkencor të Kopernikut. Shoqata Miqtë e Kopernikut me bazë në Malësinë e Madhe, propozoi me këtë rast ngritjen e një monumenti për gjeniun e Mesjetës.

Pasunarët: Po na sulmojnë si hebrenjtë

ora sa gjashte rolexThomas Perkins, kapitalisti me një orë zvicerane me vlerë rreth 300 mijë dollarë, deklaroi të hënën në televizionin e të pasurve Bloomberg TV se “lufta progresive kundër 1 për qindëshit” të pasur në fakt është njësoj si përndjekja që i bënë nazistët hebrenjve. Komentet e tij përkuan me ditën botërore të përkujtimit të viktimave të Holokaustit.

Sipas tij, amerikanët duhet të kenë kujdes dhe të mos “demonizojnë” asnjë minoritet. “Sa herë që shumica fillon të demonizojë një minoritet, nuk ka rëndësi se çfarë minoriteti është, bën një gjë të rrezikshme nga e cila nuk vjen asgjë e mirë,” tha ai.

Ai është krenuar më herët me faktin që ora e tij e dorës në fakt mund të blejë gjashtë copë Rolex. Ai shprehu gjithashtu shqetësimet e veta për ata amerikanë që janë me më pak fat se ai duke thënë se kishte kushërinj që “jetojnë nëpër rulota” dhe pranoi se ndoshta mund të ketë një përqasje elitiste ndaj jetës pavarësisht faktit se ai vetë nuk është “miliarder”.

“Unë me siguri kam arrogancë të mjaftueshme për të qenë mbretëror, por unë jam një i moshuar,” tha ai. “Fakti që çdokush më urren mua është pjesë e lojës.”

You may also like...