Lajmet johistorike të ditës, 11 janar 2014

Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës u mblodhën plot pompozitet në Prizren, qytet i konsideruar simbolik për bashkimin e shqiptarëve, në një seri takimesh të lavdëruara nga dy qeveritë si “historike” dhe të qesëndisura nga shumë kritikë si “qesharake”.  Vendimi i parë i të dy qeverive qe që të jepnin 100 mijë euro për një maternitet në Preshevë, një qytezë e banuar nga shqiptarë në territorin e Republikës së Serbisë. Disa vunë në dukje se shumë biznesmenë privatë kanë bërë dhurata më bujare për kombin se sa dy qeveritë.

Qeveria shqiptare bën të ditur se ka ndër mend të reformojë sistemin kombëtar të pensioneve, por se si ka ndër mend ta bëjë, kjo mbetet ende shumë enigmatike. “Ndër propozimet tona do të jetë përcaktimi i një pagese dysheme, vendosja e pensionit social që do të merret nga të gjithë dhe më pas sistemi për të tjerët do të jetë i tillë që secili të marrë në bazë të kontributeve që kanë derdhur”, ka sqaruar ministri i Mirëqenies Sociale dhe i Rinisë Erion Veliaj. Se çfarë nënkupton autori me këto fjalë, nuk bëhet e qartë.

Kreu i opozitës Lulzim Basha, u kërkon mbështetësve të vet në Vlorë të mos dekurajohen. Një ditë, tha ai, ne do të kthehemi në pushtet gjithsesi.

Ariel Sharon vdiq. Ai pati qëndruar në koma për tetë vjet. Njihet si gjeneral i madh, që ka fituar shumë luftëra dhe ka udhëruar vrasjen e shumë njerëzve, mes të cilëve, qindra civilëve palestinezë të cilët para se t’i vriste i kishte përzënë nga shtëpitë. Ai njihet si një “luftëtar heroik” për një pjesë të izraelitëve dhe si “kasapi” për palestinezët.

Gjenerali Abdel Fattah al-Sisi, njeriu që në emër të popullit rrëzoi kryeministrin e zgjedhur të Egjiptit Mohamed Mursi, deklaroi se “nëse populli e kërkon” ai nuk e shmang dot përgjegjësinë, pra nuk refuzon dot pozicionin e presidentit. Egjipti para revolucionit kishte një ushtarak për president që sundonte përmes ligjeve antiterroriste. Dhe një të tillë rrezikon ta ketë edhe pas revolucionit.

Presidenti i Francës Francois Hollande është vënë nën presion dhe i kërkohet llogari se ku shkon i maskuar me kaskë motori të vogël dhe se kë viziton në një apartament të Parisit. Ai pritet të flasë të martën për planin e vet ekonomik, por bota duket se mendon se gjezdisjet e përnatshme të bibilushit të tij janë më të rëndësishme.

You may also like...