Lajmi i Marias dhe mali i paragjykimeve tona

familja-e-marias-3-231x320Gjergj Erebara

Lajmi se një vajzë bionde me sy jeshile u gjet nga policia greke në një kamp romësh bëri shpejt xhiron e botës. Konvencionet tona na tregojnë se një vajzë bionde, duhet të jetë doemos nordike. Dhe sapo konvencioni jonë paragjykues na tha këtë, menjëherë aludimi tjetër qe një film horror. Ndoshta bëhet fjalë për një vajzë që i është rrëmbyer prindërve nga romët nomadë, pa dyshim për shfrytëzim. Makthi i çdo prindi u mishërua në këtë ngjarje pavarësisht se nuk kishte ende asnjë fakt. Çifti rom që u përkujdes për vajzën për katër vite, u konsiderua menjëherë një çift kriminelësh. Emrat e tyre u përmendën vetëm kalimthi nëpër lajmet që u bënë që të gjitha vetëm për flokët bionde. Jeta e tyre kaloi nëpër një analizë të stërhollë juridike e administrative. A mos përfitojnë ata pa të drejtë nga taksat e grekëve?

Natyrisht që po, janë mashtrues. A i kanë paguar faturat? Natyrisht që jo! Nuk pati shumë kohë për të argumentuar se nëse pothuajse çdo grek kalon në një analizë të tillë, patjetër që do të rezultojë evazor fiskal, mospagues faturash, etj, etj.

Disa lajme të publikuara në median shqiptare ku aludohet se Maria qe bashkëkombësja jonë

Disa lajme të publikuara në median shqiptare ku aludohet se Maria qe bashkëkombësja jonë

Kjo vajzë është aq simpatike, simbol i racës superiore arjane. Ajo mori emrin mediatiko/kristian Maria. Një bionde nuk mund ta kishte emrin oriental, fjala vjen, Xhemile, nuk mund të kishte as emër rom. Dhe forca simbolizuese e flokëve të verdhë qe aq e madhe sa edhe në median shqiptare pati tituj të tillë: a mos është shqiptare? Një bionde me sy jeshile shqiptare… do të na pëlqente ta kishim për simbol kombëtar.

E pra, lajmi që kaloi pa u vënë re, për turp të medias në të gjithë botën dhe mbi të gjitha, të policisë greke, qe që prindërit biologjikë të Marias u zbuluan në një fshat të mjerë romësh të mjerë në Bullgari.

Gazetarët ndërkombëtarë vrapuan për ta intervistuar çiftin e romëve. Aty e kuptuan se kishin nevojë për një përkthyes nga bullgarishtja për një gjuhë që nuk dihet se çfarë është.

Sasha Ruseva nuk ngjan shumë me të bijën. Ajo është rome ashtu si ne i imagjinojmë të gjithë romët. E imët, e lodhur nga jeta, e varfër deri në asht, e pa vënë re nga askush asnjëherë, deri sa papritur thirret nëpër studio televizive luksoze ku kostumi i intervistuesit me gjasa kushton më shtrenjtë se sa e gjithë shtëpia e familjes rome.

Lajmi që doli pas kësaj qe plot me tragjedi njerëzore dhe me mirësi. Një familje rome në fund të viteve ’90, një kohë e tmerrshme për të jetuar në botën post-komuniste dhe veçanërisht në Bullgari, shkon të punojë në Greqi për mbledhjen e ullinjve, fle nën hijet e ullinjve dhe lind një fëmijë, që merret nga një familje rome greke, e cila ka fatin që si greke, të përfitojë ndihmë shtetërore për rritjen e fëmijës.

Paragjykimi na dha gjithsesi edhe një informacion të vlefshëm. Media ndërkombëtare shkoi në fshatin e vogël rom të Bullgarisë dhe u mor me hallet e kësaj minorance, gjë që nuk do ta bënte në rast se nuk do të ekzistonte vajza bionde.

Ndërkohë, nëpër Europë, dyshimi se romët patën guxuar të rrëmbenin një simbol kaq të fuqishëm të supermacisë arjane, kaloi në histeri. Në Serbi, ligjin e morën në dorë gangsterët, të cilët u përpoqën të rrëmbenin një fëmijë rom me argumentimin se sipas gjykimit të tyre, fëmija kishte ngjyrë lëkure të bardhë. Në Irlandë qenë autoritetet ata që morën nën përkujdesje dy fëmijë nga prindërit e vet me argumentin se fëmijët vështirë se mund të kishin sy blu.

Qenë të paktë ata që shtruan çështjen se profilizimi i hapur racor që u përdor nga policia greke është, në fund të fundit, i gabuar dhe i dëmshëm. Nuk ke të drejtë të dyshosh për një krim bazuar mbi ngjyrën e lëkurës, të syve apo të flokëve. Aq më pak të ngresh akuza.

Por për median, përfshirë edhe atë që e njohim si media me standarde të larta perëndimore, kjo nuk pati shumë rëndësi. Qe kaq e paimagjinueshme që një vajzë bionde të qe në fund të fundit, rome.

Një leksion i vlefshëm për autoritetet e Brukselit, të cilat shpenzojnë miliona euro për të promovuar të drejtat e minorancave nëpër vendet e pazhvilluara të Lindjes, bëjnë mirë të japin para për të luftuar paragjykimet edhe nëpër vendet e “qytetëruara” të perëndimit.

You may also like...