Letër drejtuar Patriarkëve të kombit

Të nderuar,

Kanë qenë ditë të mbushura me ngjarje të shumta që nuk kanë lënë askënd prej jush të vendosë kokën në jastëk e të flerë i qetë. Ditë që nuk i kemi përjetuar as në vitin e largët-afërm 1997, ditë në të cilët na duhet të kujdesemi për veten më shumë sidomos qëkur populli na ka filluar të na kërkoj më shumë llogari. Qëkur edhe Musa Ulqini nuk shitet më për një lavatriçe, unë e kuptova që bota po merr tatëpjetën.

Halli juaj, o të nderuar, ka qenë edhe mbetet gomarllëku i ish Guvernatorit. Po, po, kam guximin ta quaj gomarllëk sepse të qe dikush tjetër që ka lexuar pak më shumë nuk do t’i ndodhte kjo gjemë e as nuk do t’u bënte peshqesh juve një dhuratë të tillë. Por, ja që gjëma ndodhi dhe siç thonë grekët “Jo çdo gjë e keqe vjen për keq”. Prandaj, të nderuar, unë i thërras sensit tuaj të brendshëm që të shihni atë pak dritë të bardhë që ka në këtë zhgjëndërr.

Ju ftoj, që të mendoni pakëz për atë që duhet të pasojë ish Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. Natyrisht, emra ka plot sikundër edhe ekonomistë ka plotë, unë në universitetin tim prodhoj rreth 2000 në vit. Por, siç jemi në dijeni, puna e Guvernatorit në vendin tonë është shumë e vështirë, prandaj pas mendimeve edhe diskutimeve me miqtë e familjarët, mora guximin që të vetë propozohem për këtë post.

Natyrshëm, të nderuar, lind pyetja se përse duhet që juve të më pranoni mua kandidaturën. Pa humbur kohën tuaj të çmuar po shtjelloj argumentet e pakta. Më së pari po ju drejtohem juve i nderuar shkëlqesi Rama.

Sikundër juve e mbani mend unë isha ndër ato filiza të reja që ju mbështeta në luftën tuaj kundër mamuthit të korrupsionit z. Nano, gjithashtu juve e dini fare mirë se sa me elokuencë e dije të mirëfillta ekonomike unë mbroj programin tuaj për ekonominë. Një shënim pozitiv për mua juve mund ta gjeni edhe tek ditarët e z. Cani, të cilat i keni sekuestruar para se ky i fundit të merrte mandatin e ministrit. Nëse jeni të shqetësuar se mua më ka dalë nami për hajdut, se e di që e keni pikë të dobët marrëdhëniet me publikun, mund të tregoni atë historinë që unë s’dija të rripja një pulë jo më të rrjep Bankën e Shqipërisë.

Nga ana tjetër, i nderuari fort z. Meta, ju e mbani mend se sa shumë ju deshëm sa që ju mbështetëm edhe në ditët kur na dolën të palarat nga kryetari i klanit të Zemunit. Prandaj, kërkoj mbështetjen tuaj, kjo sepse juve e dini se sa mirë dhe rehat punohet me një vartës (që në këtë rast do jetë i pavarur për sy të publikut) si puna ime. Madje kohët e fundit jam interesuar në maksimum për të kuptuar mënyrën se si juve operoni për dërgesën e parave sepse në kohën tonë të lavdishme, i nderuar, ne përdornim valixhet e zeza në kini mirësinë ta mbani mend. E nëse ndonjë fjalë e keqe ju vjen në vesh për mua, kini parasysh që unë jam i thjeshtë sepse si gjithë shqiptarët unë kam ngrënë fasule dhe vazhdoj të ha sot e kësaj dite ç’do të hënë.

Në fund fare po ju drejtohem juve, i fort nderuar kundërshtar por ama mik, së pari ju falenderoj që nuk më fute në burg. Megjithëse abuzimet e mia atje tek Ministria që i le Korçarit ishin aq të shumta sa që do kisha përfunduar më keq se Fullani. Ndaj, e di që je njeri i besës, ama edhe unë kështu e njoh veten. Të dy ne vijmë nga zona malore, Tropoja dhe Saranda kanë ngjashmëri i nderuar, e ti mbaj mend se m’i ke thënë këto ngjashmëri në një darkë të para disa viteve. Gjithashtu mjafton të kujtoj që të dy erdhën nga vende të largëta e ti u bëre doktor ndërsa unë ekonomist. Duke ndarë të njëjtat ëndrra dhe qëllime për jetën që në rini, ndaj sikundër Nano mbështeti çunat e Tironës përse ti nuk mbështet jabanxhinjtë e Tironës?

Në fund të kësaj letre, të nderuar, dua t’ju kujtoj se shërbimi im ndaj jush do të jetë pa asnjë lloj rezerve. Nëse juve do të keni mirësinë që të më falni si pension 7 vjet në Bankën e Shqipërisë unë do përpiqem që këtë dhuratë t’ua shumëfishoj nga 7 herë për secilin e gjithashtu premtoj që asnjë gomarllëk nuk do dalë nga dyert e bankës.

E mbi të gjitha mos harroni që unë kam botuar me shpenzimet e mia, se librin e kanë bërë studentët, një libër që flet mbi krizën ekonomike globale e si mund të dalim prej saj. Kështu, siç e shihni unë i përmbush të gjitha kërkesat që juve keni ndaj Guvernatorit të ardhshëm, ndaj për shërbimin që i kam dhënë këtij kombi dhe shteti unë ju kërkoj me bindje të plotë postin e Guvernatorit.
Me respekt

Anastas Angjeli

Kandidat i Vetëshpallur për Guvernatoranastas_angjeli_13989_0

You may also like...