Letër e hapur drejtuar udhëheqësve tanë të ndritur

Të nderuar, udhëheqës që me dritën tuaj drejtoni udhën tonë drejt jetës më të mirë. Të lartësuar udhëheqës, juve që na udhëhiqni në udhën e lumturisë sonë të pamatë, juve që jeni arkitektët e këtij lulëzimi dhe begatie të pafund.

Ju drejtohem juve, njerëzve më të ndritur që ka lindur kjo tokë (pas Komandantit). Ju drejtohem juve, danoçave të vërtetë të këtij vendi. Largpamësve, sypetritëve, ideologëve, strategëve, filozofëve, reformistëve, liberalëve, socialistëve që dhatë, jepni dhe do të jepni çdo gram të mendjeve tuaja të ndritura vetëm e vetëm që ky vend të ecë në udhën e drejtë e të vërtetë. Juve pasardhësit e denjë të fiseve pellazge dhe ilire, të përzgjedhurit e kombit të përzgjedhur.Fullani for PRESIDENT

Ngjarjet e fundit në realitetin tonë na kanë bindur ne, qytetarët e vuajtur të vendit më të bukur në botë, se duhet të kemi guximin për të dalë me një propozim. Ngjarja e mrekullueshme përmes së cilës Guvernatori Fullani shkoi me këmbët e tij të denoncojë gabimin njerëzor, i cili na kushtoi të gjithëve 7.5 miliardë lekë ishte shenja që të gjithë ne prisnim.

Cilësitë dhe aftësitë e guvernatorit tonë, i cili sypatrembur ka udhëhequr nga suksesi në sukses Bankën e Shqipërisë, janë një tjetër argument i cili na shtyn t’ju propozojmë: Emërimin e tij në postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Shkëlqesia e juaj z. Rama, a nuk mendoni vallë që një djalë gjithë shije si z. Fullani ta meritojë këtë pozicion? A nuk e keni parë si e ka shndërruar godinën e Bankës së Shqipërisë? Se si vishet? Ne si popull e kemi vënë re që juve nuk e keni me fort qejf ish-Presidentin Nishani, që ai hera herës iu përkujton ish-Kryeministrin Berisha, ndaj duam t’ju lehtësojmë punën tuaj në krye të qeverisë. Nga ana tjetër reformat tuaja largpamëse dhe rilindase kanë nevojë për një “çun Tirone, nga ata të vërtetët”. A nuk mendoni se z. Fullani është realisht një çun Tirone?

Forthirësia juaj z. Meta, e di që fjalët e mia për z. Fullani janë të tepërta. Ne si popull e dimë që juve na e lexoni mendimin tonë më mirë se sa cilido lider tjetër. Juve më mirë se sa ne e dini që z. Fullani po ecën në gjurmët e juaja, a mos vallë ka ardhur koha që juve ta shpërbleni studentin tuaj shembullor që të themi të vërtetën; në ditët më të këqija ju ka qëndruar afër?

Në cilësitë e tij si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, Fullani ka treguar aftësi ,jo vetëm në mbajtjen e balancave por edhe në ndërtimin e politikave si për njërin krah ashtu edhe për krahun tjetër. Prandaj, i nderuar z. Basha, unë mendoj se ky kandidat jo vetëm që mund të mbështesë politikat që opozita bën për ne, por mbi të gjitha ai mund të lumturojë dhe begatojë me mirësi e begati edhe juve si opozitë. Kësisoj, shiheni me sy të mirë këtë propozimin tonë që në fund të fundit është ndërtuar mbi dëshirën e pamatë që neve kemi ndaj jush.

E së fundi, por aspak për nga rëndësia, ju drejtohemi juve. Kalorësit të drejtësisë, udhëheqësit sypatrembur që lëviz fusha dhe male. Juve që jeni vetë historia, koha, jeta dhe vdekja e demokracisë. Lideri më legjendar që ka patur ky vend. Njohësi i shkëlqyer i çdolloj fushe dhe strategjie, njohësi i çdo të fshehte dhe gjëje që ndodh në këtë vend.

Profesor Doktor Berisha, ju lutemi, merrni parasysh kërkesën tonë për të emëruar z. Fullani në postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Post të cilin ai e meriton po aq sa juve e keni merituar dy herë që e keni marrë.

Juve e keni provuar gjatë tetë viteve në pushtet që ai kurrë s’ua ka prishur qejfin dhe ju ka ndihmuar me sa mundësi ka pasur. Juve e keni provuar që ai njeriu kurrë s’ju ka thënë jo, që është bërë theror për juve, që ka rendur brigje e lumenj vetëm e vetëm që juve të jeni të gëzuar. Të gjithë këto shërbime me përulësi e bëjnë atë të barabartë me z. Nishani, mirëpo ai ka diçka më shumë, ai ka diçka që z. Nishani nuk mund ta ketë dot. Është danoç, është çun Tirone, është djalë që di ta dredhë njësoj siç juve ju pëlqen.

Të nderuar të sipër përmendur, ne e kuptojmë që një pjesë e juaja nuk di si t’ia thotë z. Nishani këtë punë. Prandaj kemi menduar që të bëjnë një rast përjashtimor. Ne si popull, sundimi i të cilëve vjen nga mirësia juaj, kemi vendosur që të kemi dy presidentë. Po, njësoj siç sot kemi dy papë edhe ne të kemi dy presidentë. Kështu z. Nishani le të mbajë begatitë e postit që ka (flasim financiarisht) ndërkohë që z. Fullani të jetë edhe President i emëruar por edhe guvernator banke. Prandaj ju lutem vijeni dorën në zemër, se ne si popull ua duam të mirën juve ngaqë juve na e keni dashur neve të mirën gjithë këto vite.

I nderuar z. Nishani, për juve kemi dy rreshta. Përse nuk e propozoni juve vetë z. Fullani për president? Jo për gjë, por ne e dimë që po aprovoi Prof. Dr. Berisha juve do të pranoni pa u tharë boja në letër. Ndaj paraprijini një herë mendimit të tij se do t’i bëhet shumë qejfi.

Të nderuar dhe të lartësuar, duke iu kërkuar ndjesë që ju morëm kohë nga koha juaj e çmuar ju ftojmë të merrni në konsideratë propozimin tonë.

 

Me respekt,

Populli

 

P.s Të nderuar deputetë, qëllimisht nuk iu kemi shkruar pasi e dimë që nëse të mësipërmit pranojnë juve thjesht do të aprovoni mekanikisht.

You may also like...