Letra nga populli

Deri më tani rastet e një qeverie të tillë në vndin tonë janë praktikisht zero, të mbushësh ditën kundër luftës ndaj korrupsionit me përralla që tregohen nga televizori natyrisht që i shërben skedës së punës propagandistike por në thelb është hiç asgjë.

Xhabyni

Idrit Idrizi, në një punim të tijin në revistën Përpjekja trajton fenomenin e letrave nga populli që i dërgoheshin udhëheqjes. Sipas Idrizit, udhëheqjes i duhej kjo metodë për të njohur akoma më mirë mendimin e popullit (e në fakt nuk qe e njëjta metodë po të mendosh fjala vjen Fletërrufetë) drejt Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror (pra, Enver Hoxhës) përpos lavdërimeve dhe kartolinave u drejtoheshin edhe ankesa të shumta mbi persona të caktuar.

Siç e dimë partia përkujdesej për popullin dhe jo pak herë këto lëvizje “popullore” ishin një metodë për të goditur apo mbajtur të tendosur partinë dhe qytetarët. Me pak fjalë, letrat nga populli nuk qenë vetëm se një armë në dorë të Partisë që bënte atë që thoshte populli, vetëm se kjo e bëra ishte në vullnetin e partisë dhe jo popullit.

Vijmë në Shqipërinë post-komuniste. Përpara zgjedhjeve të 23 Qershorit kryeministri i asaj kohe Berisha, hapi një numër falas për ankesat ndaj korrupsionit. Qe hapi i parë i një aksioni më së shumti propagandistik për luftën ndaj korrupsionit, demokratët kishin ardhur në pushtet për të qeverisur me duar të pastra. Të gjithë e dimë historinë se si u mbyll qeverisja e tyre, por numri jeshil për të denoncuar korrupsionin qe një mënyrë e avancuar për të marrë “letra nga populli”.

Në po të njëjtën frymë, megjithëse e avancuar në ide dhe natyrisht propagandë, qeverisja Rama përpara disa javësh u betua se do të hapte një kuti postare ku qytetarët do të denonconin ankesat e tyre ndaj pushtetarëve. Ajo që e puq Ramën dhe Berishën në këtë rast është dështimi i kësaj skeme dhe ky dështim nuk vjen nga mos dëshira e autorit në fjalë, por vjen nga mënyra se si operohet nga ana e qeverisë. Në një vend demokratik dhe shtet të së drejtës qeveria nuk ka pse fare të luajë rolin e atij që bën pusi, mjafton që të forcojë gjykatat, prokurorinë dhe policinë. Mjafton të sigurojë që ajo vetë është zbatuese e ligjit dhe vendos të drejtën.

Deri më tani rastet e një qeverie të tillë në vndin tonë janë praktikisht zero, të mbushësh ditën kundër luftës ndaj korrupsionit me përralla që tregohen nga televizori natyrisht që i shërben skedës së punës propagandistike por në thelb është hiç asgjë. E problemi në këtë rast nuk është tek qytetarët, sepse dreqi e mori të gjithë ne kemi shpresë dhe mund ta bëjmë nga një ankesë por qëndron tek qeveria dhe funksionimi i saj. Thënë më shkurt, qeverisë i takon të bëjë detyrën e saj ekzekutive dhe jo të merret me letrat e popullit që në shumicën dërrmuese të rasteve do ta shndërrojë në një qeveri letrash burokratike.

Nëse në shtetin komunist, partia dhe qeveria angazhoheshin plotësisht në demoaskimin dhe mbarëvajtjen e jetës së diktaturës së proletarit në një shtet demokratik qeveria ka për detyrë të sigurojë mirëqenien dhe drejtësinë e qytetarëve të saj. Natyrisht që metodat për të bërë këtë të fundit nuk janë letrat e popullit, madje as lufta ndaj korrupsionit nuk është efektive nën këtë frymë populiste dhe propagandistike. Letra e popullit kanë gjasë të selektohen në bazë të interesit imediat të partisë, duke ndëshkuar kështu “jetimët” që partia duhet të bëjë kurban në emër të pushtetit të saj dhe fasadës në popull.

You may also like...