Ligje absurde nga qeveritarë qesharakë

Shqipëria është një shtet që nuk ka nën kontroll territorin e vet. Mbrojtja e pronës publike apo private janë koncepte që të bëjnë për të qeshur. Agjencitë ligjzbatuese të shtetit janë në shumicë të përbëra nga zyrtarë që kanë licencë për të zhvatur qytetarët, me apo pa faj. Megjithatë, qeveria është një vend që prodhon shumë ligje. Aq shumë sa edhe vetë prodhuesit nuk e dinë se çfarë bëjnë.

Dy ligje janë më shumë nisma absurde se sa të tjerat këto kohë:

  1. Shqipëria vendos të dënojë me 10 vjet burg shqiptarët që luftojnë jashtë vendit, (dmth Siri). Imagjinoni, një njeri ka shkuar të luftojë, të vrasë dhe të vritet. Merr edhe familjen me vete, gra e fëmijë, për të shkuar në një vend nga ku 15 për qind e popullsisë  është arratisur. Mendjendriturit tanë besojnë se këto lloj rastesh mund të zgjidhen me kërcënimin se do të futen në burg për dhjetë vjet.
  2. Shqiptarët do të dënohen me burg për vjedhjen e energjisë elektrike. Alamet zgjidhjeje. Gjysma e vendit vjedh energjinë elektrike. Me këtë ligj, do të duhet t’i fusim gjysmat e shqiptarëve në burg. Ose më saktë, të ikim vetë nga Shqipëria dhe ta kthejmë vendin në një burg të stërmadh. Ose, zonat ku mospagesa e energjisë është 97 për qind e të gjithë popullsisë, si në Kukës, do të duhet t’i rrethojmë me gardh dhe t’ua hedhim ushqimet me helikopter.

Para do vitesh, qeveria jonë e nderuar (ajo që iku) miratoi një ligj që dënonte me burg ndërtimet pa leje. Pa dëshirë për të vënë funksionarë normalë për zbatimin e një ligji, në një vend ku njerëzit rrezikojnë jetën duke çmontuar predha ushtarake për të vjedhur 5 dollarë skrap, zgjidhja që propozohet për një situatë të tillë është “kërcënimi me burg”. Kërcënim, sepse të futësh në burg të gjithë shkelësit është praktikisht e pamundur. Por ama ligje të tilla e kanë një funksion: ato prodhojnë lajme propagandistike. Rroftë qeverisja përmes televizorit.

You may also like...