Ligji i ri, kompanive do t’u ndalohet të transferojnë fitimet

Qeveria përgatit një detajim të ligjit ekzistues për të mbushur vrimën më të madhe në legjislacionin tatimor

Gjergj Erebara

Pesëmbëdhjetë vjet të shkuara, në vitin 1998, ligji për Tatimin mbi Fitimin, përcaktoi që kompanitë lejoheshin të bënin shitje mes njëra-tjetrës edhe kur qenë nën të njëjtin pronar apo grup pronarësh, por në këtë rast, tatimet duhej të shihnin nëse këto shitje qenë reale apo bëheshin thjeshtë për efekt shmangieje tatim fitimi.

Për fat të keq të Shqipërisë, askush nuk u mendua ta zbatojë këtë nen. Ai u konsiderua “i pamundur për t’u zbatuar në realitet”.

Rreth vitit 2001, disa ekspertë të Ministrisë së Financave vërejtën se kompani të ndryshme ndërkombëtare po kryenin importe mallrash në sasi dhe në vlera të pabesueshme. Shitësit qenë kompanitë mëmë, blerësit qenë kompanitë shqiptare nën pronësinë e këtyre kompanive të huaja. Të ardhurat nga parapagimi i TVSH-së për pajisje çmendën shifrat e doganave, të cilat raportonin “tejkalime plani”.

Duke qenë se TVSH rimbursohej për makineri e pajisje, ato tejkalimet e planit në dogana qenë deficite në tatime. Për ekspertët e kontabilitetit ndërkombëtar kjo teknikë shmangie pagesash fiskale quhet “transferim çmimi”. Në thelb, kompanitë po deklaronin blerje nga kompanitë mëmë me çmime të fryra, me qëllim që të deklaronin më vonë më pak fitime. Në vend që të deklaroheshin në Shqipëri fitime të realizuara, deklaroheshin investime inekzistente dhe amortizime të fryra. Kuadri ligjor për ta luftuar këtë vjedhje qe në fuqi. Vullneti politik dhe administrativ, jo.

Ish-kryeministri i Italisë Silvio Berlusconi u dënua me burg së fundmi pasi kishte krijuar pikërisht një skemë të tillë.

Situata vijoi për shumë vite, madje gjatë viteve të fundit rezulton se është përkeqësuar. Por pati raste kur transferimi i çmimit qe në krah të kundërt. Kompanitë e nxjerrjes së mineraleve, si krom e bakër, deklaronin se ia shisnin mineralin kompanisë mëmë me çmim më të ulët nga tregu, gjë që i lejonte të shfrytëzonin pasuritë minerare të vendit pa paguar as tatim fitimi, sido që tatimi mbi fitimin është në një nivel shumë të ulët në vendin tonë.

Ndërsa qeveria shqiptare e uli gradualisht tatimin mbi fitimin nga 30 për qind në vitin 2000, në 10 për qind pas vitit 2008, me argumentimin teorik se në këtë mënyrë kompanitë do të paguanin më shumë e do të bënin evazion fiskal më pak, kjo nuk dha efekt real pasi korporatat i kishin dhe vijojnë t’i kenë kanalet për të deklaruar zero fitime apo humbje të vazhdueshme. Gjatë fushatës elektorale të këtij viti, një drejtues minierash bakri, doli në reklamat e qeverisë duke mburrur taksën e sheshtë 10 për qind mbi fitimet. Por i njëjti biznesmen nuk sqaroi kurrë se sa tatim fitimi ka paguar realisht kur tatimi qe 30 për qind dhe sa paguan kur është 10 për qind.

Për shkak të këtij kanali evazioni, niveli i tatimit mbi fitimin si politikë për thithjen e investimeve të huaja është tërësisht i pavlefshëm. Nuk ka rëndësi nëse tatimi mbi fitimin është 10 apo 50 për qind për sa kohë fitimet me kaq lehtësi deklarohen amortizime të pataksueshme.

Skema funksionon thjeshtë. Një kompani e regjistruar në Shqipëri regjistron edhe një kompani tjetër në një parajsë fiskale, një vend ku tatimi mbi fitimin është praktikisht zero. Kompania te parajsa fiskale deklaron se i ka shitur kompanisë shqiptare një mall apo një shërbim. Fjala vjen, një kompjuter që bën 300 dollarë, deklarohet se është blerë nga kompania shqiptare me vlerë 3 milionë dollarë. Pra kompania shqiptare deklaron se ka kryer një investim me vlerë 3 milionë dollarë që në fakt nuk e ka kryer. Ky investim hyn te një zë bilanci që quhet amortizim apo zhvlerësim. Këto janë fitime të pataksueshme. Pronari i kompanisë i merr 3 milionë dollarët nga filiali i vet në parajsën fiskale. Vetëm vitin e kaluar dhe vetëm një kompani vlerësohet se ka kryer transferime të tilla çmimesh me vlerë 120 milionë dollarë.

Dyshohet se edhe importet e energjisë për shumë vite funksionuan mbi parimin e transferimit të çmimeve.

Shqipëria besohet se ka humbur qindramilionë dollarë tatime si pasojë e moszbatimit të këtij neni. Së fundmi, me ndihmën e Bankës Botërore, qeveria ka në plan të miratojë një paketë të re ligjore dhe aktesh nënligjore për të mbyllur këtë vrimë fiskale që i ka kushtuar buxhetit të shtetit kaq rëndë.

Kuadri i ri ligjor për të luftuar këtë vjedhje, jep më shumë detaje se si duhet të funksionojnë tatimet. Por ndëshkimi i vjedhjeve të së shkuarës duket se nuk është në axhendë, megjithëse kjo praktikë ka qenë në Shqipëri që nga viti 1998, e paligjshme.

Ligji i ri parashikon që tatimet kanë të drejtë të kontrollojnë pronësinë dhe administrimin e blerësve dhe shitësve, për të marrë vendim nëse transaksioni është real apo përbën një transferim çmimi për efekt të fshehjes së taksave.

““Transferimi i çmimit” është në thelb tërësia e transaksioneve që realizojnë personat e lidhur, e që kryhet përgjithësisht nga shoqëritë multinacionale me vendndodhje të veprimtarive të biznesit të tyre në shtete të ndryshme, në formën e një filiali, dege, apo selie të përhershme,” shkruan ministri i Financave Shkëlqim Cani në relacionin e tij për këtë propozim ligjor.

““Transferimet e çmimit” që ndërmerren nga shoqëritë multinacionale, kanë si qëllim transferimin e fitimeve nga një vend në një vend tjetër,” thotë Cani.

Detajimi i ligjit dhe i procedurave ligjore për të luftuar transferimin e çmimeve është një hap i mirë, por se sa efekt real në të ardhurat e buxhetit do të ketë ky ligj, mbetet për t’u parë.

Shqipëria gjatë kësaj kohe nuk ka vuajtur nga mungesa e ligjeve por nga mungesa e zbatimit të tyre. Dhe krahas detajimit të ligjit, është mirë që të shikohen llogaritë e korporatave për të parë nëse ka patur shkelje të nenit 36 të ligjit ekzistues, e natyrisht, do të qe shumë mirë që të ndëshkohej ky evazion fiskal në përmasa të stërmëdha.

Mbledhja e tatimit mbi fitimet e realizuara në Shqipëri dhe që deri tani është shmangur përmes këtyre skemave të paligjshme por të pandëshkuara, mund të mbushë një pjesë të madhe të gropës së buxhetit të shtetit.

You may also like...