Lufta epike

Xhabyni

Lufta Nacional Çlirimtare, jo pak herë propagandohet si një epope që na rreshtoi me popujt fitues, si një luftë që i dha dërrmën forcave nazi-fashiste e kështu me radhë. Jo e gjitha kjo klishe është ndërtuar në regjimin komunist, për të qenë të sinqertë, një pjesë e kësaj Tenda_e_Qypit1klisheje është ndërtuar pas rënies së regjimit. Nëse dëshironi të shihni se si është klisheja në formën e saj më arkaike atëherë mund t’i drejtoheni një anëtari të Partisë Komuniste,  i cili me krenari do t’ju thotë se forcat partizane nën udhëheqjen e shokut dhe komandantit Enver udhëhoqën epopenë që i çliroi ato nga pushtimi nazi-fashist. Kështu që pjesa ku ne rreshtohemi me forcat fituese, është një shtesë e post viteve 90’ ku me sa duket komunistët e riorganizuar panë se Evropa është zoti i ri.

Mirëpo, ka vite që kjo klishe përdoret edhe nga historianët e vendit. Duke menduar gjithë çka kaluar vendi pas ardhjes në pushtet të Nacional Çlirimtarëve natyrshëm të vjen një pyetje: si duhet parë kjo luftë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje së pari duhet të dekonstruktojmë klishenë e mësipërme, e kjo nuk është shumë e vështirë. LANÇ-i apo më saktë partizanët tonë nuk kishin fare ndonjë meritë të veçantë jo vetëm në mposhtjen e fashizmit por as edhe në largimin e tij nga vendi ynë. Historia flet qartë në këtë pikë, Italia fashiste u largua nga vendi pranë dezertimit (dhe jo në kulmin e saj) ndërkohë që Gjermania naziste sërishmi erdhi në Shqipëri gjatë tërheqjes së madhe.

Pasi dekonstruktuam klishenë e famshme të luftës heroike dhe epike të ushqyer nga sisa e çeliktë e Kinostudios Shqipëria e Re dhe jo vetëm le t’i hedhim një sy ngjarjeve historike. Vite që kanë qenë të mbushura me shumë ndodhi, personazhe dhe të dhëna që të bëjnë të mendosh se kjo luftë nuk qe aq e bardhë sa ç’e kemi menduar. Në librin “Re dhe Gurë. Intervistë me Vetveten”, Petro Marko, shkruante se pas lirimit nga burgosja në Ustikë dhe ardhjes së tij në Shqipëri ai takoi dy miq të vjetër. Në mos gabohem qenë Ymer Dishnica dhe Mehmet Shehu, të dy i dhanë një këshillë të njëjtë (megjithëse në situata të ndryshme) “Mos fol për asgjë që sheh në këtë periudhë”.

Shqipëria qe në vitet e fundit të pushtimit nazist, partizanët ishin ende nëpër njësi guerile dhe nuk ishte bërë ende Kongresi Beratit, që do zyrtarizonte Enverin komandant, pra jemi në një gjendje ankthi….por sërishmi miqtë e këshillojnë Markon që mos të flasë. Fatkeqësia është se për atë periudhë në të cilën u bë lufta, Marko nuk ishte pjesë e partizanëve në Shqipëri. Fatkeqësi për ne mbase që mund të kishim lexuar gjithnjë e më shumë për figurën e Enver Hoxhës (të cilin shkrimtari e takoi veç një herë). Ajo që sheh Marko, e që pak tregohet tek ne, në Shqipërinë e atyre viteve ishte masakra e Tivarit. Ku me qindra e mijëra shqiptarë nga Kosova u dërguan në duart e partizanëve Jugosllavë. Një ndër deleguesit e kësaj ekspedite (që Marko e quan vëllavrasëse) ishte dhe Ramiz Alia.

Nga sa më sipër historia duket shumë çorbë, partizanët që luftuan për të çliruar vendin dhe popullin nga zinxhirët e robërisë por që dërgojnë në tytën e pushkëve një pjesë të popullit? Akoma më tronditëse dhe çorbë bëhet historia kur fjala vjen partizanët kanë ekzekutuar dhe vrarë partizanë të tjerë, Ramize Gjebreja është një ndër ato partizane që u dënua për kurvëri, megjithëse gojët e liga thonë se ajo ishte aq e bukur sa që Komandanti hutohej pas saj dhe kish rrezik mos na humbiste lufta.

Meqë erdhëm tek Komandanti, pak e dinë (apo shumë?) që komandanti qëndronte në shtëpinë e një beu, që ishte dhe kunati i tij.  Por kjo nuk ka pse të habisë askënd, shumica e komunistëve dhe partizanë qëndruan në shtëpitë e bejlerëve që hera herës ishin dhe të afërm të tyre. Kjo ndoshta duhet të jetë një sinjal që komunistët e rinj mos t’i kenë aq zët bejlerët se dreqi e mori, i kanë futur në shtëpi baballarët shpirtërorë, madje hera herës i kanë shpëtuar dhe nga arrestimi. Nga sa më sipër, po shohim që lufta e partizanëve nuk ka qenë kaq romantike dhe epike sa ç’e mendonim. Ka pasur në të skena të errëta që na tregojnë për një vëllavrasje dhe për një përgatitje të partizanëve për të marrë pushtetin qoftë edhe me dhunë.

Nga e gjithë sa më sipër, mund të rishtrojmë edhe një herë pyetjen: A mund të zhvlerësohet lufta vetëm për hir të asaj që ndodhi më pas?

Përgjigjes së kësaj pyetje mund t’ia japin, do thoshte dikush, historianët. Mirëpo, historianët në këtë vend janë në tërësi shumë të enverizuar (të ndarë në kampe aq të thella ideologjike) sa që përfundojnë në ekstremitete. Rruga e mesme e historianëve ose nuk i vihet veshi ose nuk është e aftë dhe e gatshme të riprodhojë diçka të ndërmjetme dhe sa më pranë reales. Ndaj pyetja mbetet pa përgjigje nga ato historianë që nuk kanë perde ideologjike në mendjet e tyre.

Erich Auerbach, një nga mendjet më gjeniale në lëmin e letrave, në veprën e tij Mimesis analizon Makbethin. Në disa momente ai ngre një pyetje të tillë: A mund t’i falet autorit që të pikturojë një Makbeth kaq të pashpirte, të vrazhdë, gjakatar, kriminel ndërkohë që ai ishte një nga luftëtarët dhe heronjtë e mbretërisë?! Po, sepse pikërisht këtu qëndron pasqyrimi i realitetit në veprën e tij, ai përshkruan se si paçka ajo që ishte e shkuar nuk mundi dot të ndërtonte aspak Makbethin e mirë, përkundrazi mund ta ketë yshtur atë që të jetë një diktator i etur për pushtet. Tani, nëse për Makbethin mund të thuhet kjo gjë çfarë mund të themi për Enverin që gjatë jetës së tij si Komandant nuk shtiu një herë? Çfarë mund të themi për një luftë e cila është e mbushur me shumë errësirë? A duhet ende të gjykojmë me romantizëm?

A ishim ne dhe lufta jonë shkaqe pwr rënien e fashizmit? Absolutisht që nuk kemi qenë ndonjë shkak që fashizmi dhe nazizmi ra (aman mos ia thoni ndonjë veterani se na i ra pika!). Së dyti, ajo që ndodhi brenda PKSH me dënimet dhe spastrimet e saj qysh në ilegalitet e më tej më bënë të mendoj se ajo që u ndërtua në çetat guerile nuk ishte as më shumë e as më pak se sa një kupolë vrasësish që morën pushtetin. Së treti, lufta civile që shpërtheu e që kulmoi me masakrën e Tivarit dhe së fundi, por jo nga rëndësia, ajo që ndodhi në Shqipëri me ardhjen e komunistëve dhe komandantëve të luftës më bëjnë të mendoj se ajo që ndodhi në të ashtuquajturën Luftë Nacional Çlirimtare qe e kobshme dhe e errët.

You may also like...