Luftë e madhe në media, erdhi Erdogan!

Kur shpërthen topi, mua më duket sikur thotë: ‘Allah!’, tha kryehoxha
Kur shpërthen topi, mua më duket sikur thotë: ‘Taksë!’, tha kryefinancieri
Ismail Kadare, Kështjella

Por kur flet Erdogan, mua më ngjan se thotë asgjë më pak e asgjë më shumë se sa Biznes!

Gjergj Erebara

Sa shumë të gëzuar, euforikë, e sa shumë të trishtuar… të dyja palët më kot po e konsiderojnë vizitën e Erdogan në Kosovë si një ngjarje vendimtare në histori, ca si katastrofë e ca si shpëtim.

Oksidentalistët prej kohësh janë të shqetësuar nga ky “afrim i Shqipërisë me Turqinë”. Për ta, pas miqësisë me “popullin vëlla turk”, fshihet orientalizimi i Shqipërisë, largimi nga Europa etj., etj! Me pak fjalë, fundi i botës. Nacionalistët, përgjithësisht antigrekët, na e shohin këtë vend si shpresë balancuese, si një partneritet momental me leverdi, jo si diçka shpirtërore.

Muslimanët e shohin si shembulli frymëzues i qeverisë së fortë, që arrin të rrisë ekonominë e të rikrijojë Kalifatin. Të gjitha këto fshehin ose lënë në plan të dytë arsyen e parë dhe të fundit të vizitës së Erdogan në Kosovë. Biznes!

Mbaj mend më 2005, kur turqit mësynë për të blerë Albtelecom, në një tender tërësisht të manipuluar, (ah, po, të kryer nga qeveria socialiste dhe të finalizuar kundrejt haraçit nga qeveria demokratike). Dikush më tha: Më mirë turqit se sa grekët. I thashë se biznesi nuk është si ndeshje futbolli, ku mund të bësh tifoz për kë të të pëlqejë. Kur bën biznes dhe ta bëjnë me hile, nuk ka rëndësi se çfarë kombësie ka pala tjetër. Rezultati është njësoj.

Nuk dihet se si e shohin privatisht politikanët shqiptarë, por dihet se të gjithë kryeministrat e dekadës së fundit janë shprehur publikisht entuziastë për “marrëdhënie speciale” me Ankaranë. Kryeministri aktual Edi Rama, madje thotë se konsideron marrëdhëniet me Turqinë në të njëjtin nivel me Greqinë e Italinë.

Turqia ka bërë investime në Ballkan dhe nuk është se ka dalë keq. Kompani të rëndësishme shtetërore u shitën për qindarka te kompanitë turke dhe protektorët e tyre politikë, (siç u shitën edhe te kompani greke, austriake, britanike, gjermane e çfarë t’u zërë pragu i derës). Shqipëria shiti Albtelecom, bankën e dytë më të madhe në vend, pa përmendur kombinatin e çelikut, një pjesë të portit të Durrësit, bakrin e Pukës. Kosova shiti aeroportin, rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, e të tjera. Rrjeti i shpërndarjes u shit për një kompani pa kurrfarë eksperience për çmimin qesharak prej 26 milionë eurosh.

Erdogan nuk vjen asnjëherë për kot në trojet tona, as në Shqipëri e as në Kosovë. Në shkurt 2005 ai erdhi në Tiranë, ndërsa qeveria e Fatos Nanos firmosi shitjen e Albtelecom. Ai erdhi pak më vonë për të mbyllur pazarin për Albtelecom dhe sërish mbërriti për tenderin e Rrugës së Kombit. Kësaj here erdhi në Prishtinë për të ashtuquajturin terminal të aeroportit.

Shkurt, sa herë që ka ardhur Erdogan në trojet tona, fjala kyçe ka qenë biznes.

Por sa herë ai ka ardhur në Shqipëri, ka patur debate banale të karakterit “tallave” ku opinionistë, por edhe politikanë, kanë shprehur entuziazmin e tyre properëndimor, antigrek, proturk, antiislamik, proislamik, etj, etj.

Në fund, e vetmja gjë që vlen për t’u diskutuar është se sa do të paguajë Kosova te privatizuesi i Aeroportit të Prishtinës e sa do të përfitojë. Duket se kostoja është shumë më e lartë se sa përfitimet. Të tjerat janë thjeshtë banalitete. Sikur Erdogan të qe amerikan, nuk do tw kishte asnjë ndryshim.

You may also like...