Mbi komunistët, neokomunistët dhe ata që shkruajnë me ‘ë’

Lorena

Kohët e fundit, ka dalë nami lart e poshtë, se po bëre statuse në fb me përdorimin e shkronjës ‘ë’, automatikisht je njohës i thellë i historisë, sistemet politike, politika, gjeopolitika madje dhe vetë punët e Zotit në krijimin e njerëzimit. Përpos këtyre veçorive, pikërisht në këto kohë, përdoruesit e denjë të ‘ë’-ve duhet të jenë në dijeni të faktit se komunizmi dhe komunistët kanë kryer shumë krime ndaj shqiptarëve.  Kur flas për përdoruesit e ‘ë’-së, nuk e kam fjalën për stërgjyshin tim me idealet e tij partiake por për 22-vjeçarët e 2014, simpatizantë torollakë të komunizmit. U them torollakë, sepse ata nuk e dinë çfarë është komunizmi, sistemet totalitare, ngatërrojnë komunizmin shqiptar me atë të huaj, injorojnë historinë si mjet për të kuptuar çfarë është e mirë apo e keqe dhe mjaftohen me slogane pasi nuk kanë kohë të lexojnë.

Ky eshte fakt

Ky eshte fakt. Memoriali ne perkujtim te viktimave te komunizmit ne Tirane

Kjo eshte gallate

Kjo eshte gallate

Pas qejfit për të qenë komunistë, fshihet snobizmi i tyre i sofistikuar,  asnjë dije e kristalizuar, por thjesht një ambalazh i përbërë nga disa fjalë të adaptuara nga anglishtja. A janë në dijeni këta të rinj që supozojë veten për inteligjentë se inteligjenca në kohën e komunizmit në Shqipëri ishte burgjeve? Injoranca të shtypte me këmbë dhe për fatin tënd vendoste komshiu, kryetari lagjes. Ah, disa nga këta na thonë se janë të moderuar. Disa sikur e kanë kuptuar se komunizmi shqiptar qe njësoj si fashizmi, se komunizmi sovjetik qe njësoj si nazizmi. Por duket se vijojnë të refuzojnë të kuptojnë se barazia e premtuar qe që shumica punonte për të ushqyer me luks pakicën udhëheqëse. Se udhëheqja jetonte në vila, (si edhe udhëheqja e sotme), ndërsa shqiptarët jetonin nëpër hale. Për ta, duket se komunisti i mirë është ai që nuk bën pyetje por e gëlltit sloganin pa e bluar dhe rri drejtë me të.

Asnjë sistem totalitar nuk është i mirë. Asnjë sistem politik që vret njerëz nuk mund të jetë i mirë. Asnjë sistem i bazuar te propaganda si mjet për kapjen dhe mbajtjen e pushtetit, nuk mund të jetë i mirë.

Vetë fakti që ka njerëz me të cilët edhe sot mund të hysh në debat nëse komunizmi shqiptar paska qenë i mirë apo i keq, është një fakt alarmant në vetvete. Një sistem që i detyroi tri breza shqiptarësh të jetonin me frikën e të arrestuarit nga dita në ditë. Të jesh mbështetës i komunizmit shqiptar duhet patjetër të kesh ndonjë aftësi të posaçme në refuzimin e fakteve.

 

Hapja e ndonjë libri para se të marrin nisma dhe të përkrahin komunizmin është e këshillueshme në këto raste për të lënë idealet e stërgjyshit në terezinë e vet dhe të vendosin vetë për të ardhmen. Nëse kokat e tyre nuk nxënë dhe e kanë ndare mendjen atëherë unë ju sugjeroj të shkojnë të jetojnë në Kinë ose në Kore. Mëngjeseve le të mbajnë leksione për komunizmin dhe darkave të imagjinojnë se si do t’i pushkatojnë pasi i kanë kapur me teken e tyre të hashashit te cepi i pallatit. Këta nuk e dinë çfarë kërkojnë!

Të mos arrish të dallosh të mirën nga e keqja është e metë e madhe, por të merresh me politikë duke u kufizuar vetëm te sloganet propagandistike është e metë akoma më e madhe

Nuk është synimi im të tregohem radikale. Dhe pikërisht ky është rreziku, që radikalizmi të pjellë radikalizëm.

Kjo organizatë u krijua si pasojë e ngjarjeve të 21 janarit me synimin për të na shpëtuar nga padrejtësitë dhe konkretisht na ka shpëtuar. Kjo organizatë jo vetëm që na ka shpëtuar, por na ka mundësuar jetesën në planetin tokë. E gjithë çështja është se nuk duhet të na ndihmojë më kaq shumë sepse nuk po i përballojmë dot gjithë këto të mira që po i bëjnë kësaj shoqërie këta komunistë të vegjël. Më ka ndodhur shpesh t’i rastis duke u mburrur se kane lexuar një libër, të cilin e kanë lexuar vetëm 3 veta (kjo i bën njëkohësisht si tip biçim dekadentësh). Refuzimi i tyre për të dëgjuar çfarëdolloj gjëje që nuk përputhet pikë për pikë me ideologjinë që i mësojnë vetes i bën ato të jenë një forcë prapanike, por vetëm për vetveten. Pjesa tjetër e shoqërisë dukshëm ka sy për të lexuar., me ose pa ‘ë’

You may also like...