Mbi njëqind policë në përleshje, tre police të plagosura, çfarë probabiliteti!!!

Propaganda se tre police të policisë policisë bashkiake u lënduan gjatë protestës së dhunshme të deputetëve dhe militantëve të opozitës në parkun e Tiranës mbart një normë probabiliteti të lartë, akshe-akshe, të pamundur.

veiaj2DiaryofTirana

Nuk ka gjë më të shëmtuar se sa ca deputetë që dhunojnë policë. Kjo është tërësisht e vërtetë, pavarësisht se kush është në pushtet dhe kush në opozitë. Qe e vërtetë më 21 janar 2011, është e vërtetë edhe më 28 mars 2016.

Situata bëhet më e papranueshme nëse kemi deputetë dhe militantë demokratë nga njëra anë, dhe police femra të policisë bashkiake apo të policisë së shtetit nga ana tjetër.

Mos po bëhemi sentimentalë me tepri?! Policet femra në një protestë vështirë se mund apo duhet të shërbejnë për t’u përleshur me tipa si Çim Babasi apo Flamur Noka. Ato zakonisht janë aty për të ndaluar elementë të rrezikshëm mes protestuesve të të njëjtit seks.

Të kuptohemi, dhuna në vetvete është me shkallë. P.sh, të shtyhesh me policinë në protestë e sipër është një gjë. Ta dhunosh atë, ose të dhunohesh prej saj, është një gjë tjetër. Përleshjet mes protestuesve, deputetë dhe militantë demokratë, dhe policisë, më 28 mars 2016 në liqenin artificial hyn diku te fërkimet e rëndomta në një protestë, nga ato lloj fërkimesh që janë pjesë e spektaklit, me ndonjë tejkalim të mundshëm.

Gjithsesi, ku ishim?! Te policet e dëmtuara!

Nëse në një përleshje të tillë ka 100 policë dhe mes tyre, të vetmet të lënduara janë police, probabiliteti stonon paksa. Nga të gjithë policët, shumica dërrmuse qenë meshkuj. Femrat police qenë, me gjasa, të gjitha të lënduarat. Nëse do të kishim 20 policë të lënduar dhe mes tyre, të kishim edhe tre femrat, këtu mund të ishim në rregull. Problemi është se bashkia dhe policia e shtetit nuk kanë folur për të lënduar mes policëve meshkuj, kanë folur vetëm për femrat.

Por, problemi është se nuk është tërësisht normale që të vëmë në dyshim lëndimet e policëve, aq më tepër, kur këto janë police, thjeshtë me logjikën e probabilitetit. Kjo do të ishte e vërtetë, në rast se nuk do të kishim historinë e deritanishme të akuzave për dhunë.

Erion Veliaj doli në një spital në një skenë shumë prekëse pak javë më parë dhe deklaroi se një polic i tij, Dritan Hardhia, qe goditur me bisht lopate në gjoks. Problemi është se policia e shtetit nuk ngriti akuzë për goditje për shkak të detyrës dhe lajmi rezultoi i pavërtetë.

Pastaj kishim atë lajmin që klienti i bashkisë, me titullin formal “nënkontraktor”, biznesmeni Kastriot Ponari, u raportua në median pro betonit si person të cilit, protestuesit i kishin thyer këmbën. Pak ditë pas kësaj, biznesmeni i këmbës së thyer u shfaq sërish në protestë, shëndoshë e mirë.

Tani kemi edhe tre policet, lëndimi i të cilave ngjan me një probabilitet të pabesueshëm. A thua do të ndjehemi të prekur nga kjo lloj propagande?!

You may also like...