Më e mira e botëve

Dalja e kryeministrit Rama në emisionin Opinion të ditës së enjte ngriti të njëjtat shqetësime që rëndom shoqërojnë çdo dalje të tij në këtë studio. Nuk përbën më lajm fakti se ndryshe nga intervistat me gazetarët e huaj (kujto rastin e Tim Sebastian), në daljet e tij “lokale” lideri global Rama shpërfaq gjithnjë e më shumë arrogancë, e cila jo pak herë degjeneron në ofendime vulgare dhe fyerje.

Në një vend tjetër, këto shenja duhet të shiheshin si një sinjal për shoqërinë, e cila më së paku do të donte ti hiqte timonin e drejtimit një personi të paaftë të përballet me presionin e një medie, qoftë kjo edhe Klan.CE07F1BD10EDA6B45401D04981BDD0F8

Por faktet kanë konfirmuar se pas këtyre intervistave arroganca e Ramës është quajtur si një shenjë vetëbesimi dhe suksesi.

Në mungesë të çfarëdolloj arritjeje, arroganca e kryeministrit rritet në progresion gjeometrik.Por sado që stili i të mohuarit të gjithçkaje, edhe deri përbuzja e çdokujt që e kundërshton, janë të dukshme në sytë e të gjithëve, me përjashtimin disa vezëve të hedhura aty këtu, sjellja e Ramës nuk ka sjellë ndonjë ndëshkim qytetar edhe elektoral për të.

Shpesh thuhet se ndëshkimi nuk ka ardhur sepse opozita është e pafuqishme dhe se ajo nuk ka alternativë. Ky është një argumentim që në dukje ka baza të forta, por që gjithsesi bie ndesh me dy argumente; argumenti i parë lidhet me rrezikshmërinë e një individi si Rama në krye të shtetit dhe qeverisë (që do e trajtojmë më poshtë). Argumenti i dytë lidhet me situatën brenda PS-së, ku një numër deputetësh të një partie që dikur shihej si akoma më demokrate sesa PD-ja e Berishës sot kanë lënë në baltë Ben Blushin.

Këto dy argumente duket sikur i drejtojnë vektorët e përgjegjësisë drejt dy faktorëve që lidhen me përgjegjshmërinë shoqërore që secili prej nesh duhet të ketë ndaj politikës. Kjo përgjegjësi duket se me kalimin e viteve është tkurrur duke e shndërruar vetë politikën në një çështje të huaj për shoqërinë dhe identitetin e çdo qytetari, kur në fakt duhet të ishte e kundërta.

Pasojat e kësaj tkurrjeje i shfrytëzon sa Rama, aq edhe establishmenti ekonomiko-politik, për të ndërtuar dhe ligjëruar politika të padrejta, sa ndaj individëve, aq edhe ndaj publikes. Si pasojë e kësaj, me përjashtim të rasteve ekstreme si ky i plehrave apo ai i armëve kimike, vështirë se sot gjen qytetarë që të dalin dhe të protestojnë, le të themi për ligjin e Investimeve Strategjike që përçmon publiken dhe vjedh privaten, apo qytetarë që të protestojnë kundër manjatëve të biznesit që duan të monopolizojnë gjithçka. Ndaj tyre, nuk ka një protestë apo reagim, në mënyrë që vendi të zhvillohet në drejtim të një ekonomie të lirë tregu.corrupted_media___mohamed_sabra

Për rrjedhojë, kryeministri aktual e ka të lehtë zbatimin e politikave kinse publike për t’i çuar ato më pas në duart e monopolistëve që e sponsorizojnë nga pas. Në të njëjtën mënyrë veproi Rama edhe në rastin e plehrave dhe ligjit për importin e tyre.

Ai u bashkua me shoqërinë civile dhe me qytetarët e angazhuar për të kundërshtuar një ligj të risjellë (pas Nanos) nga Berisha dhe në fund të mandatit të tij aprovoi pikërisht atë që kishte rrëzuar në fillim të mandatit të tij. Forma se si kryeministri zgjodhi për të përçuar këtë mesazh ishte më se e papërgjegjshme për çdo kryeministër të rajonit.

Por Rama, në dijeni të aftësisë së televizionit për të zhdukur realitetin, mundi në mënyra të ndryshme të krijojë sa e sa alibi.

Madje këto alibi, në një intervistë të gjatë edhe të lodhshme, binin në pyetjet e radhës që kërkonin një gënjeshtër më të madhe që rrëzonte gënjeshtrën paraardhëse. Por kjo nuk i bën më përshtypje Ramës edhe as motorit të tij të kërkimit në zyrën e propagandës së Kryeministrisë; përkundrazi, kjo taktikë e shoqëruar me taktikën e dezinformimit, ka prodhuar një artikulim publik që ka lënë të mpakur një shoqëri që duhet të kishte reaguar me kohë e me vakt.

Teknika e fabrikimit të gënjeshtrave të mëdha në mënyrë që ato të zëvendësojnë gënjeshtrat e vogla është mënyra më efikase për të zhbërë totalisht konceptin e të vërtetës dhe forcës së saj në shoqëri. Pikërisht këtë të fundit, kryeministri duket se tenton ta copëtojë duke e trajtuar si një plastelinë që ai mund ta formojë si t’i interesojë me dorezat e tij mediatike. Shembullin më të mirë e dha media vizive në ditën e protestës kundër plehrave, apo në ditët e protestës për parkun e liqenit që u betonizua nga kandidati në hije i PS-së.

Por, cili është synimi i Ramës që përmes gënjeshtrave e manipulimeve gjithnjë e më të mëdha? Synimi i tij është asgjësimi i plotë i mekanizmit të kritikës publike, e cila, duke peshuar, mirë apo keq, të mirën përkundrejt të keqes, mban në këmbë dhe vë në lëvizje vetë shoqërinë. rama-deti

Në thelb, Rama po asgjëson shoqërinë, ose më saktë, atë lloj shoqërie të cilën ne e marrim të mirëqenë si demokratike. Në vend që të përdorë masivisht dhunën klasike të  sistemeve të mëparshme totalitare, për të arritur zhdukjen e demokracisë në Shqipëri Rama përpiqet të mos krijojë asnjë të vërtetë duke ndërtuar ë gjithçka në bazë gënjeshtrash, madje akoma më keq, duke ndërtuar realitetin përmes asaj gënjeshtre që paraqitet më e bukur.

Kësisoj, qytetarët të cilët teorikisht duhet të zgjedhin midis alternativave, midis të djeshmes dhe të sotmes, praktiksisht mund të zgjedhin të sotmen, e cila është një gënjeshtër e stisur më bukur edhe “organikisht” sesa e djeshmja. Por jo vetëm kaq. Tashmë në këtë botë bojërash dhe ngjyrash, e vërteta “e hidhur”nuk ekziston më, pasi nuk ekziston më ai kandar që mat realitete dhe masa të krahasueshme. Matja dhe krahasimi janë neutralizuar sepse shoqëria është e  reduktuar të gjykojë, jo mbi ndjeshmërinë e të vërtetës, por mbi ndjeshmërinë e estetikes që rrethon të pavërtetën.

Nëse arrin të jetë i suksesshëm, një operacion i tillë nesër do të prodhojë një qeveri e cila, pasi të shfarosë totalisht çdo lloj oponence, do të mjaftohet të qeverisë me andralla edhe më të mëdha. Madje, nuk do të jetë fare e nevojshme apo e dobishme që Rama të tentojë të burgosë Metën apo ndonjë tjetër, duke qenë se aleatët e tij nuk do të jenë parti politike të vërteta. Nuk do të kemi më grupime që prodhojnë politikë, por thjesht grupime individësh që kanë ndërtuar parti hierarkike për të vjedhur sa më shumë dhe për ta shpërndarë vjedhjen në formë piramidale.

Në fakt ky zhvillim që unë plot pesimizëm ia atribuoj të ardhmes, sot është më shumë se realitet. Nëse rastis që në një moment të caktuar ndonjë individ të kërkojë prej këtij establishmenti pseudopolitik diçka politike, atëherë qeveria do të angazhohet të prodhojë një gënjeshtër speciale për këtë individ (fjala vjen siç prodhoi lajmin “BE njeh çështjen çame” për t’i bërë qejfin Idrizit), sikundër do të prodhojë një konflikt brenda mazhorancës që do të zgjidhet pas një darke të gjatë në të cilën disa syresh do luten për ndryshim.

Zgjidhja e këtij rebusi prej të cilit duket qartësisht se asnjë qytetar nuk do të mund të jetë fitues, mund të gjendet vetëm në një mënyrë.

Shoqëria duhet të reagojë.

Reagimi shoqëror duhet të zhvillohet jo thjesht dhe vetëm në rrafshin e kauzave dhe protestave qytetare. Para së gjithash reagimi duhet të trondisë nga themelet vetë partitë politike. Në rast se këto fosile partish të dorëzuara tek grupet e interesit arrijnë me sukses ti amortizojnë tronditjet, duke vazhduar të flenë të qeta në dyshekun me susta të përkundur nga grupet e interesit, e vetmja zgjidhje paqësore mbetet krijimi i partive të reja përtej tyre. 14440948_983991375059715_8787660167372716834_n

Nëse aktivizimi i çdo qelize qytetarie në shërbim të vlerave dhe demokratizimit të partive politike nuk do të ndodhë, vendi rrezikon të prodhojë një status quo që do të duket se do na ngopë me lugë të zbrazur duke vazhduar të na mbysë të gjithëve me indiferencë.

Kjo është luga e zbrazur që më në fund do të arrijë të kënaqë vetëm shijet dhe interesat e një grupi njerëzish, të cilët nuk ngopen më me disa lugë bosh ose plot, por pasi kanë shtënë në dorë të gjithë tasin, nuk janë aspak indiferentë ndaj ruajtjes së kësaj status quo-je.

Janë të njëjtët njerëz.

Nëse situata do të mbetet përjetësisht kështu, atëherë ky vend do të jetë edhe një herë laboratori më i perfeksionuar i asaj çfarë Huxley e quante “O më e mira e botëve!”

You may also like...