Më të mirët e të mirëve

  1. Dhe ti do të adhurosh liderin tënd.

Me rilindjen e kalamajve të Bllokut si parti në pushtet, Shqipëria e mprehu sërish shpatën edhe njëherë për situatën. Pa ndryshuar në thelb ndonjë gjë, ajo ndryshoi strategjinë për të shitur jashtë imazhin e saj. Në zhargonin e marketingut kjo quhet “branding”. Konceptet e trashëguara nga qeveria paraardhëse nuk u zhdukën totalisht. Ato u ripaketuan, u rikonceptuan dhe rilindën në një format të ri të “branduar” nga djelmoshat e Rilindjes. Ata, pasi kishin arritur me sukses të ripaketonin edhe vetë Gramoz Ruçin si të rilindur që do të rilindte mëmëdhenë, ia dolën fare mirë ta ripaketonin Shqipërinë për 1 Euro të Berishës me amballazh të ri ngjyrë mavi.
programi

Pasi zgjidhi problemin jetik të amballazhit, Rilindja përveshi mëngët për tu marrë me gjëra thuajse po aq të rëndësishme. Përmes një huaje nga institucioni më i lartë financiar ajo investoi fort për të mbjellë palma dhe për të shtruar sheshe me beton fringo të ri në një vend të cilit i mungon uji dhe kanalizimet dhe që nuk prodhon thuajse asgjë. Shuma të mëdha parash u hodhën në sektorin e Turizmit dhe Promovimit, i cili pasi dështoi nën hyqmin e ministres Kumbaro, kaloi nën pushtetin e ministrit Ahmetaj. Një “brandim” i drejtuar nga kryeministri dora vetë, i cili u angazhua personalisht për të prodhuar një ekspozitë allasojshe në katin e parë të kryeministrisë.

Në mes të këtij vrulli, meqë brandimi dukej se nuk po jepte efektet e dëshiruara nga PR-i Rilindjes (kjo edhe sepse të huajt nuk janë, si duket, aq të verbër sa shqiptarët), Xhafer Rakipllari shkroi një opinion të shkurtër mbi brandimin duke pohuar, pas një analize, se “brand-i nuk është thjesht një imazh pamor, dhe as imazhi vetë nuk është thjesht një logo e shoqëruar me një fushatë reklamimi.

Reagimi i Rilindjes ishte i vonuar, por gjithsesi ministrja Ekonomi (që hyri në fushën e lojës pasi Ahmetaj zëvendësoi ish ministrin Cani) në një nga daljet e saj publike deklaroi përpara studentëve se “brandi që ka Shqipëria sot është Edi Rama.” Aq e sinqertë dhe pastër qe znj. Ekonomi në deklaratën e saj, saqë përgjigjes së pyetjes në fjalë ajo i shtoi argumente kafkiane dhe kafkeske në të gjitha kuptimet e fjalës, duke thënë se Rama “është nga ata njerëzit që globin e ka te koka” që “i ka dijet te mendja dhe di t’i përdorë shumë mirë në momente të caktuara”.1689582

Pas kësaj deklarate historike të shumtë ishin ata që u përpoqën të ulin gjakrat duke argumentuar para shqiptarëve se thënia e ministres s’ishte gjë tjetër veçse shprehje e adhurimit të papërmbajtshëm që stafi qeveritar ushqen në raport me Liderin Global. Fjalët e Ekonomit vazhduan të jehonin në një vend që e pëlqen batutën më shumë se esencën. Ndërkaq Rama vazhdoi të pëmirësojë brandin e tij personal duke përkthyer në serbisht kryeveprën e tij bashkë-autoriale (të cilës ia mohon autorësinë) nën titullin dykuptimësh “Kurbani”. Kësaj here Rama e kurseu kalimin nga Presheva në ecejakjet e tij nga Serbia në Kosovë.  Ishte dhe mbetet e njëjta Preshevë, të cilës në vizitën e tij të parë në Serbi i premtoi para dhe mbështetje. Premtime që u ripaketuan në harresën kolektive të mediave të pavarura, të lira dhe të ndershme.

Kësisoj djemtë e rilindjes riprodhuan me sukses fabulën “Kryeministri Rama brandi Shqipërisë dhe i mbarë Ballkanit”.

  1. Të gjitha rrugët të çojnë në Tiranë.

Ndërkohë që njerëz seriozë përpiqen të artikulojnë me shifra dhe prova se qeveria ka dështuar në rritjen e investimeve të huaja, ministria Ekonomi e bindur se serioziteti nuk është virtyt, por ves, ka vendosur të shpallë sukseset përkatëse në këtë fushë. Në një intervistë për OraNews, pasi pyetet për largimin e Call Center-eve si pasojë e ligjit të ri të vendosur nga qeveria e mikut Renzi, znj. Ekonomi, pasi sqaron se kryeministrin nuk e zë gjumi (duke na rikujtuar se ai e ka globin në kokë, ndryshe nga ndonjë tjetër) shton se “Ka kompani nga Makao që kanë ardhur dhe kanë shfaqur interes për të investuar në Shqipëri”.konomiatUET

Ata që dëgjuan Ekonomin nxorrën celularët nga xhepat dhe nisën të kërkonin emrin Makao (Macau). Ata zbuluan në hartë një vend shumë të vogël në juglindje të Kinës, ish-koloni portugeze deri në në vitin 1999. Ky vend që nuk njihet për prodhimin e kurrgjëje ka vendosur të investojë në Shqipëri.

Interesante apo jo? Kushdo që mendon se zonja Ekonomi tallet, gabon rëndë. Ditët e para të ardhjes së saj në postin e ministres, zonja Ekonomi vazhdoi të insistonte për tenderin e Portit të Karpenit, që hasi dhe reagimin opozitar. Në këto ditë të vështira për ekonominë e vendit, duket se kryeministri (që ka shpeshtuar vizitat në Singapor dhe Kinë) ka vendosur t’i japë çelësat e IHD-ve kompanive fiktive nga Kina. Këto të fundit kanë bazat e tyre të kompanive guaskë në këto “ishuj” të kolonizuar nga vendet e tjera, që Kina i mban si tampon për të “legjitimuar” korrupsionin e byrosë politike të Partisë Komuniste Kineze.rama keqiang 701x582

Sado qesharake të duket thënia “Të gjitha rrugët të çojnë në Tiranë”, është koha të ta lëmë modestinë mënjanë, pasi ajo ka shumë kuptim kur flasim për kompanitë guaska pas të cilave mund të fshihen edhe ish-gazetarë apo gazetarë shqiptarë.

  1. Përfundime (sh)qetësuese.

Sipas të dhënave zyrtare të vitit 2017, Shqipëria “ka rilindur” me investime të huaja poshtë mesatares së rajonit dhe në krahasim me vendet fqinje ajo ndodhet në fund të tabelës. Ndonëse industria e mikpritjes mbetet prioritet i qeverisë, ende nuk kemi ndonjë industrialist aq serioz që të bjerë në dashuri me bukurinë shqiptare që ka në mendje brandi ynë zyrtar.

Nëse shohim koncesionet e Rilindjes, kemi arsye të mjaftueshme për tu trembur se vetëm vende si Makaoja mund arrijnë të kuptojnë sharmin global të kryeministrit Rama. Pjesa tjetër e botës nuk di dhe nuk mund të dijë asgjë. Ata që dinë vështrojnë të habitur se si një shtet me një popullsi faktike prej 2.8 milionë banorësh vazhdon të “brandohet” si një mrekulli e nivelit botëror dhe jo si ajo krijesa tashmë e vendosur në listën e specieve të rrezikuara nga zhdukja.

You may also like...