Media dhe beton!

Mjafton të shohësh trendin lëpirës të mediave ndaj qeverisë, përkuljen e tyre deri në falsitet ndaj pushtetit qeveritar dhe mbi të gjitha buzëqeshjen e fund vitit ku Kryeministri përbuz me ç’të ketë mundësi (por gjithsesi me stil) mediat. Për të ngritur një pyetje tejet të rëndësishme në një vend demokratik: Ku është pushteti i katërt?

Për ta lehtësuar dhe thjeshtëzuar këtë përgjigje, ftoj lexuesit të ndjekin me vëmendje rastin e protestave tek Parku i Liqenit. Për thuajse një muaj, qytetarë të angazhuar ndonëse pak në numër kanë thërritur protesta sa i takon një këndi lojërash tërësisht abuziv dhe në kundërshtim me çdo rregull dhe dispozitë ligjore të vendit. Mbulimi mediatik i kësaj proteste ka qenë thuajse zero, përjashto ndonjë faqe interneti e cila për arsye të ndryshme ka pasqyruar aktivitetin e të rinjve, mediat tradicionale nuk kanë pasqyruar thuajse aspak zhvillimet në park.

Fjala vjen, asnjë nga mediat e shkruara apo vizive nuk është përkujdesur le të themi me hulumtimin dhe investigimin se çfarë po ndodh në park. Megjithëse është shumë e kollajtë që me një kamerë apo me një gazetar me aparat modest fotografik të shkosh pranë rrethimit të parkut dhe të fotografosh kafshërinë betonizuese që shitet për kënd lojërash ekologjik. Një heshtje që vazhdon edhe karshi disa të rinjve që ditët e tyre ia kushtojnë tanimë një kauze që ende e besojnë se do ta fitojnë, ndonëse i gjithë ky ingranazh mediatik hesht.

Nuk më besoni? Bëjeni një provë! Hapni të gjitha mediat online që vizitohen më shumë dhe lexoni çfarë flasin për protestat e parkut! Lexoni se çfarë shkruan Balkanweb që është faqja e klikuar, lexoni se çfarë shkruan Tema.net që është faqja më e fundit proqeveritare, lexoni se çfarë kanë transmetuar TV Klan, ABC News, Panorama e kështu me radhë. Të gjithë këto faqe heshtin, mund të merren me të mbathurat e Rita Orës, këmbët e Dua Lipas, golin spektakolar të Alban Mehës por askush nuk flet për betonin.

Të gjithë heshtin për betonin dhe atë që bën Erioni sepse shumica e pronarëve të këtyre mediave nuk janë vetëm se ndërtues. Të cilët janë në pritje të lejeve të ndërtimit, shumica e të cilave me shumë gjasë do të jepen atje ku sot është garda e republikës, pra kah liqenit. Janë këto pronarë mediash që nuk u intereson të ngacmojnë qoftë edhe për pak pseudo opozitë ndaj betonizuesit Veliaj dhe kryebetonizuesit Rama, nervin e qytetarëve që ecin somnambul në Tiranë dhe nuk dinë se ç’ndodh.

Ndërkohë që gazetarët, nën këtë situatë deflacioniste u duhet të përtypin heshtjen megjithëse kjo përtypje tanimë është kthyer në modë. Të tjerë prej tyre kanë përfitime të një dore tjetër, përfitime qeveritare në ndonjë favor të vogël që mund të na shpëtojë shumë në këtë situatë recesioni. Kështu, qeveria kontrollon edhe atë pak pushtet që logjikisht dhe praktikisht mund të ngrinte një numër të vogël qytetarësh.

Por ka prej mediave, të cilët nën termin “Partia më e rëndësishme se atdheu” vazhdojnë të prodhojnë baltë edhe ndaj atyre pak qytetarëve që kanë vendosur mos të marrin drogën e mediave tradicionale. Media të tilla na shesin shtrimin me tapet sintetik të tarracës së bashkisë, nga një prej firmave që po shtron me beton liqenin, si një risi që dëshmon dashurinë e kryetarit të bashkisë ndaj mjedisit dhe pemëve.

Media jo vetëm të kastruara por edhe të shpërfytyruara, në shërbim të plotë ndaj pushtetit dhe partisë për t’u ngritur në shkallët më të larta të përfitimit. Qeveria ndërkohë që përmes normave të interesit në fushën e ndërtimit apo koncesioneve vazhdon të rrisë inflacionin e servilosjes dhe sahanlëpirjes mediatike duke prodhuar hera herës dhe informacione që në një vend normal do të prodhonin ilaritet.

You may also like...