Merkel ‘la në bixhoz’ reputacionin e Gjermanisë në çështjen e Greqisë, thotë Habermas

Kreu intelektual i integrimit Europian thotë se përpjekjet e gjeneratave të mëparshme janë vënë në rrezik nga qëndrimi i ashpër i Angela Merkel kundër Greqisë.

merkelPhilip Oltermann, Guardian

Jürgen Habermas, një nga figurat udhëheqëse intelektuale të integrimit Europian lëshoi një sulm përçmues ndaj kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, duke e akuzuar atë se ka “lënë në bixhoz” përpjekjet e gjeneratave të mëparshme për të rindërtuar reputacionin e vendit pas luftës me qëndrimin e saj të prerë ndaj Greqisë.

Duke folur për marrëveshjen e shpëtimit për herë të parë që kur kjo marrëveshje u arrit të hënën, filozofi dhe sociologu tha se kancelarja gjermane kreu efektivisht “një akt ndëshkimi” kundër qeverisë së majtë të Alexis Tsipras.

“Kam frikë se qeveria e Gjermanisë, përfshirë fraksionin e saj socialdemokrat, ka lënë në bixhoz në një natë të gjithë kapitalin politik që një Gjermani më e mirë e pati akumuluar përgjatë një gjysmë shekulli,” tha ai për Guardian. Qeveritë e mëparshme të Gjermanisë, tha ai, patën treguar “ndjeshmëri më të madhe politike dhe një mentalitet post-nacional”.

Habermas, i cili konsiderohet gjerësisht si një nga intelektualët më me ndikim bashkëkohorë të Europës, tha se duke kërcënuar Greqinë me dalje nga Eurozona gjatë kryerjes së bisedimeve, gjermania “e ka zbuluar veten në mënyrë të paturshme si kryedisiplinari i Europës dhe se për herë të parë ka ngritur pretendimin për hegjemoni gjermane në Europë.”

Pasojat e bisedimeve mes Greqisë dhe vendeve të tjera anëtare të eurozonës, tha ai, “nuk kanë kuptim në terma ekonomikë për shkak se përzjerja helmuese e reformave strukturore të nevojshme të shtetit dhe ekonomisë me imponimin e mëtejshëm neoliberal do të diskurajojë tërësisht popullatën e rraskapitur greke dhe do të vrasë çdo nxitje për rritje.”

Habermas shtoi: “Detyrimi i qeverisë së Greqisë për të pranuar një fond privatizimi ekonomikisht të dyshimtë dhe përgjithësisht simbolik, nuk mund të kuptohet ndryshe përveçse si një akt ndëshkimi ndaj një qeverie të krahut të majtë.”

Filozofi i lindur në Dyseldort, ish ndihmës i teoricienit të njohur të shkollës së Frankfurtit Theodor Adorno, u bë i famshëm gjatë protestave studentore të fundit të viteve 1960. Veprat e tij në themelimin e një identiteti politik dhe kulturor pan-Europian, të tilla si Transformimi Strukturor i Sferës Publike, pati ndikim dhe i dha formë debatit mbi politikat përreth Bashkimit Europian. Në fillim të mijëvjeçarit, Habermas qe një nga udhëheqësit e përpjekjeve për krijimin e një kushtetute Europiane.

Së fundmi, 86 vjeçari kritikoi në mënyrë agresive udhëheqësinë e Merkelit në Europë në libra të tillë si “Joshja nga Teknokracia” ndërsa u vu vetë nën kritika. Më 2013, Habermas u përplas në një seri shkrimesh me intelektualin tjetër me ndikim të krahut të majtë, sociologun gjerman Ëolfgang Streeck, i cili identifikoi atë lloj federalizmi europuian të nxitur nga Habermas si rrënjët e krizës së kontinentit.

Habermas i tha Guardian se ai qe dakord me shumë nga pikagt e nxjerra nga kritikët e tij. “Streeck dhe unë ndajmë të njëjtin mendim se ky hollim teknokratik i demokracisë është rezultat i modelit neoliberal të politikave të derregullimit të tregjeve,” th ai. “Balanca mes politikës dhe tregut ka dalë nga sinkronizimi në kurriz të shtetit të mirëqënies.

“Ajo ku ne dallojmë qëndron në kuptimin e pasojave që duhet të nxirren nga ky telash. Unë nuk shoh se si rikthimi te shtetet kombe të cilat do të drejtohen si korporata të mëdha në një treg botëror mund të balancojë tendencën drejt de-demokratizimit dhe rritjes së pabarazisë shoqërore – diçka që ne e shohim gjithashtu në Britaninë e Madhe.

“Tendenca të tilla nuk mund të kundërshtohen, nëse mund të kundërshtohen, nga një ndryshim të drejtimin politik, të sjellë nga maxhorancat demokratike në një “Europë bazë” më mirë të integruar. Bashkimi Monetar duhet të fitojë kapacitetin të funksionojë në nivel mbi-kombëtar. Në këndvështrim të procesit kaotik politik të shkaktuar nga kriza në Greqi, ne nuk duhet të lejojmë më gjatë të injorojmë kufizimet që kanë metodat e kompromiseve ndërqeveritare.”

Habermas argumentoi se Europa qe “zënë në një kurth politik”.

“Pa një politikë të përbashkët financiare dhe ekonomike, ekonomitë kombëtare të vendeve anëtare pseudo-sovrane do të vijojnë të çahen në termat e produktivitetit. Asnjë bashkësi politike nuk mund të përballojë një tension të tillë në terma afatgjatë,” tha ai. “Në të njëjtën kohë, duke u përqendruar në shmangien e konfliktit të hapur, institucionet e BE-së po parandalojnë krijimin e iniciativave të nevojshme politike për zgjerimin e bashkimit monetar në një bashkim politik. Vetëm udhëheqësit e qeverive të mbledhur në Këshillin e Europës janë në pozicionin për të vepruar, por pikërisht ata janë që nuk kanë fuqi të veprojnë në interes të bashkësisë së përbashkët Europiane për shkak se ata mendojnë më së shumti për elektoratet kombëtare.”

You may also like...