Mirë se vini në kryeqytetin europian të prostitucionit

Prostitucioni është atraksioni më i madh turistik i vendit, diçka e ngjashme me kullën e Pizës apo statujën e Lirisë. Gjendet kudo dhe oferta është e larmishme. Turmat e tifozëve që do të vijnë nga e gjithë Europa pritet ta kthejnë Kievin në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, një bordello të kontinentit të vjetër 

unnamedKievi, një metropol i madh ku prostitucioni është kthyer në një simbol lapidar

Gjergj Erebara, Kiev

Është përtej çdo imagjinate! Kievi, kryeqyteti i Ukrainës dhe një metropol me 2.7 milionë banorë, ka një nam shumë të merituar për rrugët e mbushura me prostituta dhe meshkuj mezoburra nga Europa Perëndimore që e vizitojnë atë me të vetmin qëllim për t’u çliruar.

Kështu ndodhi që shkuam në Ukrainë këtë tetor për një konferencë gazetarësh me një informacion paraprak: prostitucioni është atraksioni më i madh turistik i vendit, diçka e ngjashme me kullën e Pizës apo statujën e Lirisë.

Hoteli, një ndërtesë e stërmadhe e epokës sovjetike, ofron një hartë me atraksionet kryesore turistike. Harta përmban 12 reklama. Gjashtë prej tyre kanë të bëjnë me industrinë e seksit. Masazh erotik i shoqëruar me spektakël lezbi, seks oral dhe konvencional, kabare, kërcimtare të nxehta, vajza që thirren me një telefonatë…

Informacioni paraprak i shkruar apo i transferuar përmes gojës së meshkujve që e kanë vizituar më herët këtë vend, e ka zbukuruar disi realitetin. Vajzat ukrainase paraqiten të gjitha shtatlarta dhe shumë të bukura, ndërsa elementi çmim harrohet të përmendet.

Në çastin që hymë në hotel, Jelena na buzëqeshi. Ajo na tha se qe “masazhatore”. Pak më vonë, pasi bëmë një xhiro nëpër qytet, pyetëm dy vajza normale se nga qe rruga për në hotel. Ato na pyetën nëse kishim dëshirë për shoqëri. “Mund të shkëmbehemi, kushtojmë 150 euro secila”, qe oferta e fundit.

Pak më tutje, një djalë i ri me emrin Ivan kishte një ofertë tjetër: “Mund t’ju dërgoj të zgjidhni. Më sipër është një apartament me 10 vajza, më poshtë është një tjetër me shtatë,” tha ai. “Çmimet variojnë nga 600 në 1000 krivna, (rreth 50-90 euro), ofrohet shërbim i plotë.”

Të nesërmen, ndërsa hanim drekë në restorantin e hotelit, një gazetare ukrainase u gjend në të njëjtën tavolinë me një gazetar spanjoll. Sapo mësoi se qe nga Spanja, tha se i pëlqenin shumë meshkujt spanjollë.

Në darkë, pas një xhiroje të shkurtër në bulevardin Kreshçatik përfundoi me një duzinë kartëvizitash: luleshtrydhe, flutur, rrush, dardhë dhe një numër telefoni. Kjo qe çfarë përmbanin kartëvizitat.

Pas kësaj, qe e pamundur që të shikoje një vajzë a grua në atë qytet dhe të mos mendoje se gjithçka ofrohej për një çmim.

Policia e Kievit thotë se ka në regjistrat e saj rreth 4 mijë prostituta, të cilat janë shoqëruar së paku një herë.

Prostitutat (meshkuj dhe femra) i gjuajnë klientët e tyre nëpër hollet e hoteleve, nëpër lokale si “Mandarina”, “Arena” apo “Buda Bar”, si dhe i presin nëpër apartamente. Tutorët e prostitutave në këtë vend janë shumica gra. Konkurrenca për klientë është shumë e lartë. Por prostitutat duket se kanë një shpresë: Kampionati Europian i Futbollit do të zhvillohet në Poloni e Ukrainë vitin e ardhshëm. Turmat e tifozëve që do të vijnë nga e gjithë Europa pritet ta kthejë Kievin në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, një bordello të kontinentit të vjetër.

Pas kësaj mund ta kuptosh se pse grupi i protestueseve FEMEN del lakuriq nëpër rrugë për të tërhequr vëmendjen e botës për fatin e një kombi.

Zyrtarisht, prostitucioni është i ndaluar në Ukrainë. Prostitutat mund të arrestohen dhe dënohen, por kjo ndodh vetëm teorikisht.

Tek “Art Club 44”, një mbrëmje pamë një turk rreth të 40-ave nën shoqërinë e një kukulle që nuk i kishte as 20 vjeç. Kukulla kishte me vete një shoqe mbipeshë. Turku kalonte kohën mes dy puthjeve duke lozur me celularin. Kukulla hëngri me delikatesën e Veronica Franco-s, ndërsa shoqja e saj e mbushi barkun sikur nuk kishte ngrënë prej një jave. Kukulla filloi të kërcejë duke fërkuar duart pas vetes, një lloj kërcimi shumë i përshtatshëm për kabaretë. Gazetarët e grumbulluar nga vendet perëndimore për Konferencën Botërore të Gazetarisë Investigative komentuan se skena të tilla të shoqërimit të vajzave të vogla dhe shumë të bukura me mesoburra me fytyrë kriminelësh qe diçka e vërejtur rëndom prej tyre në të gjitha vendet e varfra.

 

Një vend që po vdes

Ukraina është një vend i mjerë, i varfër me popullatë të plakur dhe i mbushur me oligarkë. Me PBB për frymë prej vetëm 2700 dollarësh në vit, në Kiev mund të shohësh dyqan për shitjen e Ferrarit dhe Aston Martin. Oligarkët kanë shtënë në dorë fushat pjellore të këtij vendi që përveçse “bordelloja e Europës” konsiderohet edhe si “hambari i Europës.” Rreth 70 për qind e popullsisë jeton në qytete, krahu i punës duket aq i lirë sa edhe në lokalet më të vogla gjen tre apo katër kamerierë njëherësh, ndërkohë që kafeja kërkon 20 minuta të përgatitet. Gjithsesi, ajo që mund të thuhet është se vajzat më të bukura janë në gjendje të punojnë kameriere, ndërsa ato të pafatat, mund t’u buzëqeshin klientëve të mundshëm.

Gjen vajza të vogla kukulla në shoqërinë e mesoburrave fytyrëvrarë dhe mbipopullim të femrave gjithkund.

Për shumë vajza të reja, një princ i kaltër nga Europa Perëndimore është një ëndërr. Ngjan shumë me Shqipërinë e dhjetë viteve më parë.

Me dhjetëra mijëra ukrainase shfrytëzohen nëpër rrugët e Europës, megjithatë, vendi mbetet i mbushur me vajza. Në klube numri i femrave është dukshëm më i lartë sesa ai i meshkujve.

Vodka duket se është armiku publik numër një. Me kosto më pak se 5 dollarë për shishe, ky lëng pa ngjyrë i distiluar nga himet e grurit është përgjegjës për 40 për qind të vdekjeve mes meshkujve. Për rrjedhojë, meshkujt vdesin 12 vjet më të rinj se femrat. Femrat përbëjnë shumicën e popullatës në moshën seksualisht aktive. Jetëgjatësia nuk ka shënuar rritje që nga vitet ’60. Prania e kaq shumë femrave mund të shpjegojë një pjesë të faktit se sa të shumta janë prostitutat.

Megjithëse shpresa e prostitutave të Kievit qe Kampionati Europian i Futbollit, si një rast që do t’i japë para të mjaftueshme për të mbyllur karrierën e seksit dhe për të hapur një biznes të vogël për vetëpunësim, studime të ndryshme tregojnë se më shumë se gjysma e prostitutave i shtyjnë vitet e fundit të jetës duke lypur.

 

Skeda

Ukraina

Sipërfaqja: 600 mijë km2

Popullata 45 milionë, ulet me 300 mijë vetë në vit

Densiteti: 75 banorë për km2

Mosha mesatare: 40 vjeç në rritje

Jetëgjatësia: 68 vjeç stabël ose në rënie

Fertiliteti: 1.28 fëmijë për grua në moshë riprodhuese

Prevalenca HIV: 1.1 për qind e popullatës, në rritje

PBB për frymë: 2700 USD në vit

You may also like...