Misioni shqiptar i Tony Blair nuk arrin të fillojë

For the story BC-EU—Albania-BlairBalkan Insight

Gati gjashtë muaj pasi ish-kryeministri i Britanisë u shpall si këshilltar i qeverisë së Shqipërisë, ai nuk ka filluar ende punën për të ndihmuar Tiranën të integrohet në Bashkimin Europian.

“Ne mbetemi në kontakt [me qeverinë e Shqipërisë] dhe z. Blair do të jetë natyrisht i lumtur të ndihmojë, pasi si Shqipëria, ashtu edhe rajoni kanë shumë rëndësi për të, por nuk ka kontratë, thotë zëdhënësi i Blair Cirian Ward për Balkan Insight.

“Çdo ndihmë do të jepet pa kosto për qeverinë e Shqipërisë,” shton Ward.

Endri Fuga, këshilltar për median pranë kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, konfirmoi se marrëdhëniet e Blair ende nuk janë “institucionalizuar”.

“Ne respektojmë arritjet e Z. Blair si kryeministër dhe mbi të gjitha rolin pozitiv që luajti në rajon,” tha Fuga. “Kryeministri Rama ka vijuar kontaktin me Blair dhe nëse do të ketë bashkëpunim, ne do ta bëjmë atë publik.”

Megjithëse popullariteti i Blair në Britani ka ardhur në rënie të lirë që nga angazhimi i Britanisë së Madhe në luftën e Irakut, ai sërish lavdërohet nga shumë shqiptarë për rolin e tij pararojë në Kosovë.

Sëbashku me ish presidentin amerikan Bill Clinton, ai udhëhoqi luftën 78 ditore ajrore të NATO-s më 1999 kundër forcave të Sllobodan Millosheviç.

Fushata i dha fund sundimit serb mbi Kosovën ku popullata është në maxhorancë shqiptare.

Në 4 tetor 2013, Blair erdhi në Tiranë për të marrë pjesë në një takim të qeverisë me Ramën, i cili e prezantoi udhëheqësin britanik si këshilltarin e tij më të ri.

Rama tha se Blair ka ardhur në Tiranë për të ndihmuar në ndërtimin e një “njësie shpërndarjeje” me ndihmën e Bankës Botërore.

“Kryeministri Blair është në shërbimin tonë personalisht por tërësisht vullnetarisht,” Rama tha. “Ne kemi diskutuar me kryeministrin Blair dhe Bankën Botërore për të përcaktuar prioritetet tona afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata,” shtoi Rama.

Blair shpjegoi se ai do të punojë sëbashku me Bankën Botërore dhe donatorë të tjerë për të fuqizuar përpjekjet e Shqipërisë për reforma dhe për të promovuar synimin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Unë jam këtu sepse besoj në këtë vend, në popullin e këtij vendi dhe vizionin për progres që është paraqitur,” tha Blair.

“Orientimi [i Shqipërisë] drejt Europës është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe personalisht dëshiroj të shoh këtë vend në familjet e Bashkimit Europian,” shtoi ai.

Pasi u largua nga zyra më 2007, Blair ndërtoi kompaninë Government Advisory Practice, GAP dhe siguroi kontrata joshëse me qeveritë në Kazakistan, Kuvajt, Brazil dhe Kolumbi.

Kontrata e GAP në Kazakistanin e pasur me naftë thuhet se është me vlerë 16 milionë paund, raportoi më 19 majin e kaluar gazeta britanike Sunday Telegraph. Sipas të njëjtit raport, kontrata e GAP për të këshilluar qeverinë e Sao Paulo, zemra ekonomike e Brazilit, thuhet se është 4 milionë paund në vit.

Puna e Blair në Shqipëri supozohej të vinte në kuadër të iniciativës Global Netëork of Delivery Leaders, për të cilën shtatorin e kaluar u ra dakord në një takim mes Blair, presidentit të Bankës Botërore Jing Yong Kim dhe udhëheqësve të Shqipërisë, Etiopisë, Ganës, Haitit, Malauit dhe Senegalit.

Sipas Bankës Botërore, rrjeti siguron një platformë për udhëheqësit politikë për të ndarë eksperiencat dhe shkëmbyer ide që të sigurohen që qeveritë i përkthehjnë politikat e tyre në rezultate konkrete në terren.

Si mikpritës, Banka Botërore ndihmon mbledhjen e Rrjetit dhe ofron mbështetje kur ka nevojë.

Blair pritet të krijojë një grup këshilltarësh në secilin prej këtyre vendeve për të përmirësuar shpërndarjen e shërbimeve publike, duke filluar nga arsimi te normat e vaksinimit të fëmijëve si dhe ndërtimin e urave.

Gjithsesi, njësia supozohej të ndërtohej në Shqipëri me asistencën e Bankës Botërore por kjo nuk ka ndodhur ende.

“Nga të gjashtë vendet në Rrjet, ne po ofrojmë ndihmë teknike në Shqipëri dhe Senegal, ku kemi lehtësuar identifikimin e prioriteteve kyçe për zhvillimin e këtyre vendeve,” thotë David Theis, zëdhënës i Bankës Botërore.

“Banka Botërore nuk ka marrëdhënie kontraktuale me Tony Blair në asnjë prej këtyre vendeve,” shtoi Theis.

You may also like...