Miti i klasave sportive

Xhabyni

Sa herë që në televizione apo gazeta flitet për sport, gjithnjë gjuha e politikanit apo gazetarit shkon tek e famshmja “Klasa Sportive”. Shpesh e kam pyetur veten se çfarë të veçante kanë patur këto klasa sportive që janë kryefjala dhe epiqendra e çdo fjalie kur flitet për sportin? A kanë sjellë ndonjë mrekulli që unë nuk e kam gjetur dot as në analet e historisë të sportit Shqiptar?

Me aq sa jam në dijeni, nuk kemi pasur asnjë studim serioz mbi sportin në periudhën komuniste. Gjithçka çfarë dimë nga ajo periudhë vjen nga kujtimet e sportistëve (që janë subjektive), nga kujtimet e prindërve tanë (që gjithashtu janë subjektive), por asnjë gazetar nga ato që kanë qejf të pinë kafe tek Capriccio paraditeve të jetë marrë me studimin e sportit në atë kohë. Megjithëse gjatë degjenerimit që i ka ndodhur sportit këto vite, kujtimet për sportin dje janë gjithnjë e më të lavdishme a thua se dje ne kemi patur sportistët më të mirë në botë. Një fakt që nuk është jo vetëm i vërtetë, për të qenë të sinqertë, por as pranë të vërtetës.

Gjithsesi le t’i rikthehemi edhe një herë klasave sportive, që na janë bërë çelësi i suksesit të sportit tonë. Në një shënim të shkurtër për tollonin Erebara shkruan “dieta shqiptare e konsumit bazë, pa fruta e zarzavate si dhe pa marrë parasysh nevojën për të blerë rroba, për të paguar faturat apo për ndonjë akullore për ditë të dielë, kërkonte 638 lekë të kohës. Kjo jepte afërsisht 2100 kalori dhe 71 proteina. Niveli i konsumit të proteinave qe i ngjashëm me Europën e Mesjetës.

Pa mendoni pak, në një vend ku njerëzit nuk kishin ç’të hanin dhe ushqeheshin me tollona ne paskemi pasur klasa sportive që nxirrnin gjigandë të sportit. Megjithëse logjikisht një klasë sportive nuk merret vetëm me edukimin e veçantë fizik në sporte por edhe me ushqimin e sportistëve. Përmes një llogarie të thjeshtë vetëm për qytetin e Tiranës, le të marrim rreth 10 gjimnaze me nga një klasë sportive për cilindo prej tyre e me rreth 30 nxënës në secilën klasë (pra 300 të tillë në gjithë Tiranën) që do tu duhej të ushqeheshin çdo ditë me minimumi 3500 kalori/ditë. Në një vend që e gdhinte nëpër radhët e qumështit e bukës sa mundet neve të mendojmë se kemi pasur klasa sportive?

Akoma më qesharak bëhet pretendimi i politikanëve dhe gazetarëve që pinë kafe tek Capriccio kur flasin se këto klasa sportive hipotetike do t’i shërbejnë sportit dhe zhvillimit të tij. Janë qesharake sepse në këto 60 vite sporti është zhvilluar në përmasa të mëdha jo vetëm teknikisht dhe taktikisht por edhe në fusha të tjera. Nëse realisht politika dëshiron ta ndihmojë sportin në këtë vend duhet të kryejë dy veprime;

  1. Të ndërtojë një projektligj mbi Sportin dhe ta votojë atë në parlament
  2. Të rresht së foluri gomarllëqe mbi klasat sportive dhe se si shteti do t’i kthejë ato.

Nëse politika do vazhdoj të flasë të kundërtën e kësaj që përmenda, do të kemi përherë një Fidel që na flet për sportin dhe një Manush që e pyet atë.

You may also like...