MOS GJYKONI KAQ THJESHT EDLIRËN (DOBRUSHIN)!

Aranita Brahaj

Një nënë vrasëse konsiderohet si thyerje për mentalitetin shqiptar, çudi se ishim mësuar të shikonim vetëm baballarët të vrisnin bijtë e tyre biologjik apo të martesës. Për mua Edlira është viktima e gjithë fatkeqësive të një familje shqiptare në këto 20 vjet.

Varfëria. Ndërsa mbante frymën me ushqime të Caritasit,  normal që jeta e vajzave dhe vetë Edlirës i dukej e zezë. Urija është ndjellëse e vdekjes.

Emigracioni dhe përdhunimi i tipit „nuse për kurbet“. Ndërsa gruaja përballej me traumën, krizën apo çmendurinë e saj babai i tre vajzave ishte në Shqipëri duke përmbushur ritualin burrëror të gjetjes dhe fejesës me një shqiptare „nuse për kurbet“. Nuk ka rëndësi sa fëmijë ke sjellë në jetë për të ushqyer, nuk ka rëndësi sa vuajtje ke kaluar me një grua që po cmëndet. Burri shqiptar e ka fatin ta gjej sa herë të dojë shërbëtoren, skllaven, të vobektën 25 vjeçare që familja për të mos e mbajtur me bukë ja nxjerr fatin tek burri që vjen për të kërkuar „nuse për kurbet“.

Patriarkalizmi materialist. Nga emigracioni familja kishte nxjerr aq lek sa për të blerë një dynym tokë afër kryeqytetit. Po kush është në emigrim nuk ka mundësi të vij e ta blejë vetë. Zakonisht emigrantëve ua ble pronën në atdhe vëllai apo baba. E nëse fëmija është patriarkale toka e vëllait është tokë e vëllazërisë. Edlira nëna e tre femrave pa djalë ska pjesë tek mundi e sakrifica e familjes, kunetërit bëhen zot të mallit për të cilin ka sakrifikuar familja me tre vajza.

Nëse Edlira ishte viktime e urisë, vjedhjes patriarkale, braktisjes bashkëshortore, mos realizimit e ndonjë tronditje tjetër të këtij tipi, nëse e shikonte kaq të zezë jetën e saj normal që po kaq të zezë e shihte edhe të ardhmen e të bijave. E kur dikush mendon se e vetmja zgjidhje për veten është mosegzistenca, edhe për të bijat ka menduar njësoj. Për fat të keq kaq shumë vuajtje dëshpëruese të bën ta shohësh më të lehtë vdekjen se jetën. Quajeni depresion, quajeni çmenduri. Bën logjikë vetëm kur mendon sa e ashpër është të jesh grua pa burrë e pa djalë në një familje patriarkale shqiptare.

You may also like...