Multiplikatori

Një koncept ekonomik që supozon se shtimi i një sasie parash në qarkullim, përmes qarkullimit disa herë në ekonomi, arrin të krijojë vlerë të shtuar më shumë se sa sasia fillestare e shtimit. Nëse qeveria apo banka qendrore hedh në treg 1 lekë, efekti multiplikativ supozon se vlera e shtuar finale në ekonomi është më shumë se 1. Në rast se qeveria porosit, fjala vjen, ndërtimin e një rruge të re, paratë e përiftuara nga ndërtimi i rrugëve do t’i shkojnë një numri subjektesh dhe individësh, të cilët nga ana e tyre, do t’i përdorin për të blerë mallra dhe shërbime te subjekte të tjera, të cilët nga ana e vet do t’i shpenzojnë më tutje duke krijuar një qarkullim në ekonomi më të madh se sa shuma e hedhur fillimisht nga qeveria.

Por në praktikë, multiplikatori mund të jetë më pak se 1 pasi kjo varet nga mënyra se si qeveria i përdor paratë. Psh, qeveria mund të marrë 100 milionë euro borxhe dhe t’i përdorë për të ndërtuar një rrugë, e cila ka normë kthimi të ulët ose negative, ndërsa rruga ndërtohet nga një kompani e huaj me normë fitimi 30 për qind, atëherë efekti multiplikativ në ekonominë brenda vendit është më pak se sasia e parave të shtuara fillimisht nga qeveria.

Krijuar nga Keynes më 1936 te kryevepra e tij Teoria e Përgjithshme e Punësimit, Interesit dhe Parasë, koncepti i multiplikatorit ka qenë baza për ndërhyrjet e qeverisë në ekonomi që nga ajo kohë. Teoria e përgjithshme është që 1 dollar i hedhur në ekonomi nga qeveria, do të japë si rezultat final 3 dollarë të ardhura shtesë.

Milton Friedman e kritikoi ashpër këtë teori duke nisur nga themeli i saj, fakti që qeverisë do të duhet të marrë hua për të financuar shpenzimin shtesë publik dhe se kjo hua, do të sjellë automatikisht uljen në të njëjtën masë të shpenzimeve private në ekonomi. Kjo do të thotë se qeveria u merr hua 1 dollar disa individëve me njërën dorë dhe e jep këtë dollar te disa individë të tjerë me dorën tjetër duke bërë që rezultati i agreguar në ekonomi të mbetet zero. Kuptohet se në rast se qeveria e rrit huamarrjen për të financuar shpenzim shtesë, interesi i huamarrjes nuk mbetet i pandryshuar, ai rritet, me pasoja si për koston e borxhit publik ashtu edhe për koston e borxhit privat.

Gjithashtu, nëse shpenzimi shtesë i qeverisë financohet me emetim monetar, pra me para të krijuar rishtazi, kjo para në terma afatmesme dhe afatgjata do të kthehet në inflacion dhe jo në të ardhura reale shtesë.

Nga ana tjetër, në rast se qeveria shpenzon para shtesë për te financuar një shërbim të ri publik, kjo nuk do të thotë se ky shërbim i ri publik do të përdoret në shkallën e duhur nga ekonomia dhe shpesh, shpenzime të tilla të modelit Kejnesianist kthehen në projekte me eficencë të ulët, të tilla si “ura që nuk të çojnë gjëkundi”. shih

Lexo më shumë: Fjalorthi Ekonomik Wikipedia

You may also like...