Na kanë marrë peng hajdutët

metaGjergj Erebara

Kjo fushatë, përpos të qenit më fallcoja, më boshja nga idetë dhe më e pista në historinë e Shqipërisë, po na rezulton edhe më e shtrenjta për xhepat e politikanëve.

Si asnjë herë më parë, ofertat për blerje votash nuk janë kaq sheshit dhe kaq “normale”. Si asnjë herë më parë, reklamat nëpër televizione janë në volume përtej çdo imagjinate po paguhen me para të pista, të krijuara nga korrupsioni i bollshëm.

Si asnjë herë më parë, politikanët nuk kanë fare nevojë për votat e shqiptarëve.

Ata po na shfaqen të aftë të blejnë mjaftueshëm vota sa për të sfiduar çdo mendim racional të publikut. Dhe si asnjë herë më parë, paratë po derdhen me një menaxhim të stilit të biznesit të pastër, me llogari të stërholluara se sa para do të hidhen, ku do të hidhen, si do të kontrollohen, sa mund të jenë “firot” dhe si të mund të sigurohet objektivi final.

Informacionet janë të shumta. Ofrohet 50, 100 apo 150 euro për një votë. Ka blerje votash toptan, ka blerje gjysmëvotash. Njerëzve që shprehen të gatshëm ta shesin votën por rezultojnë të dyshimtë, thjeshtë u “blihet karta”, dmth, u merret karta e identitetit peng për të mos i lejuar të votojnë.

Është e qartë që socialistët nuk e kanë po aq të mundur të merren me taktika të tilla në krahasim me Berishën dhe Metën.

Kartat e identitetit biometrike, të cilat na u prezantuan si shpëtim për problemet me falsifikimin e certifikatave për zgjedhje, po na rezultojnë sot tërësisht të falsifikueshme, dhe jo vetëm kaq, por edhe të paverifikueshme. KQZ shpenzoi 2.5 milionë dollarë për të blerë pajisje për leximin e çipit elektronik që përbën elementin bazë të sigurisë së këtyre kartave.

Çipi, është një zgjidhje e madhe e njerëzimit. Me anë të atij çipi, bankat identifikojnë klientët dhe në kohë reale kontrollojnë kush është e sa lekë ka. Por çuditshëm, pas 2.5 milionë dollarëve të shpenzuar, sistemi i blerë nga KQZ nuk është në gjendje as të lexojë kartat dhe as të identifikojë “llogarinë zgjedhore” të mbartësit. A thua është ndonjë teknologji e komplikuar? Jo! Është një teknologji tërësisht e sigurtë dhe e testuar. Kartat e identitetit dhe sistemi elektronik i kompanisë koncesionare janë të mjaftueshme që këto karta të përdoren për pagesa, për t’u lidhur me llogaritë bankare etj. Dështimi, pra, i leximit të kartave të identitetit, vështirë se mund të kapërdihet me teknikalitete. Ai është shenja e rradhës që zgjedhjet po vidhen.

Fakti që Kisha Katolike, e imagjinuar gjithmonë si pranë të djathtës, bëri para pak ditës një deklaratë të paprecedent kundër shitjes së votës, tregon përmasat e problemit. Por duke marrë parasysh se Qarku i Lezhës ka një popullatë të konsiderueshme katolike dhe po has një përballje të fortë elektorale, duket se praktika është e përhapur edhe majtas.

Situata është kështu siç është: janë paratë e korrupsionit janë përballë vullnetit të qytetarëve të lodhur. Qytetarët mund të kenë vullnet për ndryshim ose mosndryshim, por luzma e parave është e mjaftueshme për ta ndryshuar vullnetin e tyre në kutitë e votimit. Asnjë herë më parë volumi i korrupsionit nuk ka qenë kaq i madh. Imagjinoni, një parti mund të shpenzojë 10 milionë euro për të blerë 100 mijë vota. Janë të mjaftueshme për të ndryshuar çfarëdolloj rezultati, veçanërisht përballë faktit se në disa zona duhen më pak vota për të nxjerrë një deputet sepse janë zona me shkallë më të lartë emigrimi se sa të tjerat.

Tranzicioni shqiptar ka marrë një kthesë të re, sërish për keq. Luzma e madhe e opinionistëve nuk duket shumë e shqetësuar për shkallën industriale të pengmarrjes së shqiptarëve nga pushteti i korrupsionit. Ndërsa më 1996, 2001 e 2009, kishte nevojë për më shumë dhunë se sa para për të ndryshuar vulletin e zgjedhësve, kësaj here duket se paraja do të dominojë. Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë kaq të pafuqishëm përballë pushtetit të korrupsionit, që vjedh para për të paguar vota dhe vjedh vota për të vjedhur para.

You may also like...