Nacionalizmi dhe përdorimi i tij nga pushteti

Xhabyni

 

Që nacionalizmi është një ideologji që funksionon edhe në një sistem të tijin, këtë e provon edhe vetiu fashizmi. Por ajo që historia e totalitarizmave, e jo vetëm, ka vërtetuar  gjatë shekullit të shkuar e përgjatë edhe këtij të tanishmit është ajo se nacionalizmi është një projekt që përpuqet edhe me totalitarizma apo demokraci të brishta. Me pak fjalë, retorika e veprimet nacionaliste janë faktorë që ndikojnë pozitivisht sidomos në shoqërinë ku turmat janë lehtësisht të manipulueshme përmes këtyre emocioneve të forta.

Në rastin tonë, nacionalizmi ka qenë një rrugëdalje  e mirë jo vetëm në kohët më të bukura dhe kur ky i fundit ishte në modë por edhe gjatë diktaturës së një proletari që nuk kishte atdhe por ideologji. Ahmet Zogu, por edhe të tjerë përpara tij, jo pak herë e kanë përdorur nacionalizmin megjithëse për të thënë të vërtetën ngurtësimi dhe forcimi i nacionalizmit në vendin tonë ka ndodhur në periudhën e komunizmit.

Gjithsesi, duhet të pranojmë që komunizmi i Shqipërisë ka sjellë një tjetër lloj nacionalizmi, le të themi nga ai i vendeve të ish-Jugosllavisë, Greqisë e kështu me radhë. Çudia fillon që në çastin ku një internacionalist komunist si Enver Hoxha, i emëruar nga një serb në krye të Partisë Komuniste Shqiptare, u shndërrua befas në një nacionalist.

Në vitin aspak të largët 1945 qeveria Shqiptare dhe ajo Jugosllave nënshkruan një marrëveshje për ribashkimin e Kosovës me Jugosllavinë si krahinë autonome ndërkohë që Jugosllavia do ta njihte qeverinë e Hoxhës si një qeveri legjitime. Një marrëveshje, që po të kemi parasysh atë që ndodhi në Mukje, ishte e parashkruar e madje ishte elementi kryesor që nacionalistët u ndanë nga komunistët në luftën ndaj fashistëve. Varësia e Shqipërisë ndaj Jugosllavisë qe e dukshme përmes huave të shumta që kjo e fundit i dha qeverisë së Hoxhës, e cila u forcua më shumë pas paktit të 1946 ku u rakorduan të gjitha planifikimet vjetore dhe ndarja e punës. Kështu, Shqipëria ngadalë e ngadalë po kthehej në pjesë të Jugosllavisë, ashtu sikundër edhe mbretëresha e Lindjes (Bashkimi Sovjetik) kishte dakordësuar, madje aq e qartë qe kjo sa që në themelimin e Cominform-it Jugosllavia përfaqësonte vendin tonë.

Tani, historinë ne e dimë, Enver Hoxha duke ndjerë rrezikun e eliminimit bëri lëvizjet e duhura dhe eliminoi ndikimin Jugosllav për t’u afruar me Bashkimin Sovjetik. Ky bashkim u shfrytëzua nga Hoxha, i cili jo vetëm shpalli Stalinin si hero kombëtar (që na shpëtoi nga kthetrat e Jugosllavisë) por edhe veten e tij u përkujdes që ta vendoste një shkallë më poshtë. Si heroin e lirisë që luftoi kundër Jugosllavisë armike që për shekuj me radhë kish shtypur e munduar shqiptarët. Nga hiçi, Hoxha nxori atë dosje të historisë për të sulmuar atë që dëshironte ta shkatërronte atë.

Kështu historia përsëritet edhe me Bashkimin Sovjetik, ku pas vdekjes së Stalinit e pasi ndjeu që karrigia e tij ishte në rrezik, Hoxha, filloi t’i mëshonte nacionalizmit dhe fuqisë së kombit. E cila, sipas tij mundësonte zbatimin e komunizmit në formën e saj më të pastër, gjithashtu këto vite të shkëputjes me BS kishin një tjetër element domethënës. Shkencat sociale shqiptare kishin filluar të pluskonin në fushën e dijeve dhe kështu që ishte më e thjeshtë që qeveria shqiptare komuniste të mundësonte shtypjen edhe botimin e librave me tendencë ideologjike dhe nacionaliste. Ismail Kadare, që për shumë është shkrimtari më i madh që ka patur vendi ynë, ishte një nga këto zëra. Ai u përpoq përmes romaneve të tij që të promovonte gjithnjë e më shumë nacionalizmin primordial dhe bashkë ekzistencën e tij me mësimet e Marksit dhe Leninit.

Kështu, që kur Enver Hoxhës iu desh të shkëputej edhe nga dashnorja e tretë e Shqipërisë, nuk ishte shumë e vështirë. Tanimë, ai kishte ndërtuar një ideologji ku ai përherë qe shpëtimtari, ku kombi qe justifikimi dhe ku komunizmi dhe diktati proletar ishte objektivi përfundimtar. I rrethuar nga kjo trini e shenjtë ai krijoi një nga dialektikat më të çuditshme të nacional-komunizmit, dialektikë që ka mbetjet (të theksuara sipas meje) ende sot e kësaj dite në shoqërinë tonë.

Prandaj kur kemi parasysh le të themi, Berishën, dhe shkarjet e tij nacionaliste duhet të kemi parasysh se ato kanë ndodhur përherë gjatë mandateve të fundit të tij. Kanë ndodhur kur ai i izoluar nga ndërkombëtarët e ka parë atë si shpresën e vetme për të mbijetuar e për të qenë një protagonist, megjithëse jo pozitiv. Rama, më së fundi, është një ndër ato lider që ligjërimin e tij e përdor në funksion të nacionalizmit, por jo në mënyrë të drejtë për drejtë. Ligjërim i cili përpiqet t’i fitojë zemrën një pjese të mirë të Shqiptarëve në Serbi, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Njerëz që përgjithësisht janë lidhur më ngushtë me Berishën, jo vetëm për afrinë e tij të origjinës por edhe për shkak se ai është parë përherë si Lideri.

You may also like...