Ndodhitë zgjedhore të Rrogozhinës në sytë e një vëzhguesi

Oerd Bej

Pavarësisht se në opinionin e përgjithshëm është krijuar ideja se këto zgjedhje ishin më të mirate mbajtura deri me sot (të cilat realisht ishin) apo se nuk ka patur probleme dhe incidente të cilat mund të shkelin standardet, ne mendojmë se këto të dhëna nuk pasqyrojnë realisht realitetin e atyre ditëve. Po flasim për Rrogozhinën, një qytezë 72 km larg Tiranës, me 7 mijë banorë ku një e treta e banesave është e braktisur.

Si pjesë një ekipi vëzhguesish në atë proces besoj se ka patur problematika, të cilat prekin drejtpërsëdrejti vullnetin e sovranit për t’u përfaqësuar me atë parti të cilën ai beson.

Votimi

Fillimisht votimi nuk qe i fshehtë për shkak se dhoma “e fshehtë” qe vendosur në qendër të zyrës së votimit. Vëzhguesit e partive politike për shkak së fletës së madhe të votimittëvendosur pas kurrizit të votuesve mund të dallonin me afërsi se ku shkonte krahu i votuesit, te numri 29 apo te numri 44. Kjo situatë vijoi deri në mes të votimeve, ku një qytetar i zonës pasi votoj,i shqetësuar mbi fshehtësinë e votës se tij u tha komisionerëve të qendrës së votimit se manuali i rregullimit të qëndrave të votimit sanksionon që “dhoma e fshehtë” të jetë vendosur në mënyrë të tillë që te ruaj anonimitetin e votës.

Pavarësisht se personat me aftësi të kufizuar e kishin të pamundur që të votonin si zakonisht… mund të themi se procesi i votimit atë ditë të nxehtë të qershorit ka qenë përgjithësisht i qetë, plot kompromise dhe pa ndonjë incident të vlefshëm për të tërhequr vëmendjen e medias, e cila dukej totalisht e pa interesuar për këtë zonë. Asnjë gazetar lokal ditën e zgjedhjeve e asnjë përfaqësues i medias kombëtare ditën e numërimit të votave(Më datë 25 qershor, mediat kombëtare trasmentonin që kjo qendër numërimi ishte e mbyllur, ndërkohë që procesi vazhdonte).

Data 23 qershor në Rrogozhinë kishte një pjesëmarje mesatare të banorëve në zgjedhje. U ruajt karakteristika jonë e votimit familjar, e shoqëruar kjo me ndonjë rast sporadik të një laci të zonës (ku në një rast banorët thonin se ishte polic), i cili në shenjë përkujdesjeje për moshën e tretë, delegonte votën e tyre sipas bindjeve të veta.

Përbërja e komisionit sigurisht pasqyronte ndarjet politike, ashtu siç e kërkon edhe rregullorja. Por ai që tërhiqte vëmendjen ishte padyshim kryetari i komisionit, një i moshuar, ndoshta pak edhe i lodhur nga hallet e jetës, dukej i hutuar edhe nga ndonjë gllënjkë raki që duhej të kishte marrë para zgjedhjevenga faqorja që e mbante me vete,atij shpesh here i mungonte vëmendja.

I vjetër nga mosha, e i djersitur nga vapa e i pamësuar me ligjin kryetari shpesh herë të linte përshtypjen se nuk ishte i vëmendshëm qe të reagonte ndaj rasteve të votimeve familjare apo të mos lejimit të hyrjeve të personave të paautorizuar.

Mungonte autoriteti në atë qendër, dukej sikur ishin të gjithë miq.

 

Numërimi

Dita e numërimit të votave ishte një ditë unike parë nga pikëpamja sociologjike. Tufa njerëzish të eksituar qëndronin pikërisht aty në sallën e numërimit. Njerëz të autorizuar dhe të pa autorizuar, laca dhe qytetar, vëzhgues të huaj dhe anëtarë të forcave politike mbanin shënime mbi copëza fletash shifra të çuditëshme. Rrinin në këmbë se stola nuk kishte, hynin dhe dilnin lirisht e tymosnin gjatë gjithë kohës duhan. Nuk kishte as vende për t’u ulur e as ajër të pastër për të punuar, por ishte vendi perfekt për tu çmallur me miqtë.

Numërimi i votave u zhvillua normalisht, ku përveç personave të paautorizuar që hynin e dilnin lirisht,dhe të një pushimi të rënë dakort prej gati 2 orësh për shkak të një lodhje të anëtareve të numërimit (!) dukej sikur gjithçka ishte në rregull. Tensioni ndihej, por përgjithësisht komisionerët vazhduan punën e tyre duke numëruar votat pas pushimit.

Të ndara sipas ligjit, e me përbërje politike këto komisione vazhdonin punën e tyre të qetë duke skanuar fletët e votimit e duke kontrolluar për parregullsi në to. I kalonin në mënyrë të shpejtë fletët përpara kamerave e pastaj sipas votës respektive i kalonin pranë tyre për të qenë më të sigurta. E tillë kaloi dita e parë e numërimit të votave. Të lodhur nga numërimi i pak më shumë se gjysma (nga 61 kutitë gjithsej) nga një urdhër i papritur i ardhur ne mes të natës nga jashtë sallës se numërimit procesi u ndërpre për t’u vazhduar të nesërmen në mëngjes ne orën 10.

Numërimi filloi në orën e caktuar, këtë herë me një pjesëmarrje jo edhe aq entuziaste. Rezultati fliste qartë e kjo ndikonte në uljen e pjesëmarrësve. Por në ndryshim nga dita e parë, ndoshta edhe për shkak se partitë e vogla nuk dukej se kishin përfaqësues të tyre për të vëzhguar procesin e numërimit u duk sikur anëtarët e grupeve të numërimit ranë dakord që votat e partive të vogla t’i ndanin sipas koalicioneve. Dmth, votat e partive të vogla të majta i shkonin PS, atyre të vogla të djathta, u numëruan si të PD.

Fundja garantimi i votës së një partie të vogël nuk mund të lihet mbi “besën” e komisionarëve të partive të mëdha.

Kështu kaluan edhe ato pak kuti të mbetura kur me uljen gjithmonë e më shumë të kureshtjes dhe vendosjen e qetësisë, me çmalljen ndaj miqve pranë qendrës së votimit, procesi përfundoi. Disa të gëzuar e disa të trishtuar, qytetarët u larguan e procesi i numërimit mbylli dyert për t’ia lënë një orë më vonë për të përfunduar procedurat e fundit.

Media raportojnë që nuk pati incidente! Natyrisht nuk pati as vrasje e as përleshje.

You may also like...