Ndryshimi Strukturor

Fenomen ekonomik që nënkupton më së shumti zhvendosjen e punëtorëve dhe aseteve nga sektorë me produktivitet të ulët të ekonomisë si bujqësia, në sektorë me produktivitet më të lartë si manifaktura dhe shërbimet. Revolucioni industrial konsiderohet si ndryshimi më i madh struktur në ekonominë e botës perëndimore, pasi një numër gjithnjë e më i lartë njerëzish u largua nga fshati për të punuar në profesione tipike urbane si manifaktura. Në Shqipëri, rritja ekonomike e periudhës pas rënies së komunizmit konsiderohet në përgjithësi si një ndryshim strukturor, ku një pjesë e konsiderueshme e popullsisë rurale u transferua në punë urbane, qofshin këto brenda Shqipërisë në qytetet kryesore si Tirana apo Durrësi, qofshin jashtë Shqipërisë. (Shumica dërrmuese e emigrantëve supozohet se kanë vajtur në punë urbane në vendet e tjera pavarësisht nëse kanë origjinën nga fshati apo nga qyteti në Shqipëri).

Ndryshimi strukturor si koncept ekonomik konsiderohet shumë i rëndësishëm pasi tregon në një masë të gjerë se një pjesë e konsiderueshme e rritjes ekonomike mund të mos ketë ardhur si pasojë e përmirësimeve në punë apo në teknologji, por nga fakti i thjeshtë i transferimit të njerëzve nga bujqësia për në manifakturë, ndërtim apo shërbime. Kjo është e ndryshme nga rritja ekonomike e krijuar nga përmirësimi në cilësinë e punës, nga ndryshimi teknologjik apo nga rritja e investimeve. Zakonisht efekti i ndryshimit strukturor në ekonomi matet thjeshtë duke marrë parasysh shtimin e krahëve të punës në sektorin jobujqësor dhe vlerën e shtuar të realizuar nga këto punëtorë, korrektuar me vlerën e shtuar të shkaktuar nga përmirësimi teknologjik. Fjalorthi Ekonomik

 

Shiko më shumë: http://drodrik.scholar.harvard.edu/files/dani-rodrik/files/structural_change_fundamentals_and_growth.pdf

You may also like...