Në kërkim të Reformës!

Reforma në Drejtësi është kryefjala e vitit 2016, e cila do të mbledhë rreth vetes shumë e shumë diskutues të fushës por edhe jo të fushës ligjore sa i takon një prej çështjeve më kardinale të Shqipërisë. Përgjigja e komisionit të Venecias, duket se në këtë fillim i dha një goditje asaj çfarë qe varianti qeveritar. Një goditje që u interpretua dhe u zmadhua nga politika dhe aktorët politikë (pra gazetarët dhe hera herës dhe opinionistët) si një fitore e Partisë Demokratike ndaj mazhorancës aktuale.donald-lu_2

Një goditje që duket se e vendos në kondita të tjera një lojë të nisur me një supermazhorancë dhe me një opozitë jashtëzakonisht të lodhur. Koha e kaluar nuk ka dëshmuar se opozita është bërë një ekip më i fortë dhe realisht pretendent, kush e beson këtë do të thotë që nuk arrin të gjykojë me objektivitet, por ka treguar ama se mazhoranca nuk është më ajo e para. Shkaqet janë të shumta dhe nisin që me aksionet e shëmtuara të kësaj qeverie, me megallomaninë bajate dhe të shëmtuar të një kryeministri, me një kryetar parlamenti të akuzuar së fundmi për lidhjen me aferën CEZ-DIA, me një qeveri që po vjedh e gjitha në front e kështu me radhë.

Të përballur me këto mëkate si edhe me kriminalizimin e deputetëve, duket se kjo mazhorancë ka humbur kredibilitetin për të sjellë minimalisht 1/10 e atij ndryshimi që ka premtuar dhe evokuar. Prandaj sado i devotshëm të jetë kryeministri për të ndërtuar objekte artistike dhe për ta shndërruar Kryeministrinë në Shqipërinë e ëndrrave dhe më pas për t’ia prezantuar të huajve ato nuk do të gënjehen më aq kollaj. Kjo edhe si pasojë e situatës në rajon dhe mbi të gjitha si pasojë e asaj demokracie të vrarë rëndë në 25 vjet si dhe sidomos pas farsës së gjykimit të dosjeve të Bllokut të Zi dhe 21 Janarit.

Pra, ndërkombëtarët e shohin çelësin e zgjidhjes së problemeve tona tek shtysa që duhet t’i japin reformës në drejtësi. Dhe prandaj me shpatën e Damokleut ato i janë drejtuar asaj duke dhënë të kuptohet politikës se nuk e kanë me shaka. Nga ana tjetër politika duket se mban maskën e dakordësisë, që ende askush nuk e di se sa do shkojë si e tillë.

Midis disa gjykimeve dhe opinioneve që janë hedhur këto ditë fundviti, ajo çfarë më ka tërhequr më shumë vëmendjen është ai i Lubonjës. I cili gjykon se vendin tonë nuk mund të na e shpëtojë Mesia Lu dhe as shpata që ndërkombëtarët kanë në millin e tyre. Unë jam tërësisht në të njëjtën vijë mendimi me Lubonjën sa i takon kësaj qasjeje që përpiqet të na bëjë ne si shoqëri aktive dhe jo pasive dhe pritëse që të tjerët të na çlirojnë nga e keqja që na ka zënë.

Por ndonëse kjo shkundje dhe kritikë që ai shpreh është tërësisht korrekte dhe e saktë unë gjykoj dhe mendoj se prapë se prapë për ne ky veprim i ndërkombëtarëve është tejet i dobishëm. Arsyet mund të gjenden fare lehtësisht jo vetëm në mënyrën se si politika është përpjekur për ta zgjidhur këtë problem por mbi të gjitha edhe duke patur parasysh kushtet sociale të vendit.

Që një lëvizje të vijë nga brenda sistemit gjygjësor është tërësisht e pamundur dhe kjo besoj se është e qartë për të gjithë. Madje dhe shembulli i Di Petrios në Itali dhe lëvizjes që lindi nga brenda sistemit, siç edhe Lubonja e pohon, nuk i ka dhënë asnjë shtysë pozitive Italisë në fushën e krijimit të politikave në shërbim të komunitetit.

Kushte që pak të lënë të shpresosh për një ndryshim që mund të vijë nga forcat politike që s’i përkasin trekëmbëshit kryesor. Kjo sepse përgjatë këtyre 25 vjetëve forcat e reja politike të krijuara (përveç LSI) kanë rezultuar ose kukulla të ndonjërës prej partive të mëdha poltike apo kanë përfunduar në disa parti-individë  që u del emri në skenë vetëm në raste zgjedhjesh dhe qokash elektorale.

Nga ana tjetër edhe shembujt e SYRIZ-as por edhe ajo e Movimento 5 stelle nuk janë vetëm se një dështim në vendet e tyre. SYRIZ-a e mori pushtetin dhe tanimë duket se është një parti e ngjashme me ato tradicionale, grupi që e formoi dhe drejtoi tani është i përçarë dhe ndarë po kështu edhe Movimento 5 Stelle. Kështu edhe këto shrpesa të reja që vinin nga e Majta kanë rezultuar që të jenë të ngjashme me partitë që deri dje ato i akuzonin si pjesë të një oligarkie dhe jam shumë skeptik që mund të jenë zgjidhja e duhur për ne.

Dhe së fundi, por jo nga rëndësia, lidhet me ndërgjegjësimin qytetar i cili befas mund të sjellë një revolucion që ta largojë këtë kastë politike dhe ta shndërrojë këtë sistem që prodhon anti vlera. Kjo mundësi është më së pari utopike për vetë karakterin e shoqërisë që kemi. Nuk duhet harruar që kjo i kërkohet të njëjtëve shqiptarë të cilët pranojnë të shesin votën e tyre tek një parti që i rrjep ato (e këtu nuk po flas për militantë të verbuar nga një dashuri e një tjetër lloji). Siç duhet të kemi parasysh që janë shqiptarë të cilët pranojnë të votojnë kriminelë për kryetar bashkie edhe kur faktet janë të qarta në dritën e diellit. Për ta thënë më qartësisht të shpresosh që nga një shoqëri që ende nuk është fazuar në një pozicionim kritik të lindë një lëvizje që do të përmbysë sistemin është e pamundur. Akoma më e vështirë bëhet kjo logjikë kur vendet rreth nesh që kanë një kulturë demokratike dhe një kritikë më të theksuar ndaj sistemit kanë dështuar.

Kështu të përpiqesh të krijosh drejtësi të shpejtë, me shpatën e Damokleut, nga baza me një situatë të tillë politike dhe shoqërore është shumë utopike dhe e pamundur. Tentativa për të gjetur një mënyrë tjetër është tejet e hapur dhe e gatshme për diskutim por në fund të fundit dëshira dhe vullneti i ndërkombëtarëve për t’i dhënë drejtim kësaj reforme nuk do të thotë se ajo do nisë dhe do bitiset prej tyre.

Reforma, siç edhe emri sugjeron, është një proces i gjatë i cili ndonëse do të mbillet nga ndërkombëtarët do të vazhdojë të ushqehet nga ne. Dhe pikërisht këtu duhet të jetë roli kritik i shoqërisë tonë, për të mbajtur një drejtqëndrim që të mos dështojmë sërishmi. Ky drejtqëndrim nuk mund të kryhet nëse më së pari dikush të veprojë përpara se të mendojë. Pra, që dikush nga ato ta pësojë në mënyrë të tillë që më së paku të mos mendojmë se bashkësia e të paprekshmëve është aq e madhe sa që ajo mund të bëhet e pafundme.

Në fund të fundit reforma në drejtësi siç edhe drejtësia në vetvete nuk presupozon ekzistencën e një shoqërie apo shteti tërësisht të pastërt dhe qelibar. Por së paku ekzistencën e një shoqërie dhe shteti ku drejtësia është primare.

Për fatin e keq të shqiptarëve, gjykoj që është e udhës që të tjerë të krijojnë këtë rrugë duke i detyruar politikanët për ta ndjekur atë. Të krijojnë një strukturë e cila më së paku të vendosë sado pak drejtësi në një vend që e ka çuar në gijotinën e revolucionit anti-drejtësi atë. Kjo nuk është se do të na kthejë vendin në më të mirin e Ballkanit por më së paku do të shpëtojë shqiptarët e thjeshtë nga një sistem gjygjësor që padrejtësinë e ka në karakterin dhe thelbin e saj.

You may also like...