Në kërkim të së shenjtës

 (Historia e një xhamie të fort dëshiruar edhe të keqtrajtuar)

Ndërtimi i të ashtuquajturës “Xhami e Madhe” është shndërruar në një rebus. Nëse do të kryhet një pyetësor i pavarur, ku myslimanët  të pyeten nëse kanë besim se shteti do të mundësojë xhaminë që ata kërkojnë, me shumë mundësi ata do të përgjigjen se nuk kanë aspak besim tek ndonjë qeveri që do të ndërtojë një xhami e tillë në Tiranë. A mund t’i vihet faj për këtë  mosbesim qeverisë?

Le t’i hedhim një vështrim historisë së të shenjtës edhe profanes xhami. Sikur dihet, Kryeministri aktual i Shqipërisë nuk ka qenë një mbështetës i madh i ndërtimit të një xhamie të madhe në qendër të qytetit. Qenia e tij në krye të Bashkisë së Tiranës e tregon më së miri. Ai u kujtua për ndërtimin e një xhamie të tillë vetëm në zgjedhjet e vitit 2011, ku veten e ndjeu aq ngushtë saqë filloi të hante me çapë çdo enë ku mendonte se mund të merrte vota. Kështu, në skenë doli projekti për një xhami, ku brenda do kishte edhe një muze. Projekti qe aq futurist edhe i pakuptimtë saqë vetëm Rama e perceptonte si xhami.timthumb

E kjo qe e kuptueshme sepse projektin e kishte ndërtuar Rama edhe jo komuniteti i besimtarëve. Mirëpo nuk qe vetëm ky problemi i atij projekti. Vendi ku flitej se do të ndërtohej xhamia, pra trualli, ishte i një numri të madh pronarësh që i dolën kundër projektit sepse përvetësonte tokën e tyre të padrejtë. Mbajeni shënim diku këtë moment.

Nga ana tjetër, kryetari aktual i Bashkisë, që asokohe ishte kandidati përballë Ramës, u premtoi myslimanëve të kryeqytetit se do të ndërtonte “Xhaminë e Madhe”. Me të drejtë, ai u kujtoi myslimanëve  se Rama në këto 11 vite i kishte përbuzur ata. Historia dihet se si shkoi, mirëpo Basha edhe pse erdhi në krye të Bashkisë në 2011, përpjekjet reale për ndërtimin e xhamisë i filloi në pranverën e vitit 2013.

Përpara ditës së fillimit të punimeve, siç ndodh në kësi rastesh, u hodh në treg idea e ndërtimit të xhamisë në truallin e Namazgjasë. Debatet filluan të gëlonin. Kishte grupe ambientalistësh që nga hiçi dolën për të kundërshtuar prishjen e lulishtes, njerëzit aq shumë lexuar për Namazgjanë sa nuk mbeti i ri e i vjetër në Tiranë pa e kuptuar se çfarë quajmë Namazgja, Vakëf e kështu me radhë. Pati një grup që pretendoi se tek parku Namazgjasë nuk do të ndërtohej vetëm një xhami…. Atje tej fshihej edhe një kullë e madhe.

Për muaj të tërë, Bashkia heshti. KMSH mohoi dhe punimet nisën. Berisha, Basha dhe KMSH hodhën themelet e para mes syve të myslimanëve që ende nuk besonin se po fillonte ndërtimi i xhamisë. Rrethimi nisi. Zërat qarkullonin se ngjitur me xhaminë do të kishte një kullë. Dukej qartazi se Namazgjaja (e cila vite më parë qe gjymtuar nga Rama për zgjerimin e trotuarit) nuk ishte aq e madhe sa të ndërtohej  një kaba e marrë copy-paste nga Turqia.  Gjithësesi, në rrethim shfaqej tabela e projektit që paraqiste vetëm një xhami.

Humbja e zgjedhjeve të vitit 2013 e rihapi debatin mbi ndërtimin e xhamisë. Qeveria e kundërshtoi projektin e Bashkisë, e duke qenë se situata qe në favor, ajo deklaroi para publikut se leja nuk ishte vetëm për xhaminë, por në të përfshihej edhe një kullë e lartë. Në një emision televiziv, përfaqësuesi i pronarëve të truallit foli për një kontratë që ata kishin firmosur me KMSH. Sipas tij, KMSH nuk kishte hapësirë për të ndërtuar gjithë atë xhami prandaj ishte e detyruar që t’i merrte një pjesë të sipërfaqes së pronës familjes Kruja. Sipas variantit të televizionit, KMSH nuk kishte mundësi  ta blinte këtë sipërfaqe më çmimin e tregut. Burime brenda Bashkisë tregojnë se kjo e fundit i propozoi KMSH një truall tjetër, por KMSH refuzoi duke i sjellë përpara Bashkisë një kontratë mes familjes Kruja dhe KMSH. Sipas kësaj kontrate, familja Kruja i falte KMSH aq pjesë toke sa i duheshe për të ndërtuar “Xhaminë e Madhe”, nëse kjo e fundit hynte garant për lejen e zhvillimit të familjes Kruja në pjesën e mbetur. Burimet në KMSH flasin se ata kanë qenë të detyruar ta pranojnë këtë marrëveshje, duke qenë se vajza e ish-Kryeministrit Berisha ka qenë e interesuar të ndërtojë në atë pronë.

Se sa reale janë pretendimet e palëve, pak rëndësi ka. Ajo që vlen të theksohet është se KMSH pranoi të ndërtonte një marrëveshje imorale për të ndërtuar një ndërtesë të shenjtë që myslimanët do ta përdorin për adhurim.

Qeveria e Ramës, duke qenë se ky i fundit duhet të hiqte njollën e një përçmuesi të myslimanëve, premtoi se xhamia do të ndërtohej. Si përherë me një projekt të ri (duhet t’i pëlqejë një herë këtij artisti projekti pastaj të kalojë!) dhe kjo xhami do të ndërtohet pikërisht tek Parku i Namazgjasë.

Përpara disa ditësh, për Kurban Bajram, Rama deklaroi se xhamia do të nisë të ndërtohet në fillim të nëntorit. Pronarët e truallit ngjitur me Namazgjanë, dolën përpara mediave dhe deklaruan se qeveria nuk ka zgjidhur ende problemin e pronësisë me to. Me pak fjalë KMSH apo dhe qeveria duhet t’i blejë me çmimin e tregut pronën e familjes Kruja e më pas ta shfrytëzojë atë. Me sa flitet, qeveria ka ndërmend që të mos e shpronësojë në këtë mënyrë këtë tokë, por të gjejë makinacione të tjera përmes të cilave t’ia rrëmbejë tokën pronarëve me një çmim të ulët për t’ja dhuruar KMSH-së si truall xhamie. Kështu, me një gur vret dy zogj. Po kësaj çfarë t’i themi?

Asgjë më shumë se sa një tjetër imoralitet, kësaj radhe nga binomi KMSH-qeveri për të ndërtuar një objekt të shenjtë. Sipas ligjeve fetare, e kjo është afërmendsh, nuk lejohet ndërtimi i një shtëpie (jo më një xhamie) në një tokë të rrëmbyer apo të marrë me hile.

Është një fatkeqësi që në këtë vend që myslimanët jo vetëm keqpërdoren por edhe objektet e tyre të kultit kanë filluar të trajtohen jo më si objekte të shenjta por si objekte profane…

– E çfarë mund të presësh,- më tha një xhajë ndërsa qëndronte përballë Namazgjasë, -këta nuk kanë të shenjtë as ligjin të cilit i bëjnë duva.

 

Xhabyni

You may also like...