Ne, shqiptarët e zakonshëm jemi Aleanca Kundër Plehrave

Kush po e mbështet AKIP? Rama, Kuq e Zi apo vetë Berisha? Jo! Po e mbështesin të gjithë shqiptarët.

Nga Gjergj Erebara

Ky vend mund të vuajë për shumë gjëra, por është një element për të cilin duket se nuk do të vuajë kurrë. Teoritë e konspiracionit mbi interesat e fshehta që mund të ketë çdo shqiptar sa herë që ngre zërin për një çështje të caktuar, qoftë edhe kjo interes i qartë publik.

Kështu po ndodh edhe me nismën për grumbullimin e 50 mijë firmave që nevojiten për referendumin ku shqiptarëve do t’u kërkohet opinioni nëse janë dakord me importimin e plehrave apo jo.

Ministri i Plehrave z. Mediu, i mirënjohur në Shqipëri për asgjë tjetër veçse shpërthimit të Gërdecit, deklaroi të premten se sipas opinionit të tij, referendumi kundër plehrave është organizuar nga Edi Rama. Në konferencë dukej se po merrnin pjesë vetëm kameramanët, pasi rradhët e ndenjëseve ku zakonisht duhet të rrinë reporterët, qenë mbushur me punonjës të ministrisë.

Opozita në fakt nuk ka nevojë t’i hyjë allandrave të mbledhjes së 50 mijë firmave sepse ligji i jep të drejtë që me një të pestën e të gjithë deputetëve të parlamentit, të kërkojë zhvillimin e një referendumi për çfarë t’i ketë qejfi.

Megjithatë, në një vend që ka qenë shumë gjatë nën darën e propagandës komuniste, e cila si çdo propagandë, bazohet se parimi se: “Çfarëdo argumenti që t’ju japin, mos e besoni sepse është djalli që po jua thotë”, edhe kjo teori konspiracioni zënë vend, megjithëse nuk janë të vetmet.

Ndodhi që pak orë para se Mediu të ngrente teorinë e tij të konspiracionit, njëri prej udhëheqësve socialistë na shtroi pyetjen nëse pas aleancës kundër plehrave fshihej Lëvizja Kuq e Zi. Ky gabim logjik i njohur nga kohët e romakëve si post hoc ergo propter hoc, është i shpeshtë mes nesh.

Një teori e tretë konspiracioni, e cila, megjithëse mund të duket e pabesueshme, ka po aq merita të jetë e vërtetë sa dy të parat, është që vetë kryeministri i vendit, Sali Berisha, po toleron dhe po nxit në mënyrë jopublike referendumin kundër plehrave.

Është e qartë se Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve u tregua më shumë dashamirës nga sa pritej me kërkesën për formularin e mbledhjes së firmave. Ka arsye të besojmë se kryeministri i vendit po e ka të vështirë të mbajë në CV-në e tij historike një paudhësi si kjo. Është i kapur nga interesat e disa biznesmenëve që e gjejnë me leverdi të kthejnë Shqipërinë në një kosh plehrash para se t’i përdorin fitimet e veta për të blerë shtëpi nëpër kryeqytetet e Europës së pastër dhe rrjedhimisht lejon organizimin e një referendumi. Të njëjtën gjë bëri edhe me marrëveshjen famëkeqe të faljes së detit Greqisë. Një kabllogramë amerikane e zbuluar nga Ëikileaks, bëri të ditur se kishte arsye të besohej se kryeministri i pati bërë të ditur gjykatës kushtetuese se e dëshironte marrëveshjen të rrëzuar.

Duke qenë se këto teori konspiracioni nuk kanë fund, na duhet të japim një shpjegim se kush janë organizatorët e referendumit, ai grupi i vogël që mbledh firmat e shqiptarëve: Në grup janë znj. Kozara Kati, një aktiviste e njohur e të drejtave të njeriut, disa goca dhe çuna të Lëvizjes Mjaft, z. Lavdosh Ferruni dhe disa qindra shqiptarë të zakonshëm, të paangazhuar në ndonjë oqj apo në ndonjë parti politike. Të gjithë këta nuk po punojnë për interesat afatshkurtra të ndonjë posti politik, por për interesin afatgjatë të shpëtimit të Shqipërisë nga plehrat. Deri më sot, asnjë politikan, i majtë apo i djathtë nuk e ka mbështetur fushatën për mbledhjen e firmave, as publikisht duke e firmosur formularin dhe as në mënyrë të fshehtë.

Përkundrazi, janë të gjithë shqiptarët që po e firmosin. Ka prej tyre demokratë, socialistë, ballistë, (natyrisht nuk ka republikanë sepse i tillë është vetëm z. Mediu), por shumica janë njerëz pa parti. Kjo është dita kur ne mund të votojmë pa patur nevojë të zgjedhim të “keqen më të vogël”. Ne mund të zgjedhim të mirën, të zgjedhim kundër plehrave.

You may also like...