Në të ardhmen e largët, ne të gjithë do të jemi të vdekur

Gjergj Erebara

Kryeministri Edi Rama duket se ka kuptuar një gjë saktë dhe një gjë gabim. Duke folur më 24 maj me rastin e publikimit të njëmbëdhjetë studimeve mbi të dhënat e Censusit 2011 nga ana e Institutit të Statistikave, ai tërhoqi vëmendjen e medias me vetëm dy statistika: 1. Popullsia e Shqipërisë është në rënie. 2. Popullsia e Shqipërisë është në plakje. Këto dy statistika, të kapura jashtë kontekstit, u përdorën nga kryeministri për të argumentuar se pse është e domosdoshme reforma e pensioneve. Në fakt, reforma e pensioneve nuk qe temë e studimeve të publikuara. Përdorimi i një ngjarjeje ngushtësisht shkencore, siç qe publikimi i studimeve mbi censusin, për t’i dhënë një argumentim shkencor një politike të ndërmarra për arsye tërësisht joshkencore, mund të qe një goditje e saktë në termat e marrëdhënieve publike të kryeministrit, por kurrsesi nuk i shton vlerë “shkencore” reformës së pensioneve.

Rama tha gjithashtu se sipas mendimit të tij, “modeli ekonomik i 20 viteve të fundit ka dështuar”, në mënyrë spektakolare. Kjo qe gjithashtu një goditje e mirë në termat e marrëdhënieve publike, (hidhja fajin paraardhësit, ose paraardhësve për të shpëtuar veten), por vështirë se ky konkluzion do ta shpëtojë kryeministrin nga përgjegjësitë që i kanë rënë në dorë, me apo pa vullnetin e tij, për ta bërë Shqipërinë një vend të banueshëm nga njerëz normalë, një vend ku puna krijon pasuri dhe jo një vend ku puna krijon jetesë minimale pasuar nga pleqëri mizerjeje. Pleqëria është sakaq mizerje në Shqipëri, por edhe kjo mizerje po i kushton buxhetit të shtetit 450 milionë dollarë deficit në vit, siç na e rikujtoi kryeministri, shifër kjo e papërballueshme as sot e as në të ardhmen.

Parashikimet e Institutit të Statistikave për rënie të mëtejshme të popullsisë në Shqipëri si pasojë e vijimit të emigrimit e lindshmërisë së ulët, si dhe parashikimi për plakjen e shpejtë të popullsisë në dekadat e ardhëshme janë thjeshtë “parashikime”. Ato mund të dalin thelbësisht të gabuara. Dhe me pak punë të mirë nga qeveritarët tanë të sotëm dhe të së ardhmes, shpresat janë që këto parashikime tejet negative të dalin thellësisht të gabuara. Pra shpresat tona duhet të jenë që parashikimi aktual për një katastrofë demografike brenda dy dekadash, me popullsi shumë të plakur dhe me të rinj që arratisen nga vendi, të dalin të gabuara.

Vetëm se reforma aktuale e pensioneve, e ndërmarrë ashtu siç është ndërmarrë, ka gjasa që do të zgjidhë vetëm pjesërisht problemin e deficitit aktual. Ajo nuk merr mundimin të zgjidhë problemin e deficitit të së ardhmes dhe as e bën Shqipërinë një vend më të banueshëm. Marrëdhëniet publike të shkëlqyera, siç di t’i bëjë kryeministri aktual më mirë se të gjithë kryeministrat e të shkuarës, vështirë se do ta bëjnë Shqipërinë një vend më të banueshëm, vështirë se do t’i japin shqiptarëve shpresë, vështirë se do të ndihmojnë në përpjekjet për t’i nxjerrë të gabuara parashikimet e INSTAT për popullsi të vogël dhe të plakur.

Shqipëria është qeverisur sakaq për një shekull nga elita të rrejshme, disa të afta për marketing dhe disa të afta për dhunë. Kjo nuk na ka çuar në ndonjë vend të mirë, porpos statusit të vendit më të varfër në Europë dhe më të pashpresë në të gjithë botën postkomuniste.

Shqipëria ka nevojë sot për një qeverisje demokratike, të bazuar te sundimi i ligjit dhe jo te sundimi i unit. Reforma e pensioneve nuk ndihmon në sundimin e ligjit, as në mbrojtjen e punëtorëve, çelësi për një ekonomi të suksesshme. Ajo thjeshtë sa pakëson përfitimet e pensionistëve të sotëm dhe të së ardhmes nga skema e pensioneve dhe rrjedhimisht nga buxheti i shtetit, pa marrë përsipër të krijojë një shtet social, pa marrë përsipër të garantojë që kontributet e të punësuarve të sotëm të kthehen në përfitime reale në të ardhmen.

Këtu mbërrijmë në shprehjen e famshme të John Maynard Keynes: Në të ardhmen, ne të gjithë do të jemi të vdekur. Një shtet që nuk mbledh dot taksa në mënyrë të barabartë nga kontribuesit në ekonominë kombëtare, nuk mund të garantojë ndarje të barabartë (ose disproporcionalisht favorizuese për të varfërit, siç janë rekomandimet e pjesës dërrmuese të ekonomistëve të botës sot). INSTAT vlerëson se në dekadat e ardhëshme, numri i popullsisë mbi 60 apo 65 vjeç do të rritet në mënyrë dramatike në Shqipëri. Numri i fëmijëve do të bjerë në mënyrë dramatike. Kjo do të ndodhë nëse kushtet aktuale të mortalitetit dhe lindshmërisë nuk do të ndryshojnë. Do të thotë, nëse shqiptarët do të vijojnë të jetojnë kaq gjatë sa jetojnë, dhe të rinjtë shqiptarë do të vijojnë të bëjnë po kaq pak fëmijë sa po bëjnë aktualisht. Të dyja këto faktorë, ka gjasa që do të ndryshojnë në atë mënyrë që ne vdekatarët nuk e parashikojmë dot. Jetëgjatësia mund të bjerë ose të rritet në varësi të mijëra faktorëve që shkencëtarët më të aftë të botës nuk i parashikojnë dot siç duhet. Lindshmëria gjithashtu. Këto janë punë që vështirë se mund t’i zgjidhë një reformë si ajo e pensioneve. Por ka diçka tjetër që është në dorë të qeverisë. Kjo është mënyra se si ne punojmë, kontribuojmë te buxheti i shtetit, dhe përfitojmë nga buxheti i shtetit.

Thomas Piketty, në librin e tij të shumëshitur të publikuar së fundmi, “Kapitali në Shekullin e 21”, thotë: Taksimi nuk është vetëm një mënyrë për t’i kërkuar të gjithë nënshtetasve të kontribuojnë te financimi i shpenzimeve dhe projekteve publike si dhe për të shpërndarë barrën fiskale sa më ndershëm të jetë e mundur; është gjithashtu [një mekanizëm] i mirë për të themeluar klasifikime dhe për të promovuar dijen si dhe transparencën demokratike.

E thënë thjeshtë, nëse të gjithë shqiptarët kontribuojnë në mënyrë direkte apo kanë përfitime në mënyrë direkte (kur janë të varfër) nga buxheti i shtetit, kjo krijon një shoqëri, e cila, herët a vonë, bëhet demokratike, transparente, me qeveritarë llogaridhënës dhe qytetarë llogarikërkues.

Tre shifra bien në sy nga mali me statistika që prodhon Instituti i Statistikave. 1. Numri i punëtorëve zyrtarisht të punësuar pa pagë dhe, rrjedhimisht, pa tatim mbi të ardhurat e pa sigurime shoqërore, është 42 për qind e totalit të punëtorëve. 2. Paga mesatare e deklaruar për efekt të sigurimeve shoqërore është 35 mijë lekë në muaj. Kjo tregon se pjesa dërrmuese e shqiptarëve nuk deklarojnë paga reale e nuk paguajnë pjesën që u takon te buxheti i përbashkët. 3. Java mesatare e punës për shqiptarët e punësuar është aktualisht 50 orë. Plot 10 orë më shumë se sa java zyrtare e punës e përcaktuar te Kodi i Punës. Këto tre shifra tregojnë se Shqipëria nuk është një shoqëri, sipas përkufizimit të shoqërisë moderne, e organizuar në formën e shtetit të mirëqënies shoqërore. Nëse kryeministri i zgjidh këto tre probleme, pra lufton punësimin në të zezë, punësimin me dy bilance dhe punësimin skllavërues me orë të gjata, Shqipëria nuk ka pse të vuajë katastrofën demografike të parashikuar nga Instituti i Statistikave. Pas kësaj mund të diskutojmë se çfarë të bëjmë me skemën e pensioneve, deficiti i së cilës është shkaktuar nga mungesa e shtetit ligjor dhe jo nga plakja e popullsisë. Shqipëria ka dështuar në 20 vitet e fundit, siç ka dështuar në 100 vitet e fundit. Por nuk qe i ashtuquajturi “model ekonomik”, i cili nuk di të jetë përkufizuar fare deri tani. Qe modeli politik. Dhe zgjidhja qëndron pikërisht këtu.

You may also like...