Nga “shteti-art” në “artin-shtet”

Xhabyni

RamaStockholmMe çfarë duhet të mbushet stomaku i atij që nuk ka përveçse vetëm me art apo me diçka estetikisht të bukur por jo domosdoshmërisht efiçente?! Kësaj pyetje, kryeministri i këtij vendi nga 23 qershori 2013 ia ka gjetur përgjigjen që në kohën kur ai qe kryebashkiak i Tiranës. Siç edhe vetë pranon në një rrëfim të gjatë të mbajtur në një kornizë të verdhë, në një prezantim të tijin ndërkombëtar, ai shfrytëzoi aftësinë e tij për të bashkërenduar ngjyrat dhe kështu i “fali” Tiranës ngjyrat ndërkohë që tiranasve u gërryenin zorrët.

Në po të njëjtën mënyrë dhe në po të njëjtën formë edhe sot, në momente të një krize të gjatë që nga çasti në çast rrezikon të shpërthejë dhe të groposë më keq ekonominë rraskapitëse të këtij vendi. Kryeministri nuk ka bërë asgjë më shumë se sa ka riprodhuar, rikonceptime urbanistike (që hera herës nuk janë vetëm se projekte të shëmtuara dhe pa lidhje me kontekstin e vendit) si e si për të zbutur paaftësinë qeverisëse dhe sipërmarrëse. Ja kështu, shqiptarët sot vuajnë nga të njëjtat të zeza si para 2013, por në ndryshim nga dje sot kanë një kryeministër që festat i ndërton bukur.

Megjithëse, ai ka pranuar se ekonomia nuk i pëlqen, edhe kjo është shumë e dukshme kur këput mufka si ajo e 92 mijë të punësuarve por edhe rritjes së eksporteve me 11%. Shifra që vetëm në ëndrrën që i ngjason asaj të gomarit që po e shqyejnë, mund t’i lexojmë. Kështu, i paaftë për të sjellë shifra bindëse ai vazhdon t’i bjerë fort defit të artistit dhe urbanistit vizionar. Megjithëse, urbanisti vizionar nuk bënë asgjë më shumë se sa me paratë që merr borxh nga Banka Botërore dhe FMN, hap konkurse në të cilat marrin pjesë thuajse 70% kompani holandeze arkitektësh të cilët janë ose nuk janë fare të njohur andej. E të cilat vijnë këtu për të shpalosur teoritë e tyre nga më të çuditshmet si për të na treguar që nuk jemi vetëm kavje të qeverive por edhe të arkitektëve që vijnë e provojnë “origjinalitet e tyre”.

Nën këtë frymë, artisti kryeministër por asnjëherë kryeministri ekonomist e kështu me radhë, ka vendosur të ndërhyjë tërësisht në kundërshtim me ligjin për të ndërtuar dhe shëmtuar godinën e Kryeministrisë. Njësoj siç bëri me godinën e Bashkisë Tiranë, kur qe kryetar bashkie, e po njësoj siç ndërtoi sipas midesë së tij “Dhomën e Hartave”…e cila në vend që të pësonte një kritikë morri përgëzimet e gjithë lëmit të gazetarëve dhe prezantuesve shqiptarë që e morën në studio Ramën. Duke i dhënë atij edhe titullin “Kryeministri më me shije që ka pasur vendi”!

Po pse gjithë ky nxitim për të përdorur para nga BB dhe FMN për këto vepra?! Arsyeja shtrihet në pushtetin e urbanizmit tek publiku. Arsyeja se përse diktatorët ishin kaq të dhënë ndaj ndërtimeve dhe obeliskëve lidhet me pushtetin që ato donin të linin në popull dhe shoqëri. E parë në këndvështrimin kryeministror, Edi Rama po përpiqet t’i japë urbanistikën e tij dhe frymën e tij një shoqërie që kërkon para dhe ky i jep tre kunja të shëmtuara në Tiranë.

Akoma më e thellë bëhet kjo kur brenda godinës së Kryeministrisë ai ka ndërmend të ndërtojë një “Bibliotekë të madhe”, një holl të madh ku njerëzit të futen dhe ta prekin vetë artistin-kryeministër. Kështu hyjnorja e tij do të jetë e mundshme për tokësorët si ne, kryeministri nuk do të jetë më lideri që qëndron në podiume dhe flet për kanvasin në të cilin ka vendosur pikturën e Shqipërisë së Gjeneratës së Re që ai po pikturon me aleatin e tij. Por, ai do të jetë Zeusi i zbritur në tokë, i gatshëm t’u rrëfejë njerëzve historinë se si ai dhe jo Prometeu do t’u sjellin atyre dritën dhe dijen.

Kryeministria me të është shndërruar jo më në Kullën e atij malokut gjyshi i të cilit nuk ka patur bibliotekë por lopë, përkundrazi, tanimë ajo ka arritur të shndërrohet në djepin e dijes. Ku artistë dhe intelektualë mblidhen për të diskutuar mbi fatet e vendit, mblidhen për të kritikuar e më pas për t’u gostitur nga Kryeministri. A nuk është kjo një punë e mirë për t’i dhënë drejtim këtij vendi të rrënuar?

E gjithë kjo metaforë dhe simbolizëm me të cilin kryeministri luan, fsheh jo vetëm patetizmin por edhe arrogancën dhe jo-legjitimitetin e veprimeve të tij. shufrat e ngulura në një fasadë që është monument kulture, nga përpara kryeministrisë, për të ndërtuar aty një holl i ngjasojnë shtesave pa lejeve të pallateve. Që sado të mirë studiuara dhe të “kompozuara” qoftë edhe nga arkitekt me përvojë, jo vetëm që prishin një monument kulture, por nga ana tjetër zaptojnë dhe tjetërsojnë imazhin dhe karakteristikat e kësaj godine. Një ndërhyrje kaq brutale karshi kësaj godine, është e habitshme për një kryeministër që ka shfaqur një farsoj “adhurimi” për arkitekturën fashiste të vendit.

Ndonëse, ndërhyrja e tij në këto godina, më ngjason me zaptimin e të mirës publike nga ana e gangsterëve dhe të fortëve. Rasti më i fundit, përpara se Kryeministri të vepronte me këtë shtesë, është ai i Tom Doshit që në rrugën e Durrësit atje ku dikur gjendej Hotel Pensioni kishte uzurpuar një pjesë të hapësirës publike. Uzurpim që u “vu” re vetëm pasinë Doshi prishi miqësinë e ngushtë me Ramën! Por, në thelb sjellja e kryeministrit që kërkon me patjetër një hollë mbretëror i ngjason jashtëzakonisht shumë asaj të Tom Doshit dhe që në vetvete është një filozofi jetese për një pjesë shqiptarësh post viteve 1990. Një mikrob që ka kapur edhe kryeministrin tonë i cili njihet për mburojën e tij ndaj këtyre fatkeqësive kolektive.

Por duket se të gjitha këto veprime marrin një përmasë tjetër dhe plotësojnë kornizën e punimeve plot shije të kryeministrin nëse nuk harrohet zona pas kryeministrisë. Hapësirë që për shumë e shumë vite, që kur Nano vendosi të ndërtonte gardhin e Kryeministrisë, qe e zënë me makina burokratësh dhe partiakësh, e ku gjendej një kosh plehrash në të cilin hidheshin tufat e mëdha të letrave të padobishme. Këtë qendër kaq arkaike dhe kaq keq shfrytëzuar, artisti kryeministër mendoi ta rikonceptonte sipas modelit të tij. prandaj ndërtoi një lulishte të mbushur me ullinj që e rrethonin. Si për të treguar rivitalizimin e kësaj hapësire, por duke mos lejuar askënd që të hyjë në të vetëm se me dëshirën e kryeministrit, i cili në evenimente të ndryshme sportive apo tek tuk kulturore, i fton qytetarët e vendit të vijnë në oborrin e tij kryeministror.

Siç edhe kuptohet, rikonceptimi urban i kësaj pjese vazhdon të jetë nën frymën e përdorimit të hapësirës në funksion të ndikimit në turmë. Madje, kjo pjesë e ri kualifikuar si përherë pa një tender dhe pa një vlerë, është karremi përmes së cilës turmës i shpjegohet se kryeministri e do gjelbërimin për të vazhduar më pas me ndërhyrjet para godinës meqenëse karremi tanimë u gëlltit. E njëjta skemë e përdorur edhe në sheshin Nënë Tereza, i cili jo më larg se disa ditë më parë, u bë pre e një tufe arkitektësh për të ndërtuar gjithfarësoj dinozaurësh betoni.

Estetizmi i Ramës, në mungesë të shijeve nga kundërshtarët e tij politik, ngjason me një mrekulli të atillë sa që ndonjëherë pak kush e kupton hidhësinë dhe kitsch-in që shndërrohet në absurd. Rama kështu arrin jo vetëm të vrasë shijen tonë por mbi të gjitha arrin të ndërtojë pushtetin e tij mbi një ekonomi të varfër që nuk ha asgjë më shumë nga dje se sa pak më shumë “art”.

Në thelb, shteti i tij nuk është arti sikundër qe në kohën që ai u bë kryetar i bashkisë. Shteti i tij ka evoluar njësoj si pushteti që ai ushtron, tanimë arti është shndërruar në shtet, ky i fundit duhet të përkulet përpara madhështisë së artit që ofron kryeministri duke na treguar se ndryshimet e tij në kryeministri nuk janë vetëm se ushtrimi i vullnetit të tij brenda vullneteve tona. Thënë më shkoqur, ai arrin të bindë se ajo që ndërton dhe krijon ai është domosdoshmërisht e bukur dhe e duhur. Kritika për të thjesht zhvlerësohet!

You may also like...