Ngushëllimet e Makiavelit për Edi Ramën me rastin e fitores së Dibrës

MakiaveliI dashur Edi,

Ngushëllime për fitoren tënde të fundit zgjedhore.

Po të them ngushëllime se, për shkak të mënyrës se si fitove, gjasat janë që kjo që ndodhi të jetë më shumë humbje për ty se sa për fitore.

Po! Ti ke shumë të drejtë në një drejtim. Idrizi, si doganier i Nanos, e njeh mirë pazarin e votave. Dhe Idrizi është një batakçi që do të të kushtojë ty krahasimisht shumë më lirë se sa të kushton Meta, në termat e pushtetit. Problemi është se Meta, si njeri me më shumë eksperiencë në këtë punë, ka mësuar ta fshehë veten mirë kur blen vota ndërsa Idrizi, si doganier që është, nuk e ka kuptuar ende rëndësinë e të dukurit dhe aktrimit kështu që vepron më harbutshe, më hapur dhe rrjedhimisht, në mënyrë më të dukshme se sa Meta.

Kjo bëri që, Idrizi, sapo doli për të blerë vota, ra menjëherë në sy. Duhet të kthehesh pas në kohë dhe të mbash mend se kur Idrizi garoi për herë të parë te Porcelani për deputet më 2005, ai pa filluar sakaq gara e ekspozoi veten para së gjithëve si njeri që di të japë miell, oriz e sheqer për popullin.

Besoje apo jo, Meta rezulton më i rafinuar se sa Idrizi në punë blerjesh votash, megjithëse, Idrizi i ka mbushur mendjen vetes se di të vishet më mirë.

Kështu që, kujdes! Fitorja e Dibrës qe për ty krahasimisht e njëjtë me fitoren e zgjedhjeve të vitit 1996 për Berishën. Rezultat tepër i thellë për të qenë i vërtetë, manipulime tepër të trasha për t’u mbuluar. Fajin për këtë ta ka Idrizi. Por fajin e ke edhe vetë. Nuk mësove kurrë që kohët ndryshojnë dhe koha kur ti i joshje ndërkombëtarët me rrobat shumëngjyrëshe ka mbaruar. Tani të duhet të përballesh me pasojat e asaj që Tërmeti i referohet si “fitore publicitare”.

Të uroj që në zgjedhjet e ardhëshme të dish të fshehësh Idrizin më mirë. Një fitore tjetër si ajo e Dibrës dhe zotat e Brukselit do të të hedhin në thellësirë e ferrit, nga ku mielli i Idrizit do të të duket helm.

Përshëndetje të papërzemërta,

Niccolo Machiavelli,

Limbo, 14 shtator 2016.

You may also like...