Niviciotët, njerëzit që e ndjejnë veten pronarë

Reportazh nga bregdeti i jugut, ku tapitë e kohës së Turqisë i japin fshatarëve të Nivicës pronësinë e 4300 hektarëve, ndërsa shteti dëshiron t’ia falë një investitori të huaj.

Çka Nivicë lulja

Që ka zënë vajin e qa’

Në qeveri njerëz s’ka

E zaptoi Nanua

Hiqu o Nano nga na

Hiqu o Nano laneti

Është i yni Heremeci

Kakomeja dhe bregdeti

Hiqu o Nano nga na

Se Stambolli na i dha

Më njëmijë tetëqind e ca…

Vjersha më e re popullore në Nivicë, treguar për televizionin “A1” nga Sofokli Papadhima

 

Nga Nivica, Gjergj Erebara

Vendasit thonë se është fshati me pronat më të mëdha në të gjithë bregdetin e jugut pas Konispolit. Tokat e tij fillojnë tek porti i ri në Sarandë dhe mbarojnë në kurrizin e një mali në anën veriore të gjirit të Kakomesë. “Ne jemi fshati më i pasur me toka në bregdet”, – thotë Sofokli Papadhima, 78 vjeç, një nga burrat më të vjetër të fshatit Nivicë.

Që para një shekulli e gjysëm, sipas një gojëdhëne, banorët e fshatit me 126 familje përplaset me autoritetet vendore të Perandorisë Osmane dhe arritën të blejnë me anë të një kontrate të rregullt, kullota të përgjithshme me sipërfaqe prej 4300 hektarësh. Gojëdhëna nuk mbeti vetëm aq, kur në vitin 1994, përfaqësues të banorëve të fshatit gërmuan dhe gjetën në arkivën qëndrore të shtetit Fermanin që i shpallte ato pronarë të barabartë të kullotave të gjera.

Kakomeja është një gji i vogël dhe i thellë. Vendasit tregojnë se përkthyer nga greqishtja do të thotë “ditë e keqe”. Lugina që paraprin gjiun, rrethohet nga male të larta të pyllëzuara mirë. Fusha është ujëmbajtëse dhe aty gjenden tre puse të hapura që prej kohëve që nuk mbahen mend. Në vitet ’70 pylli që gjendej mbi fushë u pre dhe u hap një tokë që u mboll me patate por që nuk dha ndonjë rendiment të lartë dhe sot e kësaj dite vazhdon të përdoret si kullotë. Sipas tapive të vjetra, prona e niviciotëve fillon pikërisht në kodrën që ndan gjiun e Kakomesë me atë të Krorëzit.

 

Organizim shoqëror

 

Në kohën kur të parët e vendit blenë tokën, zona ishte një rajon i humbur i një perandorie që sot nuk ekziston më. Bëhej fjalë për një zonë malore me pyje të çrregullt. Vendasit kishin krijuar një organizim shoqëror për të përcaktuar të drejtën dhe për ta dalluar atë nga e padrejta. Plaku Papadhima vazhdon tregimin e vet: “Ne i kemi ndarë kullotat e malit në pesë pjesë kullota të mira dhe pesë pjesë të tjera sipërfaqe të këqija, (çyrekë), si maja mali etj. Çdo pjesë i takonte 26 familjeve, të cilat mbanin aty nga një sasi të barabartë dhensh. Kullota më e mirë kishte edhe çyrekun më të keq”, – thotë Papadhima, pasi është duke hedhur dekadën e tetë mbi supet e veta. Sofokliu është nga banorët e paktë të Nivicës që i ka fëmijët në shtëpi dhe nuk i ka dërguar në emigrim. Djali i tij Klementi sot është në këshillin e komunës dhe njëri nga organizatorët e fshatit në mbrojtje të tokës së vet.

Ajo çfarë dallohet qartë në Nivicë, është organizimi shoqëror që nga kohët e vjetra. Ai është një fshat që sot ka rreth 1 mijë banorë si dhe disa qindra emigrantë. Kryetarët e 126 familjeve janë marrë vesh, kanë ndarë dhe shfrytëzuar sëbashku kullotat. Sipas plakut Papadhima, çdo kullotë mali kishte kapacitet 800 dhen dhe çdo kullotë fushe kishte kapacitet 400 dhen, në një total prej 6 mijë krerësh bagëtie. Në vitet e komunizmit, kur fshatarët u shpronësuan dhe u krijua ferma, ishin po të njejtët njerëz që ndihmuan njëri-tjetrin për të përballuar kohët e vështira. Në vitin 1991, kur 20 hektarë tokë bujqësore pikërisht në luginën e Kakomesë, u quajtën për efekt ligjor tokë arë dhe jo kullotë, ato e ndanë tokën për 1005 frymë, ndanë ullinjtë sipas familjeve dhe sërish u mirëkuptuan. Disa prej fshatarëve gjetën rastin dhe privatizuan disa ndërtesa ushtarake. Kryeplaku Vladimir Kumi tregon se si vendasit respektonin ligjin e kohës së Turqisë që i detyronte të linin kullota dhe rrugë kalimi të lirë dhe pa pagesë për bagëtitë që shtegëtonin.

Me fondet e tyre, Niviciotët ndërtuan shekuj më parë tre kasha ndërsa mirëmbanin manastirin shumë të vjetër që gjendet në krahun e djathtë të luginës së Kakomesë. Manastiri shërbente si shkollë dhe si qendër bamirësie për të varfërit apo për udhëtarët që i zinte nata në rrugë dhe që gjenin strehë pa paguar aty.

Pasi kanë qindra vite që vetërregullohen pa pasur nevojë për ligjet e shtetit, fshatarët e Nivicës sot kërkojnë që sërish të vetërregullohen për të menaxhuar më mirë tokën që i kanë lënë paraardhësit. Kryeplaku Vladimir Kumi thotë se kanë krijuar një asamble pronarësh, (një shoqëri aksionere e tipit fshatçe). Vetë Kumi është shpallur kryetar i asamblesë së aksionerëve me 126 aksione, një ndarje për çdo familje. Tani për tani, detyra për të cilin Vladimiri është ngarkuar nga fshati, është përfaqësimi në procesin e njohjes dhe kthimit të pronave, ndërsa më pas, ato do të kenë edhe detyrën me e menaxhuar atë pronë. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për gjirin e Kakomesë: Sipas dokumentit të kohës së Turqisë, njohur nga gjykata e Sarandës në vitin 1996, janë plot 4300 hektarë tokë dhe rreth 17 kilometra vijë bregdetare krejtësisht e pashfrytëzuar. “Kakomeja është e jona”, – thonë të gjithë fshatarët njëzëri.

Kryeplaku shpjegon se fshati nuk i lejoi fëmijët e vet që u kthyen nga emigrimi që të investonin kuturu në Kakome. U lejua vetëm ndërtimi i disa lokaleve në kodër, në respekt të plazhit dhe të fushës. Respektimi i plazhit dhe i fushës është një fenomen shumë i rallë në Shqipërinë e sotme, ku instikti për të dominuar tokën e zaptuar i ka shtyrë njerëzit që t’i kryejnë ndërtimet në mes të fushës. Nga Nivica ka tre pronarë firmash ndërtimi dhe guroresh që punojnë në Sarandë. Megjithatë, rruga ushtarake që lidh aksin rrugor Sarandë – Borsh me plazhin e Kakomesë është pothuajse e pakalueshme. Kumi thotë se ka planifikuar hapjen e një rruge të re që do të jetë me pjerrtësi më të ulët dhe që do të kalojë pranë manastirit të vjetër, për ta bërë të vizitueshme Manastirin si dhe pyllin me ullinj, i cili mbart një legjendë interesante pasi përbëhet nga ullinj të sharrtuar nga burrat e fshatit para se të martoheshin, sipas një rregulli të lashtë. Fshatarët nuk dëshirojnë që gjiri i Kakomesë të kthehet në një katastrofë tjetër urbane, me disa ndërtesa të shëmtuara betoni, pa ujë dhe pa kanalizime, me ujëra të zeza që mund të përfundojnë në gjirin e vogël. Kryeplaku energjik thotë se dëshirojnë të realizojnë një studim urbanistik, që ta ndërtojnë fshatin në anë të kodrave dhe ta lënë fushën të lirë, si një hapësirë publike. Ato dëshirojnë të gjejnë një sistemim për ujërat e zeza dhe një sistem të përbashkët të furnizimit me ujë e me energji elektrike.

Ka shumë që mendojnë se fshatarët e Nicivës u kujtuan për pronësinë e gjyshërve vetëm kur mësuan për investimet miliona dollarëshe, me parimin e vjetër që “u bë deti kos”. Por dokumentat e paraqitura nga përfaqësuesit e fshatit flasin ndryshe. Ato kanë që në vitin 1991 që punojnë për të zbardhur pronësinë mbi ato kullota. Në vitin 1996, gjykata e Sarandës njohu dhe kthehu nën pronësinë e 126 familjeve një sipërfaqe fantastike prej 250 hektarësh që gjenden brenda vijës së verdhë të qytetit të Sarandës dhe që në bazë të ligjit ekzistues të Kthimit dhe kompesimit të Pronave, kthehen. Sot kodra nën pronësinë e Nivicës në Sarandë është pjesërisht e zaptuar nga ndërtimet pa leje.

 

Dy historitë e fshatit

 

Nivica është një fshat i banuar nga shqiptarë orthodoksë. Të moshuarit e fshatit thonë se ato vetë nuk dinë të flasin greqisht ndërsa kryeplaku ankohet për faktin se shpesh ato paragjykohen si grekë për shkak të përkatësisë fetare, pa harruar të përmendë mardhëniet miqësore me Delvinën muslimane dhe Borshin pjesërisht musliman.

Në qendër të fshatit gjendet një lapidar i ndërtuar për të kujtuar 40 heronjtë e popullit të Nicivës, të vrarë nga gjermanët në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Sot banorët kanë mundësinë të tregojnë historinë e këtyre 40 heronjve, natyrisht pa pathos dhe pa ngjyrime politike. Sipas tyre, në kohën kur një grup gjermanësh po kalonin në aksin rrugor Sarandë-Vlorë, dy barinj nuk dihet se për çfarë arsyeje qëllojnë mbi autokolonën duke shkakruar edhe reagimin e ashpër të nazistëve që u hakmorrën duke masakruar 40 burra në një fshat që në atë kohë besohet se nuk kishte më shumë se 800 banorë. Pjesa tjetër e burrave të fshatit nuk e pranuan kurrë masakrën dhe kërkuan shpagim. Ato zunë pritë kundër një autokolone tjetër gjermane dhe kryen masakrën e dytë, 60 ushtarë gjermanë të vrarë dhe asnjë humbje nga ana e fshatarëve.

Kjo është një histori që i mbush me krenari vendasit, të cilët e përmendën disa herë gjatë këtyre muajve të fundit, kur po flitet për dhënien me qera të tokës së tyre tek një kompani private. Ka shumë njerëz të irrituar që nuk ngurojnë të flasin për përleshje të armatosur, për dhënie kushtrimi për djemtë që punojnë në Greqi. Por ka një fjalë të mençur nga Sofokli Papadhima, një nga më të vjetrit e fshatit. “Ato kanë fuqinë e shtetit”, – thotë plaku që ka parë shumë në jetën e vet. “Ato mund ta marrin tokën dhe të vrasin edhe dhjetë niviciotë, por kjo do të jetë një gjakderdhje e padrejtë”.

Kjo është historia e parë e fshatit.

Historia e dytë ka të bëjë me një dokument të rëndësishëm që quhet “Ungjilli i Kakomesë”. Sipas legjendës, një dokument i shkruar në lëkurë lope me gërma të arta, i cili u ruajt në manastir për shumë shekuj derisa turqit e dogjën manastirin dhe vendasit e ruajtën ungjillin, duke i bërë edhe të gjitha respektet, në një shtëpi. Askush nuk e di fort mirë se çfarë përmbante dorëshkrimi, por disa mendojnë se ishte ungjilli i Shën Lukës. Në vitin 1941, kur zona u pushtua nga ushtria greke që po luftonte italianët, rreth 70 ushtarë grekë rrethuan shtëpinë ku ruhej ungjilli, u përleshën me banorët dhe arritën ta rrëmbejnë atë. Burrat e fshatit i ndoqën deri në Janinë trupat greke pa arritur të marrin sërish ungjillin e shenjtë për niviciotët. Por fshati i kërkoi ndihmë një bashkëfshatari me emrin Cec Dhuci, i cili kishte studiuar në Gjermani dhe ishte ushtarak i lartë i ushtrisë greke. Ky i fundit e kërkoi pranë qeverisë së Athinës ungjillin në emër të fshatit dhe mori përgjigje negative.

 

Niviciotët pronarë

 

Ligjërisht, kullotat me sipërfaqen fantastike prej 4300 hektarësh, që “kufizohet me detin” në një linjë prej 17 kilometrash, sot për sot është nën pronësi shtetërore, pasi që nga viti 1947, kur u shpronësua nga reforma agrare, nuk ka një akt ligjor që ta shfuqizojë atë akt komunist. Gjithsesi, dihet se një pjesë e konsiderueshme e tokës së pretenduar për t’u dhënë me qera nga qeveria, iu shpërnda të njejtët fshatarëve në vitin 1991, në bazë të ligjit “për Tokën”. Në të njejtën kohë, ishin po nga Nivica disa ish-ushtarakë që privatizuan tre apo katër ndërtesa me një sipërfaqe të vogël toke.

E ashtuquajtura “mungesa e tapive” mbi tokën e marrë nga ligji 7501 “Për Tokën”, është një pretendim absurd pasi asnjë tapi e shpërndarë në vitet 1995-96, nuk është rregjistruar në kadastra. Rrjedhimisht, edhe tapitë që niviciotët i kanë dhënë prakisht vetvetes për sipërfaqen 20 hektarë, nuk ekzistojnë të rregjistruara në kadastër. Të tilla ishin edhe tapitë e shpronësimeve për ndërtim rrugësh gjatë kohëve të fundit, por kjo gjë nuk e ndaloi shtetin që t’i njohë pronarë dhe t’i dëmshpërblejë në bazë të po këtyrë tapive të parregjistruara. Niviciotët janë pronarë që prej 150 vitesh. Ato nuk janë bejlerë, me latifonde të krijuara nga Turqia, siç pretendohet nga disa historianë. Ato janë një popullatë shqiptare e fesë orthodokse. Kanë jetuar dhe punuar gjithmonë në një zonë shumë pak të banuar dikur, por që sot rezulton se është një resurs fantastik për zhvillimin e turizmit. Ky është shansi i atyre njerëzve që për shumë shekuj vuajtën duke jetuar në atë zonë të ashpër dhe që tani e gjejnë veten pranë një toke shumë të lakmuar për shkak të detit dhe diellit. Natyrisht që ligji “Për zonat që kanë prioritet zhvillimin e Turizmit”, nuk ua jep atyre pronësinë ligjore, por pavarësisht nga kjo, ato janë pronarët natyralë atje. Ato e dinë se ku mbaron kufiri i tokës së vet dhe se ku fillon kufiri i pronës së tjetrit. Ato nuk kanë sjellje bejlerësh, ndonëse sot kullotat e tyre kur dikur rriteshin bagëtitë sot rezulton një pronë shumë e kushtueshme. Ato e dinë se kufizohen me Sarandën e sotme, tokë që dikur ka qenë pronë e familjes Mbretërore Shqiptare, që nga koha e Turqisë, por që me një marrëveshje, Zogu ia fali pa shpërblim Kryqit të Kuq Shqiptar në vitin 1936.

Niviciotët kanë ditur ta menaxhojnë mirë dhe në mënyrë të drejtë tokën e vet për katër breza, ato do të dinë ta menaxhojnë edhe në të ardhmen. Aty nuk ka vend për teori të tilla si ato që thonë se fshatarët vendas mund ta shkatërrojnë ambjentin duke ndërtuar në mënyrë të pakontrolluar. E vërteta është se 15 vite pas demokracisë, në Kakome nuk janë bërë ende ndërtime nga pronarët e vet, dy tre locale janë ndërtuan në kodër duke ruajtur rërën, në një kohë që në Sarandë është zhvilluar një kaos i vërtetë pallatesh të shëmtuara në prona të vjedhura me apo pa ligj.

You may also like...