Nje histori e shkurter e sistemit elektoral

Premtimi 1 i qeverisë, ndryshimi i sistemit elektoral, I parealizuar

Ndryshimi i sistemit elektoral

Statusi: I parealizuar

Botuar fillimisht te vertetematesi.info

I. Qeveria ka premtuar në programin e vet qeverisës të vitit 2009, ndryshime apo modifikime të sistemit aktual zgjedhor. Në fjalët e qeverisë u premtua: “modifikime të pranuara konsensualisht mbi sistemin aktual zgjedhor të tilla që eliminojnë trajtimet e pabarabarta, diskriminative dhe paragjykuese ndaj subjekteve politike”.

Debati mbi drejtësinë e sistemit ka tashmë karakteristika historike. Përgjatë njëzet viteve të fundit, me përjashtim të zgjedhjeve të viteve 1991 dhe 1992, palët politike janë përpjekur të gjejnë kleçka ligjore dhe joligjore për të fituar vota parlamentare më shumë se sa arrijnë të marrin vota elektorale.

Që nga ligji i parë zgjedhor e deri më sot, parimi kryesor i zbatuar në Shqipëri ka qenë proporcionaliteti. Pra parimi që një parti politike duhet të zotërojë atë përqindje të votave parlamentare sa ka marrë edhe vota popullore.

Me një aritmetikë të thjeshtë, nëse një parti politike merr 50 për qind të votave, duhet të marrë edhe 50 për qind të parlamentit. Por me përjashtim të zgjedhjeve të vitit 1992, të gjitha herët e tjera nuk ka ndodhur kështu.

Sistemi aktual është vendosur në vitin 2008 me ndryshimet kushtetuese të rëna dakord mes dy partive të mëdha dhe të refuzuara nga partitë e vogla. Rezultati i zgjedhjeve të vitit 2009 e ruajti këtë disproporcionalitet, pavarësisht ndryshimit të sistemit, ndonëse në përmasa më të vogla se sa në zgjedhjet paraardhëse. Partia Demokratike dhe aleatët e saj në zgjedhjet e fundit kanë marrë 50 për qind të parlamentit me 47 për qind të votave, ndërsa Partia Socialiste dhe aleatët e saj kanë marrë 47 për qind të parlamentit me 46 për qind të votave. Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë 2.8 për qind të parlamentit dhe 5 për qind të votave[i].

Premtimi i qeverisë për “eliminimin e trajtimeve të pabarabarta, diskriminative dhe paragjykuese”, nuk ka vendosur afate për realizimin e këtij premtimi, por për shkak se bëhet fjalë për zgjedhje, logjika sugjeron që ky premtim duhej të realizohej para zgjedhjeve të vitit 2013. Nga ana tjetër, ndryshimi i sistemit elektoral kërkon maxhorancë të cilësuar, pra mund të bëhet vetëm me mirëkuptimin e opozitës.

Të dyja partitë kryesore politike në vend, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, nuk e kanë zgjidhur këtë problem. Partitë e vogla mbeten të nënpërfaqësuara në parlament dhe ka gjasa që do të mbeten të tilla edhe pas zgjedhjeve të ardhëshme parlamentare. Partitë e mëdha mund të vijojnë të jenë të mbipërfaqësuara në parlament.

Përfundimisht, premtimi i koalicionit qeverisës për ndryshimin e sistemit elektoral është i parealizuar

Informacion i përgjithshëm (të dhëna historike)

Sistemi elektoral i Shqipërisë ka ndryshuar vazhdimisht gjatë njëzet viteve të fundit.

Me ligjin Nr. 7423, datë 13.11.1990, i cili u zbatua gjatë zgjedhjeve parlamentare të Marsit 1991, Shqipëria u nda në 250 zona zgjedhore. Ky ligj u zëvendësua me ligjin Nr. 7556, datë 4.2.1992, i cili u zbatua për zgjedhjet e marsit ‘92. Këtu, e drejta e votës i jepej vetëm shtetasve që konsideroheshin “me banim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë.” Kjo klauzolë duket se kishte për shënjestër emigrantët që sapo kishin nisur të iknin nga Shqipëria.

Ligji e ndante Shqipërinë në 100 zona elektorale dhe i ndante partive politike proporcionalisht me numrin e votave, 40 mandate. Në të dyja ligjet, të burgosurit përjashtoheshin nga e drejta e votimit. Mandatet e shpërndara me proporcionalin synonte të balanconte humbjet që partitë jofituese në maxhoritar mund të kishin, në mënyrë që pjesëmarrja në parlament të qe e përafërt me numrin e votave të fituara në proporcional. Pragu elektoral u përcaktua në masën 4 për qind në rang kombëtar. Ekzistenca e pragut në këtë nivel nuk qe në përputhje me parimin e proporcionalitetit, pasi në një parlament me 140 vende, duhet të mjaftojnë 0.71 për qind të votave për të prodhuar një deputet.

Në vitin 1996, ligjit zgjedhor iu bënë ndryshime me propozim të Partisë Demokratike, e cila dispononte më shumë se dy të tretat e parlamentit përmes ligjit Nr.8055, datë 1.2.1996. Edhe në këtë ligj vijoi koncepti që e drejta e votës zotërohet vetëm nga nënshtetasit shqiptarë me banim në Republikën e Shqipërisë. Numri i zonave elektorale u rrit në 115 dhe numri i mandateve të ndara në proporcional u ul në 25 pa ndryshuar numrin total të deputetëve. Duke lënë mënjanë historinë e manipulimit të zgjedhjeve në vitin 1996, sistemi i ri solli edhe distorcion mes përqindjes së votave të marra nga subjektet zgjedhore dhe përqindjes së posteve parlamentare të fituara. Kështu, Partia Demokratike mori 55 për qind të votave dhe 87 për qind të parlamentit.

Ligji Nr.8218, datë 16.5.1997 i la të paprekura 115 zonat elektorale në maxhoritar por shtoi proporcionalin në 40 mandate duke rritur numrin total të deputetëve në 155. Pragu elektoral për proporcionalin u ul në 2 për qind, pra nga ndarja e mandateve të proporcionalit u përjashtuan partitë me më pak se 2 për qind të votave nga 4 për qind që qe më parë.

Shqipëria miratoi kushtetutën në vitin 1998 me ligjin Nr.8417, ku për herë të parë u sanksionua e drejta e votës për të burgosurit. Numri i deputetëve u fiksua në 140 të ndarë 100 maxhoritar dhe 40 proporcional. Pragu për t’u përfaqësuar në parlament u caktua 2.5 për qind për partitë dhe 4 për qind për koalicionet.

Me ligjin Nr. 8609, datë 8.5.2000, u ruajt parimi i proporcionalitetit të votave të fituara në rang republike me përfaqësinë parlamentare. Në zgjedhjet e vitit 2001 dhe ato të vitit 2005, pati një përpjekje masive të partive politike për të shkatërruar parimin e proporcionalitetit, fillimisht duke i shpallur kandidatët e tyre si “të pavarur të mbështetur nga një parti” dhe më pas duke përdorur parti periferike për të zbrazur votat e mbështetësve të tyre. Nën këto skema, që në gjuhën mediatike u njoh si “sistemi i Dushkut”[ii], e njëjta votë përdorej njëkohësisht për të fituar një deputet në maxhoritar dhe për t’u llogaritur e vlefshme në ndarjen e proporcionalit[iii].

Për rrjedhojë, në zgjedhjet e vitit 2001, Partia Socialiste mori 41.5 për qind të votave dhe 52 për qind të parlamentit. Koalicioni i Partisë Demokratike + Bashkimi për Fitore mori 37 për qind të votave dhe 32 për qind të parlamentit.

Bibliografi

Ligji Nr.8055, datë 1.2.1996 PER NDRYSHIMET NE LIGJIN NR.7556, DATE 4.2.1992 “PER ZGJEDHJET E KUVENDIT POPULLOR TE REPUBLIKES SE SHQIPERISE”

KOMUNIKATË E KOMISIONIT QËNDROR TË ZGJEDHJEVE PËR PËRFUNDIMIN E ZGJEDHJEVE TË 22 MARSIT 1992 TË DEPUTETËVE PËR LEGJISLATURËN E 13-TË TË KUVENDIT POPULLOR

Vendim KQZ: Nr .227, date 21.8.2001 PER NUMRIN E VENDEVE QE U PERKASIN PARTIVE POLITIKE DHE KOALICIONEVE NGA NDARJA E MANDATEVE PLOTESUESE NE ZGJEDHJET PER KUVENDIN PER VITIN 2001

Ligji Nr. 8609, datë 8.5.2000 KODI ZGJEDHOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

LIGJi Nr.10 019, datë 29.12.2008 KODI ZGJEDHOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Burimi: Rezultatet e zgjedhjeve të kaluara parlamentarehttp://www.bbc.co.uk/albanian/news/2005/06/printable/050603_rezultatet_kaluara.shtml. Aksesuar më 17 nëntor 2012

[i] Të dhënat janë nga publikimi zyrtar i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.http://www.cec.org.al/images/stories/zgjedhje-per-kuvend/2009/rez_vend.pdf Aksesuar më 13 nëntor 2012.

[ii] Sistemi i Dushkut është përdorur si një togfjalësh për spekulimet me sistemin zgjedhor të përzjerë maxhoritar dhe proporcional. E ka marrë emrin nga zona zgjedhore 60, ku fshati kryesor qe Dushk i Madh pranë Lushnjës. Në vitin 2001, zgjedhjet në këtë zonë dështuan në raundin e parë dhe u shtynë për disa javë. Votat e Partisë Socialiste u ndanë në mënyrë pothuajse të barabartë mes tri partive aleate, të cilat nuk kishin marrë vota të mjaftueshme për të kapërcyer pragun prej 2.5 për qind. Si pasojë e kësaj manovre, zona e Dushkut qe përgjegjëse për prodhimin e 10 deputetëve.

[iii] Për më shumë mbi këtë çështje, raporti i plotë o OSCE ODHIR për zgjedhjet e vitit 2001 gjendet këtu: http://www.osce.org/odihr/elections/albania/13560 Aksesuar më 17 nëntor 2012

You may also like...