Një justifikim i papranueshëm nga Rama për mospagesat e njerëzve në nevojë

ndihma-ekonomike

Ndihma Ekonomike sipas buxhetit te fillimvitit dhe aktit normativ te fundit

Kryeministri Edi Rama u dorëzua sot përballe mungesës së vullnetit të vet dhe na tha se njerëzit me aftësi të kufizuara do të vijojnë të mos i marrin qindarkat e prapambetura gjatë muajve të fundit. Rama na sugjeroi se faji për këtë problem i përket qeverisë paraardhëse si dhe premtoi se pagesat do të jepen në mënyrë të rregullt nga janari i vitit të ardhshëm.

Të gjitha këto argumentime, sido që të thëna me elokuencë, nuk pranohen. Ato mbartin edhe një dozë të fortë ironie dhe cinizmi.

Po! Është e mirënjohur që në muajt e zgjedhjeve pati kryebashkiakë e kryekomunarë që shpërndanë ndihma ekonomike për të fituar vota duke e mbaruar fondin në dispozicion për ndihmën ekonomike dhe ndihmën për njerëzit me aftësi të kufizuar. Por kjo nuk përbën justifikim për mospagesën e ndihmës në këto muajt e fundit të vitit. Për më tepër, fakti është që spekulantët politikë me qindarkat e fukarenjve vijojnë të mbeten kryebashkiakë e kryekomunarë. Asnjëri prej tyre nuk është shkarkuar as nuk është futur në burg për këto që ka bërë. Rrjedhimisht, përralla e fajit që e ka qeveria paraardhëse në tërësi dhe që në thelb është jetim, nuk pranohet.

JO! Spekulantët politikë me ndihmat ekonomike nuk kanë bërë ndonjë dëm kaq të papërballueshëm financiarisht sa të bëjnë qeverinë e re të dorëzohet përballë detyrës për të paguar këto qindarka. Qeveria shqiptare e ka rritur borxhin publik këtë vit me plot 800 milionë dollarë. Për të paguar ndihmën ekonomike e ndihmën për njerëzit me aftësi të kufizuara, nevojiten 5 apo 10 milionë dollarë. Pra janë me të vërtetë një qindarkë për buxhetin e shtetit dhe për borxhin publik. Arsyetimi se Shqipëria nuk ka lekë për të paguar këto qindarka si pasojë e keqqeverisjes së mëparshme nuk është i vërtetë, nuk është i pranueshëm.

PO! Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të paguar ndihmën ekonomike të plotë dhe në kohë. Shqipëria harxhon 1.2 për qind të PBB-së për ndihmë ekonomike, pra në çdo 100 lekë të ardhur kombëtare, shkon për lëmoshë 1 lek e 20 qindarka. Nëse kjo shtohet dhe bëhet 1 lek e 30 qindarka, kaq mjafton për ta paguar në kohë dhe të plotë ndihmën ekonomike.

Kryeministri i ka të gjitha mjetet e nevojshme dhe praktikisht e ka jashtëzakonisht të thjeshtë të shlyejë këto pagesa. Mjafton të ulet e të shkruajë dy rreshta ligj në formën e Aktit Normativ:

  1. Borxhi publik i Shqipërisë shtohet nga 8 miliardë dollarë në 8 miliardë e dhjetë milionë dollarë.
  2. Fondi i Ndihmës Ekonomike rritet nga 173 milionë dollarë në 183 milionë dollarë.

 

Me t’i shkruar dhe shpallur këto dy rreshta, nesër në mëngjes njerëzit me aftësi të kufizuar marrin qindarkat e tyre. Pra është çështje vullneti dhe jo mundësish. Do apo nuk do kryeministri t’i paguajë këto fatura? Dukshëm përgjigjja është jo!

Më shumë mbi këtë temë:

Invalidët dhe ndihma ekonomike, asnjë lek shtesë në buxhetin e ri

Jepini ato dreq qindarkash

You may also like...